PS miraton grupet e punës, ikën
Koço, në vend të tij Çuçi e Gjiknuri

PS miraton grupet e punës, ikën<br />Koço, në vend të tij Çuçi e Gjiknuri
Partia Socialiste ka sqaruar se kush do të jenë drejtuesit politikë të 12 qarqeve të vendit për betejën elektorale të vitit të ardhshëm, duke saktësuar se kush janë njerëzit e tij më të besuar të cilët me gjasë do të kryesojnë dhe listat elektorale të këtyre qarqeve.

Kryesia e Partisë Socialiste saktësoi dje 12 drejtuesit që zyrtarisht do të drejtojnë punët e partisë, deri në hapjen zyrtare të fushatës së vitit 2017, duke lënë të kuptohet se në varësi të performancës së tyre, mund të ketë lëvizje mes tyre. Kryeqyteti i është besuar Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ruan ende detyrën si kryetar i PS-së në Tiranë. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Gramoz Ruçi nuk do të lëvizë nga zona e tij e shkuar elektorale, të paktën në këtë fazë të procesit.

Ai do të jetë drejtues politik në qarkun Fier. Taulant Balla forcon pozitat e tij në Elbasan, duke u konfirmuar në qendër të qarkut, e me shumë gjasë do të kryesojë këtë listë që në vitin 2013 e drejtonte Ben Blushi, tashmë i larguar nga PS. Vangjush Dako është i vetmi kryebashkiak që do të jetë në krye të një qarku si drejtues politik. Ai është i pari i shtabit elektoral në Durrës, dhe e bën enigmatik faktin se kë ka menduar Edi Rama për të kryesuar listën në këtë zonë. Dako po ashtu është anëtar kryesie në PS.

Damian Gjiknuri, i cili bëri një punë të lavdërueshme nga partia e tij për zgjedhjet në Dibër, është dërguar në një terren të vështirë elektoral. Ai do të drejtojë ekipin në Vlorë, duke shmangur kështu Koço Kokëdhimën nga zona e tij e fundit e ekskluzivitetit. Po ashtu, është konfirmuar në krye të qarkut Gjirokastër, ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi.

Ky i fundit e kishte marrë këtë detyrë qysh kur Kokëdhima humbi mandatin e tij prej deputeti. Zëvendës kryeministri Niko Peleshi ka forcuar pozitat e tij Korçë, duke ruajtur peshën politike, pavarësisht ambicieve të dy deputetëve të tjerë të rëndësishëm që pretendonin të drejtonin këtë strukturë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati do të vijojë të drejtojë strukturat e PS-së, në vendlindjen e tij, në Shkodër, ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi do të drejtojë ekipin e punës në Berat.

Nuk ka asnjë surprizë sa i takon ministres së Arsimit, Lindita Nikolla e cila do të ruajë po ashtu detyrën e saj si koordinatore në Lezhë. Nuk ishte e pritshme detyra e besuar Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila nga delegimi i Lezhës, iku në Vlorë, e tani do të shkojë në Dibër. Po ashtu, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja do të jetë në një qark që nuk e bashkon tradita e angazhimeve të mëparshme të tij politike, në Kukës.
 
Të deleguarit sipas qarqeve:
Saimir Tahiri  Tiranë
Vangjush Dako Durrës
Taulant Balla Elbasan
Niko Peleshi Korçë
Damian Gjiknuri Vlorë
Bledi Çuçi Gjirokastër
Gramoz Ruçi Fier
Blendi Klosi Berat
Lindita Nikolla Lezhë
Ditmir Bushati Shkodër
Mimi Kodheli Dibër
Ilir Beqja Kukës


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi