Një 46-vjeçar është dhunuar nga disa persona pranë portës së shembur të Kakomesë, ndërsa sipas dëshmisë së tij, në momentin e ngjarjes ishte duke filmuar me telefon në zonë.

Gentian Papagjika ka deklaruar se disa të rinj, të cilët po lëviznin me automjet në drejtim të plazhit të Kakomesë, kanë ndaluar pranë tij dhe i kanë kërkuar shpjegime se përse po filmonte.

“Pse filmon?”, mësohet t’i kenë thënë 46-vjeçarit, ndërsa sipas dëshmisë së tij më pas kanë nisur fyerjet dhe kërcënimet. Situata është përshkallëzuar në përplasje fizike, gjatë së cilës Papagjika ka pësuar dëmtime dhe fraktura në trup.

Pas ngjarjes, ai është dërguar fillimisht në Sarandë për ndihmë mjekësore. Për shkak të dëmtimeve të pësuara, më pas është transportuar drejt Janinës, ku po merr trajtim më të specializuar.

Gentian Papagjika njihet edhe si një prej personave që ka qenë aktiv gjatë protestave të zhvilluara lidhur me shembjen e portës së Kakomesë. Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga ana e Policisë.