Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe analisti Faik Basha diskutuan në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, mbi formulën e re për pagat e magjistratëve, e cila u miratua mbrëmjen e djeshme në Kuvend me 84 vota pro.
Projektligji i PS parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë, ose sa 2% e pagës së Presidentit, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.
Muçi, pavarësisht se nuk u fut në çështjet teknike të formulës së re, tha se e gjithë dinamika e përplasjeve mes Ekzekutivit dhe Gjyqësorit gjatë muajve të fundit, është një formë presioni e ushtruar nga kryeministri Edi Rama kundër Drejtësisë.
“Ka një debat të gjatë nëse ky projektligj është në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por të gjithë dinamikën e ngritur gjatë muajve të fundit, unë e shoh si një presion nga ana e kryeministrit dhe pushtetit Ekzekutiv ndaj atij gjyqësor, për të thënë që ‘shiko se unë kam në dorë pagat tuaja’. Është një mekanizëm për të ushtruar një lloj presioni. Edhe vetë deputetët e PS dje në seancë pranuan se çështja do të shkojë sërish në Kushtetuese dhe Kushtetuesja do ta kthejë pas. Nuk mendoj se paga e magjistratëve ka kaluar pagën e Presidentit. Presidenti nuk është se kryen ndonjë lloj funksioni që të justifikojë pagën”, tha deputeti Redi Muçi.
Nga ana tjetër, analisti Faik Basha tha se problematika me pagat e magjistratëve ka nisur shumë më herët, kur Parlamenti vendosi rritjen e pagës së gjyqtarëve e prokurorëve shumë mbi nivelin e përgjithshëm të pagave në vend.
Basha theksoi se në disa nivele, pagat e magjistratëve janë më të larta edhe se paga e Presidentit të Republikës, i cili sipas tij duhet të jetë njeriu më i vlerësuar në bazë të hierarkisë shtetërore.
Duke iu përgjigjur pretendimit të Muçit, Basha tha se do të ishte presion nga Ekzekutivi mbi Gjyqësorin nëse pagat e magjistratëve do të ishin në nivelin e 900 eurove dhe do të pengohej rritja e tyre.
“Zanafilla e të gjithë problematikës ka ardhur shumë më herët, duke ndërhyrë parlamenti në sistemin e pagave dhe duke u dhënë magjistratëvë një pagë që nuk e kanë asnjë nga institucionet në Shqipëri. Madje paga e tyre, në një nga nivelet kalon edhe pagën e Presidentit të Republikës. Unë nuk mendoj se ky ka qenë një vendim i drejtë. Shqipëria nuk ka vetëm sistem gjyqësor, që të shkonte dhe të bënte këtë lloj diference për pagat në Shqipëri. Serioziteti i një vendi vjen kur respekton hierarkinë e tij. Ne kemi Presidentin e Republikës që duhet të jetë njeriu më i gabuar.
Prandaj ka ardhur edhe ky ngërç, sepse është menduar se do i jepet një mbështetje, duke parë magjistratët si njerëzit që do të shpëtonin vendin. Nuk janë vetëm gjyqtarët që duhen mbështetur dhe të shikohen si objekt që do bëjnë ndryshimin në Shqipëri, por çdo lloj strukture në këtë vend ka rëndësinë e vetë. Prandaj nuk besoj se është presion. Presion do të ishte nëse gjyqtarët apo prokurorët do të merrnin 900 apo 1 mijë euro dhe do të kishte një frenim të fortë për rritjen e pagave të tyre”, tha mes të tjerash Basha”, tha mes të tjerash Basha.
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.











Komente
Komento