Fatos Çoçoli: Pse aplikimi në SEPA është moment historik?

Fatos Çoçoli: Pse aplikimi në SEPA është moment historik?

Me aplikimin e djeshëm, Shqipëria u bë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor, i cili aplikon për t’u bërë pjesë e Sistemit Unik Europian të Pagesave (SEPA)

Komisionet brenda në SEPA do të jenë me herë më të ulëta dhe transaksionet më të shpejta

Pagesat do të kryhen brenda pak sekondave online, kur deri sot kërkonin edhe një javë

Dje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, firmosi  aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të sistemit unik të pagesave në euro SEPA. Kjo përbën një ditë historike jo vetëm për sistemin financiar në vend, por për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Po pse? Të 27 Shtetet Anetare te Bashkimit Evropian kanë një sistem të tyre unik, të quajtur “Zona e Vetme Europiane e Pagesave (në anglisht, Single European Payment Area, ose SEPA)”. Ky sistem ka nisur funksionimin në vitin 2008 dhe është plotësuar në vitin 2016.

Çfarë ështe SEPA?

SEPA do të thotë Zonë e Vetme e Pagesave në Euro.
SEPA ka 36 vende anëtare.
Të 27 vendet anëtare të BE-së janë në SEPA.
Qytetarët me një llogari SEPA mund të bëjnë transferta në euro në të 36 vendet anëtare

Integrimi i pagesave, i realizuar nga SEPA, ka kontribuar në efiçiencën e pagesave të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe ka përmirësuar konkurrencën e ekonomisë evropiane në tërësi.

Gjatë të 16 viteve të funksionimit të tij, sistemi i pagesave SEPA u ka dhënë qytetarëve të Bashkimit Evropian me qindra milionë euro përfitim, në tarifa më të ulura të pagesave ndërkufitare.

Çfarë përfitojmë ne nga SEPA?

Si pjesë e Planit të Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian, që të bëhet pjesë e SEPA-s, e sistemit unik evropian të pagesave.

SEPA ka eliminuar praktikisht dallimet midis pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare. Këto të fundit, përpara vitit 2008 ishin disa herë më të larta se pagesat brenda një shteti të BE-së.

Me aplikimin e djeshëm, Shqipëria u bë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor, i cili aplikon për t’u bërë pjesë e Sistemit Unik Europian të Pagesave (SEPA). Kjo erdhi, falë harmonizimit të plotë të kuadrit rregullator nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Ky përparim është evidentuar nga një raport i Bankës Botërore, ku cilësohet se vendi ynë ka plotësuar të nëntë kriteret e nevojshme për t’u futur në SEPA.

Përfitimet nga SEPA

Transferta të eurove në Evropë më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira
Jo vetëm për individët, por edhe për bizneset.
SEPA i bën transfertat ndërkombëtare në Evropë po aq të thjeshta sa ato të brendshme
Vendos të njëjtat standarde për të gjitha vendet anëtare, duke eliminuar kostot dhe vonesat kohore e burokratike për transfertat ndërkombëtare.

Kuadri ligjor për SEPA-n, të cilin Banka Qendrore Evropiane ndihmoi për të hartuar, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, bazohet në ligje-direktiva të BE-së, si Rregullorja e Pagesave Ndërkufitare, Direktiva e Shërbimeve të Pagesave (PSD/PSD2), Rregullorja e Datës së Fundit të Migrimit në SEPA dhe Rregullorja e Tarifave të Shkëmbimit.

Falë këtij sistemi të vetëm të pagesave, qytetarët tanë mund të bëjnë pagesa në euro pa para, nëpërmjet transferimit të kartës së kredisë apo debisë në euro që kanë, kudo në Bashkimin Evropian, njëlloj sikur të ishin në vendin e tyre. 

Pagesat kryhen në SEPA brenda ditës, po të jenë online dhe deri në dy ditë pune, po të jenë me urdhër fizik pagese, pavarësisht se ku je në Bashkimin Evropian.

20 milionë euro fitim nga SEPA vetëm në vitin e parë?

Kosto e këtyre pagesave është shumë e vogël, me tarifa që shkojnë nga 1-2 euro për shuma të vogla deri në 500 euro, si dhe tarifa maksimumi 10-20 euro për shuma mbi 10 mijë euro.

Si i ul SEPA kostot

Transfertë e sotme bankare në Berlin ose nga Berlini në Shqipëri
Nën 500 euro                                    6-7 euro
500-5,000 euro                                 24-27 euro
5,000-20,000 euro                           85-140 euro

Transfertë bankare SEPA në Berlin ose nga Berlini në Shqipëri

Nën 500 euro                                    1-2 euro
500-5,000 euro                                 6-8 euro
5,000-20,000 euro                           25-35 euro

Guvernatori i Bankës Shqipërisë ka theksuar se përfitimet e të qenurit pjesë e këtij sistemi janë të shumta për individët, bizneset, por dhe turizmin. Banka jonë qendrore punoi fort, që nga viti 2021, për të arritur afatet e aplikimit.

