Pse Berisha dhe Meta, kërkojnë me doemos largimin e Edi Ramës?

Pse Berisha dhe Meta, kërkojnë me doemos largimin e Edi Ramës?

Për kryetarin “Liridashës” Ilir Meta, kryeministri Edi Rama është një “armik i Lirisë”. Në gjurmët e binjakut të vetë politik, Berishës, edhe Meta vijon ta përdorë termin “armik” si një metodë e re në gjuhën e politikës shqiptare për të krijuar ndasi ekstreme midis kryeministrit Rama me ata që qoftë edhe me të drejtën e tyre nuk e duan atë për kryeministër.

Por në realitet Ilir Meta nuk e ka në ligjëratë të drejtë termin “armik” për Edi Ramës, në raport me lirinë, si nocion i mungesës së lirisë së fjalës dhe të veprimit. Faktikisht ai e ka në raport me emrin e partisë së re që ai ka riemërtuar, pra “armik i Partisë së Lirisë”. Se po të ishte për liri fjale e veprimi, njerëzit i kanë pasur me pashë këto 9 vite të qeverisjes së tij.

Për të kuptuar hipokrizinë e “fjalorit Metist” për lirinë dhe të qenit armik i saj, mjafton që të kthehemi paksa në kohë, në janarin e vitit 2011, ku Meta ishte zëvendës i Berishës në qeveri dhe ku nën përgjegjësinë e të dyve ndodhi një ngjarje shumë e rëndë që cenonte drejtpërdrejt Lirinë dhe Ligjshmërinë, për të cilat bëhet merak sot Ilir Meta.

Më 21 janar 2011 u zhvillua një demonstratë nga opozita socialiste dhe shkaku ishte qeveritari Ilir Meta që u kap me bllok në dorë nga kamera e ministrit të tij, të ndjerit Dritan Prifti. Më 21 janar u vranë 4 demonstrues tepër paqësorë, por shkaku nuk ishte Ilir Meta. Arsyeja e vërtetë ishte sepse kryeministri i kohës, Sali Berisha, donte t’i jepte një mesazh të qartë opozitës që të mos guxonte më t’i vinte poshtë ndërtesës së kryeministrisë, përndryshe e priste veç plumbi.

Dhe, çfarë bëri “miku” i “Lirisë, Ligjshmërisë e Rinisë”, Ilir Meta? Jo vetëm që nuk pati ndonjë tronditje të fortë nga ajo ngjarje, e denjë për ta prishur koalicionin me Berishën dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme si një akt moral po edhe politik, por vijoi më tej koalicionin dhe pas 3 muajsh mbështeti me votat e partisë së tij ministrin e Brendshëm të 21 janarit, për të rrëmbyer bashkërisht drejtimin e bashkisë së Tiranës.

Këto janë ngjarje dramatike që e sprovojnë drejtpërdrejtë një politikan, sepse në kohë politikisht të qeta, të gjithë janë të zotë për të bërë demagogji si engjëj të demokracisë.

Po le të vijmë në aktualitetin e sotëm ku Ilir Meta, po edhe Sali Berisha, kërkojnë “ikjen pa kthim” të kryeministrit Rama.

Pra ata kërkojnë thjesht ikjen Ramës si kryeministër, por jo të PS-së nga pushteti. Sepse ikja e Ramës nuk do të thotë që Partia Socialiste nuk qeveris më vendin. Fare thjesht, po iku Rama, do mblidhet grupi parlamentar socialist dhe do zgjedhë një kryeministër tjetër.

Megjithatë, më bën çudi se përse dyshja Berisha - Meta nuk e duan përballjen elektorale me Ramën, por me dikë tjetër. Kjo në gjuhën politike tregon panikun e tyre nga personaliteti i Ramës. Fitoret që ata ëndërrojnë duhet t’u shijojnë kur të mundin në zgjedhje Edi Ramën, dhe jo ndonjë personazh tjetër nga mazhoranca.

Edhe në vitin 2013, kënaqësia politike e Edi Ramës ishte të mposhte në zgjedhje Sali Berishën, e jo ndonjë personazh grotesk të tijin, sepse këto lloj fitoresh nguliten në histori.

Gjatë viteve 2005 - 2013, Sali Berisha ishte një kryeministër i fortë, që kishte kontroll absolut mbi gjithçka të shtetit, përfshi drejtësinë në të dyja drejtimet: akuzën dhe gjyqësorin. E megjithatë u mund.

U mund sepse lideri i opozitës, Edi Rama, nuk u tregua qurrash për të bërë të vobektin politik, bile arriti deri aty saqë nuk denjoi të dërgojë përfaqësues në KQZ sepse i mjaftonte vota e popullit për të mundur çdo vendimmarrje militante të KQZ-së së asaj kohe.

Natyrisht, bëri koalicion paraelektoral me Ilir Metën, një parti që zotëronte një pjesë të elektoratit të majtë, duke kapërdirë edhe shumë kritika të drejta ndaj tij, për një qëllim madhor: Rrëzimin e të keqes Sali Berisha dhe partisë së tij, nga pushteti.

A është sot Edi Rama një e keqe për partitë e Metës e të Berishës? Sigurisht që po! Që nga momenti që ata e cilësojnë Ramën jo si kundërshtar po si armik, kjo çështje nuk do shumë analizë.

Atë që bëri Rama me Metën në vitin 2013, ku lidhën koalicion për të rrëzuar Berishën, tashmë do kemi rast ta shohim me aleancën Berisha - Meta, për të “rrëzuar” Ramën.

Do kemi kureshtje ta shohim se si do ngjizet kjo aleancë dhe sa sukses do të ketë. Por, edhe nëse në mënyrë hipotetike do të ketë sukses, historia do jua njohë meritën nëse mundin drejtpërdrejt Edi Ramën, e jo ndonjë figurë tjetër në vend të tij.

Kësisoj, ata nuk duhet të kërkojnë më largimin e kryeministrit Rama, por qëndrimin e tij në detyrë për ta mundur në zgjedhje. Nëse vijojnë të fokusohen veç tek emri i tij, na tregojnë, direkt dhe indirekt, se Edi Ramën e kanë pengesë të pakapërcyeshme për të arritur synimet e tyre të mbrapshta.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi