Rama niset në Turqi, PS mbledh online Asamblenë, miratohen 6 vendime! Ngrihet komisioni për të analizuar 25 Prillin! Balla: Do fillojmë fushatën më të madhe për hapjen e partisë

TIRANË-  Në mungesë të kryetarit Edi Rama, i cili është nisur drejt Turqisë, PS mblodhi sot online Asamblenë Kombëtare, ku u mor vendimi për zhvillimin e analizës së rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021.

PS doli forcë fituese në zgjedhjet e 25 prillit, e megjithatë kjo parti do të zhvillojë një analizë të detajuar të rezultatit të zgjedhjeve në të gjithë qarqet, që pritet të zgjasë 7 muaj.

Analiza do të kalojë në tre faza përmes një komisioni të posaçëm ndërsa procesi do të nisë në 15 qershor të këtij viti,  deri në 15 Janar të 2022 në çdo nivel të partisë.

Në fazën e parë do të zhvillohet një analizë për rezultatet e zgjedhjeve, në periudhën 15 qershor deri më 15 nëntor. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.

Faza e dytë do të përqendrohet në analizën për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative që do të zhvillohen në periudhën 15 nëntor deri më 15 dhjetor 2021.

Në fazën e tretë do të bëhet një analizë  për rezultatet zgjedhore në Asambletë Socialiste të bashkive dhe shkallë qarku, në periudhën 15 dhjetor deri më 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.

Ndërkohë, më datë 12 qershor socialistët do të mbajnë kongresin e partisë, në përvjetorin e 30 të Partisë Socialiste. Më herët Edi Rama ka thënë se një arsye pse është vendosur kjo datë ka të bëjë me numrin e viteve të qeverisjes së socialistëve përllogaritur në tre mandate të fituara rresht.

Në një deklaratë të mëparshme Rama tha se në këtë vit 30-vjetori, do jetë një fushatë hapjeje e Partisë Socialiste, hapje e cila sipas tij do të krijojë mundësi gjithëpërfshirëse. 

Ndërkohë, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në fjalën e tij në Asamble u shpreh se në Kongresin e Jashtëzakonshëm do të paraqitet vizioni "Shqipëria" 2030 si dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës të PS për mandatin e tretë, duke shtuar se PS do të fillojë fushatën më të madhe të hapjes ndonjëherë.

Përveç analizës së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, Asambleja e PS mori sot edhe 5 vendime të tjera, për: Mbajtjen e zgjedhjeve të reja në strukturat vendore të partisë, zhvillimin e fushatës së anëtarësimeve të reja në parti, përfundimin e procesit të ngritjes dhe funksionimit të Regjistrit Digjital të Partisë dhe miratimin e Kalendarit Politiko-Organizativ të Partisë për periudhën Qershor-Dhjetor 2021.

 

Axhenda e mbledhjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
‘Rama ktheu PS në stallë lopësh’ Balla i përgjigjet Bashës: Luli t’i referohet socialistëve për organizimin e partisë, dora e shtrirë për bashkëpunim

Pas mbylljes së mbledhjes së Asamblesë së PS, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi jashtë selisë rozë se dora e shtrirë për bashkëpunim me PD vijon të qëndorjë, kushdo që të jetë kryetar i PD-së. Në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës ditën e sotme nga Kamza, ku tha se ‘Rama e ka thyer PS në stallë lopësh’, Balla tha se Basha duhet t’i referohet socialistëve për modelin e partisë dhe organizimin e saj.

“Po çfarë të them unë për Lulin. Luli kur i referohet PS-së duhet t’i referohet si model i një partie që ka organizim të pakrahasueshëm dhe të gjithë anëtarët e vet i ka të disponueshëm. Nuk po hyj në debatin e asaj partisë që nuk dihet kush do votojë më 13 qershor. Ne vazhdojmë ta mbajmë dorën e shtrirë dhe dëshirën tonë të pakushtëzuar për t’u ulur me PD-në sapo të fillojë legjislatura e re, me këdo që do jetë kryetar i PD. Maxhoranca ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta, Duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët për të çuar para shumë reforma që kërkojnë një shumicë që ne nuk e kemi. Unë mendoj që është koha e duhur për të lënë mënjëanë pakënaqësitë por të shohim kush është votuar. Ka një shumicë që ka votuar për PS por ka dhe një pakicë që ka votuar për PD dhe ata presin që mandati t’i shërbejë Shqipërisë. Ne do të themi që kur flasim pa kushte, përballë PD-së është një letër e bardhë ku ata mund të propozojnë çështje. Është koha të gjejmë mundësinë që pas 9 shtatorit që në kuvend të vazhdojmë të diskutojmë. Kemi çështje që lidhen me reformën zgjedhore”, tha Balla.

Ora 18:30
Sekretari organizativ i PS-së jep të dhëna për anëtarësinë dhe falenderon patronazhistët: Puna e tyre, një nga faktorët kryesorë të fitores tonë

Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Sekretari organizativ i PS, Arben Pllumbi, ka dhënë informacion mbi të dhënat e anëtarësisë së partisë dhe u shpreh se niveli arsimor i anëtarësisë së partisë ka ardhur në rritje nga viti në vit.

Pëllumbi  falenderoi edhe patronazhistët për zgjedhjet e 25 prillit, ku tha se ishin përkrahësit me ndikim në komunitet dhe përballuan një ngarkesë elektorale të madhe, si dhe ishin një nga faktorët kryesorë të fitores së PS.

'Po jap disa të dhëna për anëtarësinë e partisë. PS numëron mbi 112 mijë e 917 anëtarë. Anëtarësia e partisë ka regjistrime vet elektronik i cili është përmirësuar këto dy vite. Nga ky regjistër janë nxjerrë edhe të dhënat që po paraqesim. Në efektivin e partisë 30 mijë e 50 janë shoqe që përbëjnë 27.8% të anëtarësisë, nga 26.7 % që kishim vitin e kaluar, më shumë se në vitin 2019.

Niveli arsimor i anëtarësisë së partisë ka ardhur në rritje nga viti në vit. PS aktualisht ka 34.8% të anëtarësisë me arsim të lartë, nga 31% që kishte në fund të vitit 2019. Qarku i Tiranës ka përqindjen me të lartë, më pas Gjirokastra, Vlora, Durrësi, Elbasani dhe Fieri. Me arsim të mesëm janë 43.6% e anëtarësisë, nga 47% që zinin një vit më parë. Kemi 78.4% të anëtarësisë me arsim të lartë dhe të mesëm, në total.

Në lidhje me anëtarësimet e reja, mbetet si një nga detyrat më kryesore. Në kuadër të fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit funksionuan 5042 organizata, numri i tyre është shtuar. Organizata socialiste janë drejtuar nga dy bashkëkryetarë, një shoqe dhe një shokë. Implemetimi i kësaj risie pati vështirësitë e veta por procesi eci dhe deri në kongresin e partisë të 29 shkurtit ishin zgjedhur 2526 shoqe kryetare të OS, më shumë se gjysma. U punua mirë në shumë qarqe.

Patëm edhe disa vështirësi, sidomos edhe nga pandemia, që kërkuan veçori të punës së strukturave. Procesi pati vlerësim maksimal nga anëtarësia jonë. Përkrahësit me më ndikim në komunitete u ngarkuan me detyrën e patronazhistët, të cilët përbën bazën e piramidës së strukturës elektorale të partisë. Partonazhistët përballuan një super ngarkesë elektorale me të patronazhuarit, që ishte një nga faktorët kryesorë të fitores tonë. Veprimtaria e tyre mori vlerësimet maksimale nga kreu i partisë. Patëm edhe disa personalitete që spikatën në përballimin e vështirësive të vitit të kaluar.'- tha Pëllumbi.

Ora 18:08
Zgjedhjet brenda partisë, PS ngre komision për të analizuar 25 prillin, do të zhvillohet në tre faza

Partia Socialiste ka vendosur që të zhvillojë një analizë të procesit të zgjedhjeve të 25 prillit, që do të shërbejë për t'u përgatitur edhe për zgjedhjet lokale.

Në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste, u miratua vendimi për zhvillimin e analizës së rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021.

Analiza do të kalojë në tri faza përmes një komisionit të posaçëm, ndërkohë brenda fazës së parë do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste. Procesi do të nisë në 15 Qershor 2021 deri në 15 Janar 2022 në çdo nivel të partisë.

VENDIMI

Nr.2, datë, 02.06.2021

Për Zhvillimin e Analizës së Rezultateve në Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prillit 2021

Në zbatim të Statutit të Partisë, neni 37 “Detyrat e Asamblesë Kombëtare të Partisë”, Asambleja Kombëtare e Partisë,

V E N D O S I:

Në periudhën 15 Qershor 2021 – 15 Janar 2022 në strukturat vendore të partisë (OS, KSNjA, Bashki, Qark) do të zhvillohen analizat për rezultatet në Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prillit 2021.

Sipas Vendimit përkatës të Asamblesë Kombëtare do të ngrihet dhe funksionojë një Komision i Posacëm i Analizës për Rezultatin e Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit, i cili do të përcaktojë metodologjinë e procesit të analizës.

Mbledhjet dhe takimet për analizën e rezultateve zgjedhore do të zhvillohen sipas këtyre fazave:

Faza e parë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në OS të zhvillohen në periudhën 15 Qershor – 15 Nëntor 2021. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.

Faza e dytë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative (KS të NJA) të zhvillohen në periudhën 15 Nëntor- 15 Dhjetor 2021.

Faza e tretë: Analizat për rezultatet zgjedhore në AS të bashkive dhe shkallë qarku të zhvillohen në periudhën 15 Dhjetor 2021 – 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.

Komisioni i Posacëm i Analizës, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e partisë të bashkive të marrin masat organizative për përgatitjen në kohë dhe ndjekjen e analizave që do të zhvillohen në strukturat vendore të partisë.

Ora 17:53
Balla: Duhet të përmirësojmë përbërjen e strukturës sonë organizative! Do fillojmë fushatën më të madhe të hapjes që PS ka ndërmarrë ndonjëherë

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla e nisi me një urim për fitoren e mandatit të tretë fjalën e tij në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, që po zhvillohet online. Balla u shpreh se do të bëhet një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet, ndërsa theksoi nevojën, sipas tij, për përmirësimin e përbërjes së strukturës organizative të PS. Balla tha se  organizatat socialiste, jo në të gjithë territorin kishin efektivitetin e duhur sipas targetit të vendosur. Balla shtoi se Kongresi i Jashtëzakonshëm  do të mblidhet më 12 qershor, ndërsa theksoi se PS do të fillojë fushatën më të madhe të hapjes ndonjëherë.

"Ju shpreh një urim të gjithë Anëtarësisë, patronazhistëve dhe kontributorëve tanë në këtë fitore të mandati të tretë. Duhet të mos harrojmë se përmbyllëm një mandat të dytë më të vështirin në këto 30 vite për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Kemi të gjithë nderi e të qenit pjesë e kësaj skuadre fituese. Ne do bëjmë një analiza të plotë të rezultati të zgjedhjeve në 6 muajt e ardhshëm për çdo qark. Ne do të kishim 78 mandate nëse nuk do kishim humbur 4 mandate për shkak të votave të pavlefshme, megjithatë ky është një rezultat shumë i pastër dhe jemi në kohën e duhur për të filluar një analizë në çdo këshill socialist, në çdo bashki dhe qark. Nga kjo analizë ripërtëritje të fuqisë sonë organizative dhe të bëhemi gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të viti 2023 dhe ato parlamentare të viti 2025. Në të gjithë qarqet duhet të përmirësojmë përbërjen e strukturës sonë organizative dhe forcimin e organizatave tona socialiste të cilat jo në të gjithë territorin kishin efektivitetin e duhur sipas targetit të vendosur. Do të thërrasim Kongresin Jashtëzakonshëm për fillimin e një fushate të madh të hapje të PS, më të madhen dhe më realen që PS ka ndërmarrë duke i ofruar mundësi përfshirje të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e strukturave tona vendore. Do të ngremë një komision të posaçëm të analizës që do organizojë  hartojë një raport të plotë të këtij procesi analitik të strukturës së partisë. Përbërja e komisionit do të synojë mbulimin e të gjithë territorit të vendit. Më 12 qershor PS mbush 30 vjeç dhe është dita e duhur për të thirrur Kongresin tonë të Jashtëzakonshëm dhe do paraqesim vizionin "Shqipëria" 2030 si dhe angazhimet tona kryesore të programit qeverisës", th Balla.

Ora 13:10
Rama pasdite niset drejt Turqisë

Kryeministri Edi Rama do të niset pasditen e kësaj të mërkure në Turqi. AI do të mbajë fjalën hapëse në Asamblenë e PS që do të zhvillohet online dhe më pas do të niset drejt Turqisë. Nuk dihet ende arsyeja e kësaj vizite.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK