Sali Berisha thotë se Edi Rama nuk e lejoi arrestimin e Belinda Ballukut me qëllim që të mbrojë vjedhjet e tij. Nga Prokuroria e Posaçme, ku u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, Berisha komentoi protestën e 22 marsit, duke thënë se do të jetë një betejë për rrugën europiane. Sipas kreut të PD, Rama për të mbrojtur vjedhjet e tij i mbylli Shqipërisë derën e Europës.

“22 marsi është një betejë për Europën, për rrugën evropiane. Është një betejë kundër një njeriu që për të mbrojtur vjedhjet e tij, iu mbylli shqiptarëve dyert e integrimit në BE. Këto dyer nuk mund t’i hapë askush, nuk mund t’i hapë asnjë vend, nuk mund t’i hapë asnjë institucion tjetër përveç qytetarëve shqiptarë, të cilët duhet të ngrihen fuqishëm në këtë betejë”, tha Berisha.

Berisha thotë se Rama nuk i ka mbyllur dosjet e tij ndonëse nuk e dorëzoi Belinda Ballukun.

“I them Edi Ramës mos mendo se ke mbyllur dosjen tënde. Kurrë! Dosja jote nuk mbyllet kurrë, as me një Lubi, as me 5 Lubi. Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton”, vijoi Berisha.  

I pyetur nëse do të bashkojnë votat me PS për ndryshimet e paralajmëruara, mes tyre edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për të penguar GJKKO të pezullojë ministrat nga detyra. 

"Ato janë ndryshime antikushtetuese dhe ne nuk bashkojmë kurrë asnjë votë me Edi Ramën. Kjo të jetë shumë e prerë", tha Berisha.