TIRANË, 23 Dhjetor/ATSH- I. Vata/-Ka përfunduar takimi mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës për arritjen e dialogut për miratimin e rezolutës së ndërmjetësuar nga eurodeputetet Eduard Kukan e Knur Fleckenstein.
Takimi i zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit ka zgjatur për disa orë dhe përfaqësuesit politike ende nuk kanë një zgjidhje. Nenkryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, përfaqësoni mazhorancën, ndërsa  opozita e përfaqësohej nga deputetet Genc Pollo dhe Oerd Bylykbashi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, pas takimit u shpreh për mediat se "Partia Demokratike ka kërkuar prej kohësh dekriminalizimin e Kuvendit dhe të administratës publike dhe ndryshime ligjore qe të drejtat e opozitës në Kuvend të mos të shkelen nga një pushtet arbitrar. Sot ne diskutuam për angazhimin që kanë marrë palët që këtë bazë parimesh ta kthejnë në një rezolutë. Me kolegët e mazhorancës ramë dakort të lemë edhe një afat që mund të jetë gjashtëmujor për të gjitha ndryshimet që mund të marrë Kuvendi që të përmbushi këto parime. Kemi rënë dakor edhe për disa pika të tjera, por mbeten një pjesë e çeshtjeve që kane nevojë për shtjellim të metejshmë dhe ne do të shikojmë ne vijimësi se ç'mund të bëhet".
"Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim", u shpreh Pollo.
Ndërsa nenkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulan Balla, tha për mediat se "pas dialogut me deputetët e PD-së ata kishin edhe kërkesave të tjera jashtë rezolutës së dy përfaqësuesve evropiane. Mazhoranca është gati ta miratojë rezolutën, ndërsa shtesat mbi këtë rezolutë bëhët pengesë dhe nuk sjellin asgjë të re".
Edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në prononcimin për mediat pas dialogut me deputetët e opozitës u shpreh se "Rezoluta e eurodeputeteve është e materializuar dhe ne jemi gati ta miratojmë. Por, deputetët e opozitës kanë pretendime shtesë duke kërkuar parime të reja. Ne jemi gati ta votojmë që nesër në Kuvend dhe e ftojmë opozitën të marrë pjesë". /a.ke/