Pse Berisha u shpall 'non grata' dhe nga kandidatët e tij për Bashkinë e Tiranës?!

Pse Berisha u shpall 'non grata' dhe nga kandidatët e tij për Bashkinë e Tiranës?!

Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi, Gerti Bogdani dhe Sali Berisha

Kur Lulzim Basha në garën e tij për kreun e bashkisë së Tiranës përballë Edi Ramës në maj të vitit 2011 la pas ‘dere’ Sali Berishën dhe nuk e lejoi të përzihej në fushatë, shumëkush e quajti këtë masë të tillë drastike, një vlerë për kandidatin demokrat.

Për hir të së vërtetës kjo ishte një kërkesë e grupit të ekspertëve të kompanisë së huaj që kishte pajtuar PD për fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të atij viti, me qëllimin e vetëm dhënien e mesazhit se tashmë një “epokë e re” për formatohej tek e djathta dhe “ylli në ngjitje” i kësaj politike ishte Lulzim Basha.

Madje dhe ambasadori amerikan i asaj kohe Aleksandër Arvizu pikërisht kësaj “përmbysjeje” në PD iu referuar teksa la atë shprehjen lapidare për Lulzim Bashën si “ylli në ngjitje në qiellin e politikës shqiptare”. Pa harruar këtu dhe “përveshjen e mëngëve” prej tij, një simbolikë kjo për numërimin rraskapitës të votave në njësinë më të madhe në kryeqytet, njësinë 5 që ishte bllokuar.

Mazhoranca e djathtë ishte në koalicion me kreun e LSI të asaj kohe, ish presidentin Ilir Meta, tashmë kryetar i Partisë së Lirisë, sikurse është dhe sot pas nënshkrimit të marrëveshjes për të dalë bashkë në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm.

Me të vetmin ndryshim, se në atë kohë ishte në një koalicion qeverisës, ndërsa sot është në një koalicion në opozitë, madje në një grupim opozitar të shpartalluar për shkak të krizës së thellë të lidershipit që vijon të dominojë partinë më të madhe opozitare, PD, dhe sot e kësaj dite.

Praktikisht PD-në zyrtare e ka nën posedim grupi i mbështetësve të Lulzim Bashës, ish kryetarit të dëbuar të PD, i kryesuar nga Enkelejd Alibeaj, të cilët e kanë deklaruar qëllimin e tyre hapur për të qënë me kandidatët e vet në zgjedhje. Pasi dështuan negociatat për bashkimin e partisë.

Ndërsa grupi tjetër që përbën dhe shumicën në PD, “Rithemelimi” i drejtuar nga Sali Berisha, i cili pas 9 vitesh në prapaskenë ku luante fijet e drejtimit të PD me kryetar Bashën, pasi u shpall “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë dhe u përjashtua nga grupi dhe vetë PD më pas prej Bashës, u rikthye përmes foltoreve, dhunës ndaj selisë së PD dhe me mbështetjen dhe të Metës, kujtojmë zgjedhjet e 6 marsit, po tenton të uzurpojë tërë partinë. Pra praktikisht kemi dy PD në “skenë”.

Për të mos harruar, ia vlen të kujtojmë se në koalicionin e djathtë në atë kohë përpos LSI ishte dhe Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga i ndjeri Hysni Milloshi, 1400 votat në kryeqytet të të cilit i vlejtën kandidatit të atëhershëm të PD për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.

Pra, meqë jemi te fushata e atëhershme e Bashës, ia vlen të nënvizojmë se Sali Berisha si kryetar i PD dhe kryeministër i vendit, “shkeli” disa herë në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke bërë fushatë në favor të kandidatëve të koalicionit të tij për kryetar bashkie apo këshilltarët bashkiakë, ndërsa në Tiranë nuk zhvilloi asnjë takim.

Vinte thjeshtë për të fjetur apo për të hyrë në zyrën e kryeministrisë e për ndonjë mbledhje qeverie, atëherë kur i mërzitej vila e tij në Gjrin e Lalzit, ku shpesh shkonte dhe për të zhvilluar ndonjë bisedë ‘tet a tet’ me aleatin Ilir Meta, për ta shpëtuar nga përballja me drejtësinë, apo për të ndarë paratë e fituara në mënyrë abuzive apo ‘zonat e influencës’ në sektorët ku kishte lekë.

Basha, teksa ishte nën trysninë e masakrës së bërë nga Garda e Republikës me urdhër të Berishës kryeministër ndaj opozitës më 21 janar 2011 duke vrarë 4 demonstrues të pafajshëm, por dhe nga njëfarë izolimi që kishte filluar nga partnerët ndërkombëtarë ndaj Berishës kryeministër, i cili kishte dalë nga “binarët” dhe fliste përçart për grushte shteti më 21 janar, teori konspirative duke implikuar kryetarin e opozitës së atëhershme Edi Rama po e po, por dhe presidentin e Republikës në atë kohë Bamir Topi dhe Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, epitetet ndaj të cilëve “horr bulevardi” e “lavire bulevardi” vijojnë të bëjnë xhiron e botës nëpër rrjetet sociale, u përqëndrua në takime e vogla dhe në asnjë rast nuk e përmendi Berishën, jo më që ta kishte krah në fushatë. Madje as në mbylljen e fushatës në Tiranë nuk e lejoi që ta kishte në përkrah. Ishte një udhëzim i prerë i kompanisë së huaj që drejtonte fushatën ky për të mbajtur larg kreun e PD të asaj kohe.

Rezultati i atyre zgjedhjeve të majit 2011 dihet. Pasi “pasaportizoi” në Tiranë gati gjysmën e Shqipërisë, ku në një garazh “jetonin” deri në 8 familje, duke sjellë në këtë mënyrë boshatisjen e bashkive që ishin bastion i PD dhe që në zgjedhjet vendore 2011 kaluan tek socialistët, pasi solli në Tiranë të gjithë shtetasit kosovarë që kishin marrë shtetësinë shqiptare, për të votuar PD-në, megjithatë s’mundi që të fitonte ndaj Edi Ramës.

Diferencën e ‘katandisën’ në 10 vota në favor të Ramës, të cilit përmes makinacioneve të KQZ të drejtuar nga Ristani, ia vodhën mandatin e katërt të kryebashkiakut të kryeqytetit në tavolinë. Pra në fund të herës, sado që e shmangu në fushatë Basha, ishte pikërisht “babai” Berisha ai që u involvua për t’i dhënë “fitoren” atij.

Por teksa pamë një natë më parë përballjen e parë publike në një nga mediat më të shikuara shqiptare të Belind Këlliçit, Ilir Alimehmetit dhe Gerti Bogdanit, tre kandidatëve për primaret e Berishës, nga të cilat do të dalë dhe kandidati i vetëm nga “Rithemelimi” plus partinë e Lirisë së Metës si dhe disa parti të vogla aleate rrotull, u vu re e njëjta skemë si ajo që kompania e huaj e pajtuar për fushatën për kreun e bashkisë së Tiranës, kishte aplikuar për garën e Bashës më 2011.

Asnjëri nga kandidatët në deklaratat e tyre hyrëse për debatin dhe më tej gjatë tërë emisionit nuk e përmendi në asnjë fjali kreun e “Rithemelimit” Berisha. Pikërisht njeriun i cili dominon këtë grupim politik dhe ka ndikimin e vet absolut për të orientuar votuesit e primarëve se cilin kandidat të votojnë, për ta vënë më pas më 14 maj përballë kandidatit socialist Erion Veliaj.

Madje dhe kur u pyetën nga moderatori e gazetarët e ftuar në panel, të tre kandidatët për primaret për të zgjedhur kandidatin e vetëm për të garuar për kreun e bashkisë së Tiranës, e shmangën me lezet përmendjen e emrit të Berishës.

Shmangie që e bënë duke e shoqëruar me fjalët se nuk janë zgjedhje politike për Parlamentin dhe qeverisjen qëndrore, por janë thjeshtë zgjedhje vendore. Dhe për këtë arsye kandidati do të jetë njëri prej tyre dhe jo Sali Berisha. I cili për hir të së vërtetës tashmë e ka ngritur dhe “stekën” e pretendimeve, duke deklaruar se do të jetë kryeministri i vendit, nëse opozita e drejtuar prej tij dhe aleati Ilir Meta bën të pamundurën, dhe fiton në zgjedhjet e vitit 2025.

Jo se e beson njeri ndër shqiptarë se Berisha do të jetë pa ndikim tek kandidatët apo dhe ndonjë kryetar bashkie që mund të fitojë në zgjedhjet e 14 majit në emër të koalicionit të drejtuar nga Berisha dhe Meta. Ndikimi do të jetë “non stop” pasi Berisha nuk e koncepton dot dominimin e “Rithemelimit” ndryshe, madje nuk di të drejtojë ndryshe, përpos me dorë të hekurt e imponim.
Për këtë janë koshientë jo vetëm te grupimi i “Rithemelimit”, jo vetëm tek koalicioni i formatuar pas nënshkrimit të paktit me Metën, por dhe të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë qofshin.

Por ajo që vëmë re është fakti se tre kandidatët për primaret e “Rithemelimit” për zgjedhjen e kandidatit të vetëm që do të garojë për kreun e bashkisë së Tiranës, është se Sali Berishën e konsiderojnë si “barrë të rëndë” dhe një “gjyle nëpër këmbë” në fushatën e tyre si brenda këtij grupimi politik ashtu dhe në kryeqytet, përballë përfaqësuesit të PS, kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. I cili u konfirmua sërish nga Rama një natë më parë si përfaqësues i PS që do të rigarojë për kreun e bashkisë së kryeqytetit. Këlliçi, Alimehmeti dhe Bogdani nuk i përmendin as emrin Sali Berishës, jo më ta cilësojnë si mbështetje në fushatën elektorale.

Për hir të së vërtetës, Berisha është barrë e rëndë jo vetëm për kandidatët e primareve të tij në bashkinë e Tiranës, por në të gjitha bashkitë e vendit dhe për më tepër për të gjithë PD, opozitën dhe të djathtët shqiptarë. Të cilët e kanë pengesën kryesore për të marrë një rezultat dinjitoz në zgjedhjet e 14 majit, pavarësisht se janë tre mandate në opozitë në pushtetin qëndror, e nuk kanë asnjë qasje në pushtetin vendor, pas bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

E themi këtë sepse pas shpalljes “non grata” familjarisht nga SHBA dhe Britania e madhe, janë dhe vendet anëtare të BE, grupimi i djathtë politik europian, Partitë Popullore Europiane, si dhe e gjithë bota demokratike, e cila e trajton Berishën si person “non grata”. Ndonëse nuk e kanë shpallur zyrtarisht si të tillë, por e kanë izoluar në atë farë feje sa as dorën nuk i japin. Ndërkohë që nuk lëviz dot jashtë 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë, sepse është i padëshirueshëm dhe në vendet e rajonit. Ia kanë ndaluar njëherë hyrjen në Kosovë kur ishte në opozitën e parë, mund t’ia bëjnë përsëri nëse del nga territori shqiptar. Kësaj i trembet Berisha që nuk e provon.

Pikërisht izolimi total i Berishës e për pasojë dhe i PD, e detyron cilindo kandidat të grupit të tij “Rithemelimi” që fiton primaret, të jetë në një dizavantazh të thellë ndaj kandidatit të PS, Erion Veliaj. Prandaj si punë të parë tre kandidatët e primareve për zgjedhjen e kandidatit të vetëm për të garuar për kreun e bashkisë së Tiranës, ata kanë nisur të mos përmendin emrin e kryetarit të grupimit të tyre, me shpresën për të bindur qytetarët se do jenë ata kryeqeverisësit e kryeqytetit dhe aspak Sali Berisha.

Një utopi kjo, pasi dhe në rastin ‘Basha’ më 2011, ishte “dinozauri” Berisha ai që zbatoi skenarin e vjedhjes së votës, dhe kur diferenca në fund të herës ishte 10 vota në favor të Ramës, “shpiku” leximin e votave të pavlefshme të hedhura në kutitë e tjera për kandidatin për kryetar bashkie, të cilët si për habi rezultuan “shumica abosolute” për Bashën, duke ia dhënë fitoren në tavolinë atij.

Në të njejtën kohë mospërmendja e emrit të Berishës, dhe në fushatën e primareve për zgjedhjet e 14 majit, kur kanë nevojë më shumë për mbështetjen e tij për të qënë kandidati i vetëm, nga tre emrat e parë zyrtarë nga të cilët do të dalë kandidati kryesor i koalicionit Berisha-Meta për të qënë përballë Veliajt më 14 maj, është një paralajmërim se Berisha do të qëndrojë larg fushatës në kryeqytet. Me idenë për të mos trembur votuesin gri, pasi kryeqyteti ka mbledhur dhe elitën e kombit, është më i sofistikuar, më i ftilluar me një fjalë dhe më i pavarur në vendimin e tij se kujt do t’ia hedhë votën. Eshtë shumë përzgjedhur dhe tepër i ftohtë në gjykim.

Dhe, mesazhi që përcjellin tek votuesit shqiptarë tre kandidatët e primareve të “Rithemelimit” me mospërmendjen e emrit të Berishës dhe në një debat televiziv ku kanë argumentuar arsyet e hyrjes në këtë garë brenda grupimit politik, është se dhe ata si SHBA, Britania, BE, PPE-të dhe tërë bota demokratike e konsiderojnë Berishën një “non grata”.

Pra dhe “Rithemelimi” Berishën e konsideron një “barrë” për të djathtët, për garën e tyre e duhet dyfish përpjekje për të bindur qytetarët për të pamundurën: që Berisha nuk është një barrë dhe për shqiptarët si person “non grata”, i abandonuar nga SHBA e Perëndimi, aleatët tanë strategjikë për të cilët Shqipëria ka aq shumë nevojë, dhe që me Berishën as që mendohet të afrohen.

Ajo që mund të themi është se fushata e kandidatëve të koalicionit të drejtuar nga Berisha dhe Meta ka filluar me zbardhjen e një fakti të madh para shqiptarëve, nga vetë ata që garojnë në emër të këtij koalicioni, se Berisha konsiderohet e trajtohet dhe brenda grupimit të tij politik si një person “non grata”. Ndonëse nuk e thonë me zë të lartë. Pjesa tjetër se përse kandidojnë pikërisht në emër të grupimitt të drejtuar nga Berisha tek PD, është thjeshtë një kalkulim politik personal i tyre. Por që shqiptarët dinë ta lexojnë mirë.

Ndaj dhe në të gjitha sondazhet, kandidatët socialistë për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë, të drejtuar nga Rama, rezultojnë gjithnjë fitues. Anipse PS ka shumë vite në pushtet. Berisha ta krijon këtë “luks” politik. Ndonëse Rama nuk neglizhon asgjë, nuk lë asgjë në dorë të momentit, teksa ka filluar takimet me qytetarët cep më cep Shqipërisë. Ndërsa opozita po merret ende me rëndësinë që ka zbatimi i “statutit”.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar