Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur kundër ndryshimeve të propozuara nga maxhoranca në ligjin për rolin e Kuvendit në Porcesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë, ku mes të cilave theksohej që Këshilli Kombëtar i Integrimit të bashkëdrejtohej bashkë me opozitën.

Këshilli do të bashkëdrejtohet nga Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, të cilët janë edhe drejtuesit e Komitetit të Stabilizim Asociimit. Por sipas kreut të grupit demokrat, drejtimi i Këshillit i është lënë opozitës dhe me ndryshimet në ligj, maxhoranca kërkon që t’ua marrë edhe këtë hapësirë parlamentare.

“Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është forumi më i lartë këshillimor për procesin e anëtarësimit në BE. Ai u krijua në vitin 2015 sipas modelit kroat, jo si pronë e një partie, por për gjithëpërfshirje në proces, për rritje të transparencës, për komunikim me publikun, për afirmim të rolit të opozitës në proces. Për këtë arsye, që nga dita e parë, drejtimi i Këshillit i është lënë opozitës. Por sot, Edi Rama ka kërkuar t’ia marrë edhe këtë hapësirë parlamentare opozitës, duke kërkuar bashkëdrejtimin e Këshillit të Integrimit. “, shprehet Bardhi.

Nuk kursen akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, teksa thotë se nuk mjaftohet me qeverinë, Kuvendin dhe pushtetin lokal. Me ironi, më tej ai thotë se nuk është për t’u habitur nëse Rama mund të kërkojë që të bëjë edhe “punën e ambasadorit të BE-së në Tiranë.”

“Vetëm një i pangopur me pushtet mund të kërkojë të marrë nën kontroll edhe një organizëm parlamentar këshillimor. Të mos mjaftohesh as me qeverinë, as me Kuvendin, as me pushtetin lokal dhe as me kontrollin e të gjitha pushteteve në vend, është një obsesion i rrezikshëm i pushtetarit që ka gjithçka dhe nuk e kënaq më asgjë. Këshilli i Integrimit nuk u krijua për t’i shërbyer kryeministrit, por Shqipërisë të marrë zvarrë nga i njëjti kryeministër, që vonoi 15 vjet nisjen e negociatave të anëtarësimit  me Bashkimin Europian. Me obsesionin e etjes së pashuar për pushtet, mos u habisni kur Edi Rama të dojë të bëjë edhe punën e ambasadorit të BE-së në Tiranë!”, shton ai.

Bardhi e cilëson këtë si një regres në hapësirën dhe rolin që ka opozita në Kuvend dhe në procesin e integrimit.

"Për Grupin Parlamentar të PD ky është një regres i papranueshëm në hapësirën dhe rolin institucional që ka opozita në Kuvend dhe në procesin e integrimit. Procesi i integrimit europian duhet të mbetet gjithëpërfshirës dhe demokratik. Çdo përpjekje për ta kthyer në pronë personale është një hap prapa për vendin dhe nuk i shërben aspiratës së përbashkët për anëtarësim në BE.”, shprehet Bardhi.