Si e ul SEPA kohën

Transfertë bankare e sotme nga Shqipëria për në BE dhe anasjelltas
Nën 500 euro                                    1-3 ditë pune
500-5,000 euro                                 1-5 ditë pune
5,000-20,000 euro                           2-7 ditë pune
Transfertë bankare SEPA nga Shqipëria për në BE dhe anasjelltas
Nën 500 euro                    në 24 orë nëse transfertë fizike, në pak sekonda online
500-5,000 euro                 në 24 orë nëse transferte fizike, në pak sekonda online
5,000-20,000 euro           1-2 ditë pune nëse transfertë fizike, në pak orë online

Në dy-tre muaj pas aplikimit, shpresohet që qytetarët tanë do të jenë pjesë e Sistemit të Unifikuar Evropian të Pagesave. Kjo përfaqëson një përfitim mjaft të madh për individët, bizneset dhe emigrantët. Po ashtu, edhe për turistët.

Kjo, pasi komisionet brenda në SEPA do të jenë me herë më të ulëta dhe transaksionet më të shpejta. Brenda një dite pune do të vijë çdo transfertë nga seicili vend anëtar i SEPA-s, ndërsa deri tani kërkohej edhe një javë kohë.

Bizneset do të përfitojnë, importuesit dhe eksportuesit do të përfitojnë, por edhe qytetarët. Përfituesit e parë më të mëdhenj do të jenë emigrantët që sjellin para në Shqipëri në familjet e tyre këtu.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ngritja e sistemit ndërbankar në vend, për transfertat në euro, që nga viti 2022, u kurseu qytetarëve rreth 47 milionë euro. Me integrimin në Zonën Unike Evropiane të Pagesave, kursimet do të rriten në disa herë. Vetëm për vitin e parë, pra për këtë vit, mund të kemi rreth 20 milion euro kursime nga ulja e komisioneve si në tabelën 3, duke përfshirë individët dhe bizneset.

Në vitet e tjera që vijnë, shifrat e kursimeve do të jenë akoma më të mëdha. Futja e Shqipërisë në SEPA do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë sonë, në rritjen e përfshirjes financiare, në modernizimin e pagesave dhe paralelisht në edukimin financiar, që banka jonë qendrore e ka projekt madhor.

Puna disavjeçare e Bankës së Shqipërisë për integrimin në SEPA pritet të finalizohet me implementimin e një sistemi të shpejtë pagesash (në anglisht, “Instant payments”), që do u mundësojë të gjithë qytetarëve dhe sipërmarrësve të transferojnë para në kohë reale.

Sistemi do të nxisë më tej konkurrencën mes institucioneve bankare dhe jo-banka, duke ulur kostot dhe rritur cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Futja në SEPA për ne do të ishte një arritje dhe hap shumë i madh për të modernizuar edhe më tej sistemet e pagesave tona, për të qenë në përputhje totale me sistemet moderne të Bashkimit Europian. Në arritjen e kësaj faze, vendi ynë nuk do të ketë asnjë ndryshim me sistemet moderne të pagesave që përdor, në krahasim me vendet evropiane anëtare të Bashkimit Evropian.

Përse aplikimi për në SEPA përbën një arritje dhe moment historik

Anëtarësimi në SEPA është bërë tashmë prioritet kombëtar për ne. Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda vendeve të Bashkimit Evropian.

Zbatimi me sukses i këtij sistemi, do të na krijojë kushtet për integrimin tonë në sistemin evropian TIPS, por mund të shërbejë edhe si një zgjidhje dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. SEPA i jep mundësi vendeve anëtare të realizojnë pagesa në euro, transferta,  kreditim dhe debitim direkt, ashtu si pagesat kombëtare, duke eliminuar diferencat mes pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare, si dhe duke harmonizuar standardet dhe kushtet e funksionimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për rajonin, si reduktimi i kostove të tregtisë, ulja e kostove të transfertave bankare, reduktimi i cash-it në ekonomi, duke i bërë pagesat elektronike më të thjeshta dhe më të lira, si edhe duke stimuluar njëkohësisht përfshirjen financiare dhe aksesin në financë për qytetarët e vendeve tona.

Në fjalën e tij në Ministerialin ''Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro”, zhvilluar në Tiranë më 29 shkurt 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko theksoi se”Falë pjesëmarrjes së vendeve tona në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur ndryshe si SEPA, po vendosim themele të sigurta për përshpejtimin e shkëmbimeve në planin ekonomik, me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian na ka ofruar mundësinë historike për të hyrë në tregun evropian shumë para ardhjes së momentit final të anëtarësimit të plotë në të, ndaj duhet të përfitojmë maksimalisht nga kjo mundësi”.

Banka e Shqipërisë e sheh SEPA-n si katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e BE-së. Nga këndvështrimi i një banke qendrore, një sistem pagesash bashkëkohor, konkurrues dhe i besueshëm kontribuon në arritjen e një tregu të pagesave më efektiv dhe më produktiv, duke sjellë përfitime për të gjithë popullatën.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot