Ministri i drejtësisë Toni Gogu, nga Korça ku zhvilloi një takim me juristët e qytetit u shpreh se Partia Socialiste nuk është tërhequr nga ndryshimet e procedurës penale përmes së cilave synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera kushtetuese.
“Partia Socialiste, shumica socialiste nuk është tërhequr nga asnjë deklarim publik që ne kemi bërë sa i takon fuqizimit të garancive proçeduriale të çdo procesi ligjor, pjesë e së cilës janë edhe ndryshimet në kodin e proçedurës penale. Ne do të fuqizojmë më tej garancitë proçeduriale të individit në çfarëdo lloj proçesi gjyqësor që ai është, administrativ, civil apo penal” tha Gogu
Kur u pyet për shtyrjen e zbatimit të amnistisë në burgje, Gogu tha se Shqipëria është në konsultim intensiv me Komisionin Europian për çdo legjislacion që kalon dhe diskutimi për të do të fillojë së shpejti në parlament
“Kemi bërë miratimin në qeveri, është në kuvend dhe në ditët në vijim do të fillojë diskutimi edhe në kuvend. Ajo çfarë ndodh, tashmë sa më afër jemi BE-së, aq më i shpeshtë dhe intensiv është konsultimi me Komisionin Europian të çdo copëze legjislacioni që Shqipëria kalon”
Në deklaratën e tij për mediat Gogu gjithashtu tha se ndihma juridike falas që tashmë ofrohet në Pogradec dhe Korçe do të fuqizohet më tej.
"Dëgjova disa qytetarë që kanë përfituar nga këto shërbime dhe kam kënaqësinë që të konstatoj se shërbimet janë aty për t'i dhënë qytetarëve më të mirën e tyre. Dëgjova nga ata dhe mënyrën se si mund t'i modernizojmë dhe fuqizojmë edhe më tej. Nuk ka zhvillim ekonomik pa drejtësi. Në momentin që ne nuk sigurojmë ekzekutim kontratash, do të thotë që kemi një mjedis biznesi ende të paqëndrueshëm. Dëgjova sot që shërbimi përmbarimor shtetëror ka arritur volumin e punës, që do të thotë që po ekzekutohen kontratat, vendime gjykatash. Do të ulem me të gjithë komunitetin ligjor të Korçës për të kuptuar më shumë se si drejtësia të jetë në shërbim të qytetarit” tha ai.
Komente











