A keni vënë re ndonjë ndryshim të papritur në kujtesë te vetja apo tek një i afërm? A po harrohen emra, ngjarje ose detyra të thjeshta të përditshme? A keni menduar ndonjëherë nëse këto janë thjesht shenja lodhjeje, apo mund të tregojnë diçka më serioze, si demenca? Çfarë e shkakton këtë sëmundje dhe cilat janë shenjat e para që nuk duhet t’i injorojmë? Dhe më e rëndësishmja: a mund të ndërhyjmë për ta ngadalësuar? Në lidhje me këtë problematikë kaq delikate, e cila po rritet me ritme shqetësuese në mbarë botën dhe po prek gjithnjë e më shumë familje, u diskutua në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja.

“Demenca është një nga çrregullimet më të përhapura të shëndetit mendor tek të moshuarit, e cila shfaqet si humbje graduale e funksioneve mendore. Ajo prek aftësinë për të menduar, për të mbajtur mend, për t’u përqendruar dhe për të kryer veprime të përditshme. Me kalimin e kohës, pacienti humbet orientimin, ka vështirësi në të folur, ndryshime të papritura humori, çrregullime gjumi dhe vështirësi në kujdesin për veten. Demenca ndodh si pasojë e dëmtimit të qelizave të trurit, të cilat vdesin në mënyrë progresive, duke prishur ekuilibrin e funksioneve mendore”, thekson Merja.

Simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje janë: Harrohen emrat e të afërmve, ngatërrohen emrat e vendeve dhe ngjarjeve; harrohet çfarë është bërë para pak minutash; nuk mbahet mend vendi ku janë lënë sendet; humbje e orientimit në kohë dhe hapësirë; vështirësi në të folur dhe në vendimmarrje: ndryshime të humorit, agresivitet, depresion; çrregullime të gjumit, stres; humbje e aftësisë për t’i shërbyer vetes.

Format kryesore të demencës

1. Sëmundja e Alzheimerit – përfshin 60–70% e rasteve

Alzheimeri është forma më e shpeshtë e demencës. Ajo shkakton rënie të vazhdueshme të kujtesës, të aftësisë për të menduar, mësuar dhe organizuar. Në tru formohen pllaka proteinike beta-amiloide dhe fije proteinike tau, të cilat dëmtojnë qelizat nervore dhe ndërpresin komunikimin midis tyre. Një gjen i rëndësishëm që rrit riskun është Apolipoproteina E4 (APOE). Shenjat fillestare përfshijnë harresa të emrave, punëve, ngjarjeve dhe vështirësi apo vonesë në të folur.

2. Demenca vaskulare – prek 15–20%

Kjo formë vjen si pasojë e furnizimit të dobët të trurit me gjak dhe oksigjen. Dëmtimet e vazhdueshme në enët e gjakut të trurit lidhen shpesh me hipertensionin, diabetin, kolesterolin e lartë dhe duhanin. Pacientët paraqesin vështirësi në zgjidhjen e problemeve, ngadalësim të proceseve mendore dhe ulje të mprehtësisë intelektuale.

3. Demenca me trupëzat Lewy – prek 10–15% të rasteve

Shkaktohet nga grumbullimi i proteinës alfa-synuclein në tru. Simptomat përfshijnë haluçinacione, ëndrra të çrregullta, lëvizje të ngadalta dhe shenja të ngjashme me Parkinsonin. Pacientët shpesh kanë lëvizje të pakontrolluara dhe dridhje duarsh.

4. Demenca fronto-temporale –prek 5–10%

Kjo formë prek lobet frontale dhe temporale të trurit. Çon në ndryshime të forta të sjelljes, agresivitet, vështirësi në të folur dhe përsëritje të fjalëve. Shfaqet më shpesh në moshë më të re krahasuar me format e tjera të demencës.

5. Demenca e shkaktuar nga alkooli – prek 3–5%

Alkooli i tepërt dëmton strukturat qendrore të trurit që lidhen me të folurin, ekuilibrin dhe arsyetimin. Shenjat përfshijnë të folur të çrregullt me rrokëzime, vështirësi në qëndrimin në këmbë dhe gjykim të dobësuar.

6. Demenca si pasojë e infeksioneve ose traumave

Infeksione të trurit si AIDS, HIV, meningjiti apo tumore të ndryshme mund të dëmtojnë qendrat e kujtesës dhe të të folurit. Po ashtu, goditjet e përsëritura në kokë – veçanërisht në sporte kontakti – janë faktorë të njohur risku.

7. Demenca nga çrregullimet metabolike dhe hormonale

Problemet me tiroiden, mungesa e vitaminës B12, ulja e estrogjenit dhe insuficienca renale mund të ndikojnë negativisht në funksionet mendore.

8. Demenca e përzier

Shumë pacientë paraqesin kombinim të disa formave të demencës njëkohësisht, duke e bërë diagnozën dhe trajtimin më kompleks

Sipas specialistit Merja faktorët që rrisin rrezikun e demencës janë mosha mbi 65 vjeç; historia familjare dhe predispozita gjenetike; hipertensioni, diabeti, problemet me veshkat; dieta e varfër dhe konsumimi i tepërt i sheqernave; duhani dhe alkooli; izolimi social dhe mungesa e aktivitetit mendor; mungesa e aktivitetit fizik.

“Demenca nuk është pjesë normale e plakjes, prandaj njohja e hershme e shenjave, konsultimi me mjekun dhe një stil jetese i shëndetshëm mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përparimit të saj dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”.

Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja jep disa këshilla për një tru sa më të shëndetshëm, në rradhë të parë për parandalim, por dhe për të ndihmuar ata që sapo kanë filluar shenjat e para të demencës.

-         Masazh i shputës së këmbës dhe mbledhja e gishtave të këmbës 2-5 minuta. Ndikon në hipokampusin dhe trurin e vogël.

-         Masazhojmë qafën dhe skalpin e kokës 3-4 minuta. Nxit qarkullimin e gjakut.

-         Pastrojmë gojën dhe gjuhën me furçën e dhëmbëve. Largojmë mikrobet, mykun, nxitim qarkullimin e gjakut.

-         Bëjmë 10-12 frymëmarrje të thella, ushqejmë trurin me më shumë oksigjen.

-         Pimë 1 gotë ujë me një lugë çaji mjaltë ose me limon /Pimë 1 gotë me çaj mali në ditë.

-         Në 2 litra ujë zieni dy minuta: 5 lugë gjelle çaj harmonia, 1 lugë rozmarinë, 1 dorë murriz lule, 1 dorë gingo biloba, 1 dorë hithra, 3 fije çaj jugu. Pihen 3 gota në ditë para buke.

-         Qumësht blete, vendose poshtë gjuhës çdo mëngjes esëll.

-         Shafran, hidh në kos ose gjellë 15-20 fije shafran.

-         Boronicë ose suplementi kardiomer, konsumoni 1 lugë gjelle në ditë.

-         Ushqimet më të përshtatshme: dieta mesdhetare, peshku salmon, vaj ulliri ekstra i virgjër, turshitë, çikorja, radhiqja, hithra, arra, fara liri, etj.