Personat e maskuar që sulmojnë policinë dhe institucionet shtetërore, efektivët që kanë tejkaluar forcën dhe përfshirja e të miturve në përplasje ishin në qendër të deklaratave të zëvendësministrit të Brendshëm, Xhemal Qefalia, në emisionin “Sot Live” në Report TV.
Qefalia tha se AMP ka pezulluar punonjësit e policisë që kanë shkelur kompetencat, ndërsa ngriti shqetësimin për dyfishimin e numrit të efektivëve të dëmtuar gjatë protestave në Tiranë. Duke dënuar dhunën nga të dyja anët, ai theksoi se policia dhe protestuesit nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë dhe se problemet zgjidhen përmes dialogut, jo përplasjeve.
“Ne kemi parë individë që nuk besoj se janë studentë, që mblidhen orët e pasdites. Kanë maska dhe godasin policinë dhe objektet shtetërore. Punonjësi i policisë është një qytetar njëlloj si ai që proteston dhe e ka detyrë të sigurojë protestën, të ruajë objektin dhe jetën e qytetarëve. Nuk mund të shihet si kundërshtar. Edhe protestuesi nuk duhet konsideruar si kundërshtar”, tha Qefalia.
Sipas tij, asnjë punonjës policie nuk ka kënaqësi të përdorë gaz lotsjellës apo ujë ndaj protestuesve, por efektivët kanë detyrimin të ndërhyjnë kur sulmohen institucionet dhe rrezikohet siguria.
“Organet e drejtësisë duhet të jenë të vëmendshme. Kemi një numër dyfish të policëve që janë dëmtuar. Pse duhet të ndodhë kjo përplasje? Asnjë punonjës nuk ka kënaqësi të përdorë gaz lotsjellës dhe ujë. Kur shikon përballë që digjen institucione, që ka tentativa për të kryer akte, policia është këtu për të garantuar shtetin”, u shpreh ai.
Megjithatë, zëvendësministri pranoi se gjatë protestave ka pasur edhe punonjës policie që kanë tejkaluar kompetencat. Ai tha se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar efektivët që kanë përdorur forcë përtej kompetencave të tyre.
“Qëndrimi i qeverisë shqiptare është korrekt. Të gjithë e dënojmë dhunën, por në këtë organizatë të madhe të policisë, që ka 12 mijë vetë, mund të ketë individë që kanë ceduar në tejkalimin e kompetencave dhe AMP ka kryer detyrën duke pezulluar ata punonjës që kanë tejkaluar forcën”, deklaroi Qefalia.
Një tjetër shqetësim që ngriti ishte përfshirja e të miturve në përplasjet me policinë. Qefalia theksoi se goditja e një të mituri nuk mund të justifikohet, por kërkoi gjithashtu që fëmijët të mos maskohen dhe të përfshihen në veprime të dhunshme.
“Nuk kemi thënë që është e drejtë të goditet një i mitur. Ama, nga ana tjetër, apeli është që të mos arrihet në konfrontime të tilla. Nuk jam krenar për minorenë që ndodhen përballë dhunës së policisë. Nuk mundet që minorenët të maskohen dhe të nxirren e të kryejnë akte të tilla, sepse zhbëjnë misionin e protestës”, tha ai.
Për Qefalinë, rruga për zgjidhjen e problemeve të ngritura nga studentët dhe qytetarët është dialogu, jo përplasja me policinë. Ai pranoi se mund të ketë shumë shqetësime të drejta, por këmbënguli se ato duhet të diskutohen.
“Këtu ka nevojë për dialog, për t'u ulur dhe diskutuar. Ka 1001 probleme që mund të jenë të vërteta, por duke dialoguar mund të arrihet në rezultate”, u shpreh zëvendësministri.
Qefalia dha edhe një mesazh për ata që kërkojnë largimin e qeverisë përmes protestave.
“E drejta për të protestuar është e garantuar, por jo për të arritur në ekstreme. Nuk ndodh rotacioni politik me dhunë”, përfundoi ai.







Komente
Komento