TIRANE - Partia Socialiste ka reaguar mbi deklaratat e demokratëve se veprimet e INUK janë selektive duke u shprehur se nga këto aksione janë liruar rreth 98 mijë metra katrorë hapësirë publike, e cila sipas PS ishte shifra e abuzimit me territorin nën drejtimin e Lulzim Bashës.   

Në një deklaratë për mediat, deputetja Blerina Gjylameti theksoi se objektet e vetme të pashembura janë ato të legalizuara në mënyrë të jashtëligjshme nga kreu i bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha. Për këtë arsye, sipas Gjylametit është e papërballueshme kostoja e shpronësimit të tyre në rast të shembjeve të këtyre objekteve.

Në këtë kontekst, Gjylameti i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës, që akuzat e tyre për mos prishjen e këtyre objekteve t’i drejtojnë nga Basha, duke shtuar se është kompetencë e Bashkisë për të mos lejuar këto abuzime.
 
“Mjafton të shohësh bilancin e punës së INUK gjatë këtyre muajve për të kuptuar se ç’përmasa të turpshme kishte marrë abuzimi me hapësirën publike në Tiranë nën qeverisjen e  Lulzim Bashës. 98 000 metra katrorë hapësirë publike, kjo është shifra e abuzimit me territorin nën drejtimin e Lulzim Bashës.   Opozita akuzon për shembje selektive. Por e vërteta është krejt ndryshe. Në asnjë rast të vetëm nuk ka pasur shembje selektive dhe në asnjë rast të vetëm nuk është lënë pa shembur ndonjë objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Të vetmet ndërtime që nuk janë prishur në këtë fazë janë ato që janë legalizuar nga qeverisja e mëparshme, duke u dhënë shkelësve të ligjit tapi për hapësirat publike. Për këtë, opozita dhe Lulzim Basha duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve të Tiranës dhe të japin llogari për koston e papërballueshme financiare që prodhon shpronësimi i këtyre turpeve prej betoni. Në këtë pikë na lind e drejta t’i drejtojmë një pyetje opozitës: përse nuk i drejtoheni Kryetarit të Bashkisë së Tiranës me shqetësimet tuaja për ndërtimet e paligjshme që nuk janë shembur nga INUK? Kontrolli i territorit të kryeqytetit, moslejimi i ndërtimeve pa leje dhe shembja e tyre janë kompetencë e drejtpërdrejtë e Inspektoriatit të Bashkisë që drejton Lulzim Basha.” theksoi deputetja e PS

Duke vijuar më tej, Gjylameti akuzoi se duke lejuar këto abuzime, Basha po tregon se e ka lënë pas dore kryeqytetin, ndërsa shprehu vullnetin e mazhorancës për të rikthyer ligjshmërinë, sa i përket ndërtimeve pa leje dhe lirimit të hapësirave publike.

“Nuk është faji i INUK që Lulzim Basha e ka braktisur Bashkinë e Tiranës. Nuk është faji i INUK që vizioni i vetëm i Partisë Demokratike për zhvillimin e kryeqytetit janë ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirës publike. Ne jemi të vendosur të rikthejmë ligjshmërinë në çdo metër katror të kryeqytetit dhe të vendit, dhe t’u rikthejmë qytetarëve hapësirat, rrugët e trotuaret e zaptuara në mënyrë të paligjshme. Nëse Lulzim Basha e sheh ende veten si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, detyra e tij është t’i bashkohet këtij aksioni. Nëse është i paaftë, ose nuk dëshiron të përmbushë detyrimet e tij kundrejt ligjit dhe qytetarëve, atëherë le të japë dorëheqjen një orë e më parë.” përfundon Gjylameti.

Aksioni i INUK për prishjen e objekteve pa leje është kthyer tashmë në “mollën e sherit” mes mazhorancës dhe opozitës, me replika të ndërsjellta mes palëve. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)