Korçë - Një ditë pas sherrit të ndodhur mes disa të rinjve në Korçë, Policia ka arrestuar një 19-vjeçar. Sipas bluve gjatë konfliktit i riu goditi me thikë një 15-vjeçar. I mituri ndodhet në spital fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj 19-vjeçarit rëndojnë veprat “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta
Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohen edhe katër të tjerë, mes tyre një 18-vjeçar dhe 3 të mitur.
Si provë materiale blutë sekuestruan një automjet dhe një dru që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen nr. 2, Korçë, bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” si dhe referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit A. M., 18 vjeç dhe 3 shtetas të mitur, banues në Korçë (dy prej tyre 17 vjeç, tjetri 15 vjeç).
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Shtetasi A. P. dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës 15-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një send i fortë (dru) që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










