1761244681_erionbrace.jpg

Durim Kraja dhe Erion Braçe

Diskutime në Komisionin e Ekonomisë ka pasur edhe për çmimin e karburantit, dhe pse nuk hetohet ky treg, edhe pse Shqipëria klasifikohet si vend me çmime ndër më të lartat në Evropë.

Duke ju referuar një hetimi të mëparshëm anëtari i Autoritetit të Konkurrencës Durim Kraja fajin e shikon tek taksat për çmimin e lartë të naftës në treg.

“Ne e kemi marrë në shqyrtim kemi bërë hetim të thelluar të këtij tregu dhe ajo që ka dalë ta quajmë ajo që është relatuar në atë kohë ka të bëjë me faktin që, nëse bëjmë një analizë të çmimit, shikojmë që pjesa më e madhe e çmimit ka të bëjë me taksat që shteti vendos. Një pjesë e madhe e çmimit që po them me përafërsi shkon rreth 1 euro taksa, ka të bëjë me taksën e qarkullimit, ka të bëjë me TVSH-në dhe ka të bëjë me taksën e karbonit. Pra, çmimi i karburanteve, hidrokarbureve, pra në pikën e fundit, në pikën fundore që ne e kemi, aq na shqetëson gjithë ne si konsumatorë duke filluar nga ne dhe gjithë ju, nuk do të ulet asnjëherë në rast se taksat do të mesin të tilla”, tha Durim Kraja anëtari i Komisionit të Konkurrencës.

Por kjo përgjigje, mori një kundërpërgjigje të fortë nga Erion Braçe, i cili tha se edhe në këtë treg operohet në formën e një karteli, ku pavarësisht se çmimi në bursë ka rënë, dhe dollari është zhvlerësuar përsëri ka 6-muaj që në Shqipëri është i fiksuar në vetëm një vlerë.

“Tregu i karburanteve vazhdon të jetë një problem shumë i madh. Po kur më thua kur më thua publikisht hapur fare në nivel individual apo në nivel shoqate që i grumbullon këta edhe ajo shoqata vepron si kartel. Po kur më thua që unë kam në tabelë çmimin ditor të bursës dhe e reflektoj në çast pas dy orësh këtë gjë. Masa e taksave aty nuk më hyn në llogari. Jo, nuk më hyn në llogari zoti Kraja. Se po ju them sot që flasim, sot që flasim Italia, Italia vendi fqinj ka nivel taksash më të lartë sesa ne, por ka një çmim më të ulët sesa ne. Dhe kur për gjashtë muaj rresht çmimi në tabelë nuk ndryshon. Natyrisht që kjo të thotë diçka, nuk ka lidhje me taksën. Dhe kur monedha me të cilën ti kryen transaksionin ka shkuar në nivele fundore dhe bëhet fjalë për dollarin, patjetër që mua nuk më thotë gjë taksa”, tha Braçe.

Në muajin gusht në raportin e politikës monetare, Banka e Shqipërisë theksonte se edhe pse çmimi i naftës në bursë ishte ulur, në Shqipëri nuk ishte reflektuar.

"Çmimet e karburanteve gjatë këtij tremujori, veçanërisht në muajin maj, në vendet e BE-së përjetuan rënie të dukshme, lëvizje kjo që nuk gjeti pasqyrim në tregun vendas.  Çmimi i naftës Brent u kuotua rreth mesatares 67.8$ për fuçi gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, çmim ky rreth 20.1% më i ulët se një vit më parë”, thuhej në atë raport.

Në prill të këtij viti, çmimi i naftës në Shqipëri, shënoi uljen e fundit të riregjistruar, duke zbritur në 173 lekë nga niveli i 175 lekëve, dhe në këto vlera luhatet edhe sot, pavarësisht se çmimi në bursë ka zbritur deri në 60 dollarë fuçia.


Lajmi kryesor:

Tregjet nën monitorim për abuzime/ Konkurrenca kërkon të ketë akses si SPAK në telefonat e kompanive që heton