Pse është e urryer panorama e protestës së 11 Shkurtit

Pse është e urryer panorama e protestës së 11 Shkurtit

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Sali Berisha ka dështuar të japë një model shpresëdhënës për bashkitë që kërkon të fitojë në 14 Maj. E vetmja risi që i gjithë koalicioni prej mbi 20 partish do të sjellë, është premtimi i Ilir Metës së Këshillat Bashkiakë do të kthehen në Kuvende. Në fakt edhe kjo s’i hyn në punë askujt. As demokracisë, e aq më pak shqiptarëve. Askush s’ka vuajtur nga transparenca e Këshillave Bashkiakë dhe mbi të gjitha, Ilir Meta ishte pjesë e mazhorancës së tyre, që nga viti 2011 së paku.

Të dështuar para ofertës që duhet t’i jepnin më kohë ‘konsumatorit’ votues, opozita ka gjetur organizmin e ndonjë proteste tek-tuk, për të mbajtur me gajret elektoratin e saj deri ditën e zgjedhjeve lokale. Ajo që nuk po kuptohet është se protestat i thërrasin dy individë që kanë bërë pazar hapur me të ardhmen e shqiptarëve. Jo në 2009, as në 2017. Por pikërisht sot, në prag të 14 majit kanë ndarë publikisht se kush do të emërojë kandidatët, e kush këshilltarët. Kjo mjafton për të kuptuar se në çfarë lloj plaçke do të kthehen bashkitë ku mund të fitojnë dy mamuthët e sipërpërmendur.

I pari përveçse është shpallur i padëshiruar familjarisht nga SHBA dhe Britania e Madhe, ka edhe djalin e dhëndrin nën hetim, dhe kur paraqiten tek dera e SPAK si qenë të rrahur, nuk e marrim vesh për çfarë akuzohen më parë. Për Gërdecin, për Boronicat, për ish-Kompleksin Partizani e të tjera me radhë. I dyti nuk shpallet non-grata se s’e ka njeri në hesap fare përderisa përfundoi nga 19 deputetë në tre. Por po ashtu hetohet që nga floriri i Krrabës e më tutje.

Të dy së bashku, të neveritur nga Perëndimi, nuk arrijnë të kuptojnë se çfarëdo altoparlanti që të përdorin, ndërkombëtarët nuk duan t’i dëgjojnë. Jo sepse protesta është mjeti i gabuar për ta çuar zërin në Uashington e Bruksel. Por se ata që çirren janë njerëzit e gabuar për t’u qarë hallet shqiptarëve. Treçerekun e të cilave i shpikin vetë, i sponsorizojnë në mediat e tyre dhe pastaj varin turinjtë pesë pëllëmbë pse s’e hëngri populli. Apo edhe pse formati i protestave të tyre dihet pa nisur mirë; ca borxhlinj Lushë e Dollapë që fryhen si kacagjela në krye, ca që hedhin shashka e ca që thyejnë duart se mendojnë që çahet çeliku i dyerve të Kryeministrisë me grusht e me tuba inoksi. Ja kjo është panorama e 11 Shkurtit, që refuzohet nga të gjithë edhe prej logjikës absurde për të cilën është thirrur: Të çohemi të sjellim Saliun në pushtet për të zgjidhur hallet që ia shpifi si sëmundje këtij vendi vetë Saliu i pari!

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pandi: 10/02/2023 06:14

    Meqe keta qenkan te gabuar, eja pra zotrote dhe te protestojme kunder mafies neokomuniste ramoste...apo nuk e ke ne vije sjellje kete linje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja