Partia Socialiste ka kërkuar këtë të premte përjashtimin nga seancat plenare të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokës për 60 ditë dhe deputeteve demokrate, Elda Hoti dhe Albana Vokshi për 30 ditë.
Kërkesa vjen një ditë pas tensioneve dhe debateve të regjistruara në seancën plenare në Kuvend. Hoti gjatë seancës së djeshme tentoi t’i hiqte kartën e deputetes nga pajisja për të ndërprerë fjalën e Bora Muzhaqit. Hoti i hoqi kartën deputetes për t’i ndërprerë fjalën teksa opozita kishte bllokuar foltoren.
Taulant Balla më pas u ngrit në këmbë dhe debatoi me deputeten Hoti. Kryeparlamentari Niko Peleshi për shkak të situatës së tensionuar ndërpreu seancën për 5 minuta. Megjithatë ky pushim jo vetëm që nuk uli tensionet, por i çoi edhe më tej në përplasje fizike, kur transmetimi Live i seancës ishte shkëputur.
Me pretendimin se Balla ofendoi dhe kërcënoi deputeten Hoti, Flamur Noka goditi me shishe uji kreun e grupit parlamentar socialist.
Gjithashtu Noka, gjatë kohës që seanca ishte në pushim për shkak të rrëmujës që u shkaktua në sallë, ka kërcënuar Taulant Ballën.
“O legen do të të rrjep si kec. Je ai që kërcënon dhe shantazhon deputetet e opozitës. Të bëj atë që as nuk të shkon në mendje”, i tha ai Ballës.
Një situatë tjetër e tensionuar ishte edhe përplasja e Albana Vokshit dhe Bora Muzhaqit. Vokshi i tha Muzhaqit se nëse do kishte pak integritet nuk do e kishte marrë fjalën në Kuvend pasi Niko Peleshi ia hoqi të drejtën Elda Hotit. Deputetja e PD shtoi se Muzhaqi nuk e kupton realitetin për shkak të memeve.
Edhe PD kërkoi po sot përjashtimin e Taulant Ballës nga Kuvendi dhe Komisionet me 60 ditë. Në shkresën e tyre deputetët demokratë pretendojnë se kreu i Grupit Parlamentar të PS ka përdorur vazhdimisht gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj tyre.
Komente











