Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe 7 dekada pas vdekjes së saj

Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe 7 dekada pas vdekjes së saj

Frida Kahlo

Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate. Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.

Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të? Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.

Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.

Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.

Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.

Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.

Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.

Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.

Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.

Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.

Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.

Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.

Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.

Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.

Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.

Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.

Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.

Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!