Kur po i lexoj disa shkrime e opinione kundër deklaratës së Edi Ramës, menjëherë po më shkon mendja në vitin 1998, kur i pata dhënë zë Betimit të ushtarit të UÇK-së se do të: "Luftojmë për bashkimin e trojeve të pushtuara të Shqipërisë". Atëbotë, edhe nga qarqe te caktuara shqiptare pat një reagim te çuditshëm?!

Krahasuar me deklarimin e Edit, sot përpiqem edhe t'i kuptoj, se pozicioni i atëhershëm, krahasuar me sot, ishte krejt tjetër. E para, deklarimi ynë e kishte përmbajtjen dhe armën e realizimit - UÇK-në; e dyta, frika ndoshta në një masë e kishte ehe arsyen?! Sot po përpiqem t'i kuptoj edhe ata që u frikësuan! Për rastin e tanishëm, frika, jo vetëm e shqiptarëve, më duket më shumë se e arsyeshme.

A duhet pasur frikë sot dhe nga kush, kjo është çështja. Frikë duhet pasur nga qëndrimet e pohimet luftënxitëse, që vijnë nga ata, që i shkaktuan më shumë tri luftëra. Luftëra, që shkaktuan një gjenocid të tmerrshëm. Gjenocidin në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë i shkaktoi politika agresive e Beogradit.

Pse nuk duhet frikësuar nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?
Nuk është bashkim i dhunshëm.
Nuk formohet Shqipëria e madhe.
Ky bashkim nuk rrezikon asnjë vend.

Ky bashkim do të lironte mjete financiare për zhvillim. Ky popull nuk është kaq i pasur sa t’i mbajë dy aparate kaq të mëdha shtetërore.
Në Ballkanin e trazuar do të krijohej një partneritet në mes shtyllave kryesore të Ballkanit.

Partneriteti mes popujve të Ballkanit krijon: Siguri, stabilitet dhe zhvillim. A nuk po e synojmë të gjithë zhvillimin?
Por unë, ende nuk mund të besoj se Edi Rama e ka seriozisht. Për faktin se bashkimi nuk është çështje e dy a tre individëve, është çështje e një konsensusi kombëtar, për të cilin askush nuk është duke punuar. Ky fakt e bën edhe më të paarsyeshme frikën e BE-së dhe të të tjerëve nga "bashkimi" i Kosovës me Shqipërinë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)