I fundit që është shkarkuar është gjenerali Chris Donahue, prej një viti e gjysmë komandant i Forcave të Armatosura amerikane në Evropë dhe Azi. Donahue, 56 vjeç, menaxhoi së bashku me oficerë të tjerë tërheqjen katastrofike të ushtrisë amerikane nga Afganistani në gusht të vitit 2021. Në atë kohë ai drejtonte Divizionin e 82-të Ajror. Një fotografi e njohur e tregon teksa hipën, si ushtaraku i fundit i huaj, në një avion transporti që largohej nga Kabuli.
Donahue pritet të largohet “vullnetarisht” nga komanda javën e ardhshme, me një ceremoni zyrtare për dorëzimin e detyrës te gjeneral-lejtnanti Kevin Admiral.
Lajmi ka dalë në mediat amerikane, pa asnjë koment zyrtar nga Pentagoni. Në fakt, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në shumë raste të tjera. Gjatë rreth një viti e gjysmë në detyrë, Hegseth ka shkarkuar ose ulur në detyrë 25 oficerë të lartë, përfshirë edhe Donahue.
Lista nis me largimin e gjeneralit Charles Q. Brown, afro-amerikani i dytë që mbajti postin më të lartë ushtarak në vend, atë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (i pari ishte Colin Powell). U shkarkua gjithashtu edhe admiralja Lisa Franchetti, gruaja e parë që drejtoi Marinën amerikane dhe e para që mori pjesë në mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm. Ajo ishte emëruar nga administrata e Joe Biden.
Gazeta britanike The Guardian llogariti muajin e kaluar se 60% e oficerëve të shkarkuar ishin afro-amerikanë ose gra. Arsyeja? Sipas Hegseth, shumë karriera ushtarake janë favorizuar nga kultura e ashtuquajtur “woke”, e cila synon balancimin mes etnive dhe gjinive. Sekretari i Mbrojtjes, nga ana tjetër, pretendon se promovimet duhet të bazohen vetëm në meritë.
Megjithatë, asnjë prej largimeve, përfshirë edhe atë të Donahue, nuk është shoqëruar me shpjegime objektive që lidhen me gabime apo mangësi në shërbim. Kjo sugjeron se mund të ketë arsye të tjera.
Një prej tyre gjendet në një paragraf të dokumentit Project 2025, udhërrëfyesi i revolucionit trumpist i hartuar nga Heritage Foundation. Në kapitullin kushtuar Departamentit të Mbrojtjes thuhet:
“Ngjitja graduale në hierarki është bërë e përhapur. Numri i oficerëve është më i larti në histori (madje më i lartë se gjatë Luftës së Dytë Botërore), ndërsa përvoja reale në fushën e betejës është në nivelin më të ulët ndonjëherë. Presidenti i ardhshëm duhet të kufizojë avancimin e vazhdueshëm të shumë kuadrove ekzistuese, të promovuara nga administratat e mëparshme për arsye të tjera dhe jo për aftësitë e tyre luftarake.”
Pra, një tjetër kriter duket se është promovimi vetëm i atyre që kanë përvojë të drejtpërdrejtë në luftë. Por edhe ky argument bie poshtë nga fakti se shumë prej të larguarve kishin marrë pjesë vetë në konflikte të ndryshme. Vetë Donahue, për shembull, ka qenë komandant i forcës elitare Delta Force, e angazhuar në luftërat në Irak dhe Afganistan.
Në realitet, manovra e Hegseth duket se i përgjigjet edhe një nevoje politike: centralizimit sa më të madh të komandës ushtarake, duke eliminuar kundërshtimet apo rezervat e gjeneralëve më me përvojë, më kompetentë dhe shpesh më kritikë ndaj vendimeve të Donald Trump.
Mes këtyre vendimeve përmendet edhe sulmi ndaj Iranit më 28 shkurt, si dhe presioni i ushtruar, shpesh në mënyrë të ashpër, ndaj aleatëve evropianë.
Më 18 qershor, gjatë mbledhjes ministrore të NATO në Bruksel, Hegseth njoftoi një “rishikim të thellë” të pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Ai e bëri këtë pa njoftuar paraprakisht as Komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, të njohur si SACEUR. Ky post, që prej krijimit të Aleancës Atlantike, është mbajtur gjithmonë nga një amerikan.
Aktualisht, detyrën e SACEUR-it e mban gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alex Grynkewich./ Corriere della Sera
Komente










