Të ardhura me avion nga Turqia, kanë mbërritur në Vlorë pjesët hidraulike që nevojiten për të riparuar dëmin në tubacionin kryesor, i cili është çarë, duke lënë pa ujë të pijshëm prej 4 ditësh banorët e qytetit. Punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë rinisur dhe po vijojnë punën për rregullimin e defektit.

Nga 3 pjesët hidraulike të importuara nga Turqia, për riparimin e çarjes së tubacionit kryesor në qytetin bregdetar do të përdoret vetëm 1, ndërsa 2 të tjerat do të ruhen në raste të tilla emergjence.

“Tubin e çau një fadromë që po punonte për ndërtimin e një pallati”. Pavarësisht pretendimeve të qytetarëve, kreu i AKUK, Faluers Shoshi dhe Kryetarja e Bashkisë Brunilda Mersini e mohojnë në mënyrë kategorike këto pretendime.

Zyrtarët thonë se defekti i rëndë në linjën kryesore të transmetimit që furnizon depot e qytetit ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubit kryesor me gjerësi një metër dhe shkarjes e dherave për shkak të shirave.

“Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe ky material nuk përdoret më për këtë diametër. Sot, për tuba 1000 milimetra përdoren gize ose çelik. Kjo është ndërhyrja e tretë riparuese”, tha Shoshi.

Po sipas tyre, vonesa në riparimin e defektit lidhet me kompleksitetin teknik të ndërhyrjes, presionin e lartë të ujit që ka shkaktuar dështimin e disa provave riparuese.

Mungesa në tregun vendas e pjesëve specifike, të cilat janë prodhuar në Turqi u dha si një tjetër arsye, se përse problemi nuk mori një zgjidhje në kohë

“Pajisja specifike për këtë lloj tubacioni nuk gjendet në Shqipëri. Ajo është porositur nga Turqia dhe pritet të mbërrijë brenda ditës së sotme, çka do të na mundësojë të kryejmë ndërhyrjen përfundimtare dhe të rikthejmë furnizimin me ujë ne mesnate”, tha Mersini.

Për rastin, Prokuroria e Vlorës bën me dije se nuk ka nisur hetim, pasi deri në këto momente nuk i është referuar asnjë material nga policia. Ndërsa Prefektja e Vlorës mblodhi shtabin e emergjencave vetëm pas protestës masive të banorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:31
Vengu ndjek nga afër riparimin e tubit të ujësjellësit në Vlorë: Shpresëplotë që të rikthejmë furnizimin me ujë

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka mbërritur në Vlorë dhe po ndjek nga afër punën për riparimin e tubacionit kryesor të furnizimit me ujë të pijshëm, i cili është çarë, duke lënë pa ujë banorët e qytetit prej 4 ditësh.

Vengu tha se pjesët e reja hidraulike të importuara nga Turqia pritet të riparojnë përfundimisht defektin.

"Është një përpjekje gjithështetërore me në krye Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve. Dua të falenderoj dhe drejtorin e Përgjithshëm që është i dislokuar këtu, me një skuadër nga mbarë vendi, me 13 inxhinierë, të cilët kanë bërë identifikimin e dëmeve, sidomos dëmit kryesor që ishte masiv dhe të njeri faktorësh që kanë prodhur këtë. Që në orët e para ka filluar puna për parandalimin e pasojave të mëtejshme. Nga ana tjetër, pavarësisht vështirësisë, logjistikës së fundvitit, Agjencia ka mundësuar dhe importin e pajisjeve për të riparuar gjithë këtë segment. Jemi shpresëplotë që me mjetet e ardhura së fundmi nga Turqia do jenë në gjendje inxhinierët dhe skuadrat ta vendosin në funksion të plotë. Ka filluar në disa lagje të qytetit siç ka inofrmuar dhe kryetarja. Nuk do të reshtim deri në normalitetin e plotë",- tha Vengu.

Ora 20:36
Vlorë/ Rinis puna për riparimin e tubacionit kryesor të furnizimit me ujë pas mbërritjes së pjesëve hidraulike (VIDEO)

Ka rinisur puna për rregullimin e tubit kryesor me diametër 1000 milimetra që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëmn të Vlorës, i cili ishte çarë, duke lënë prej 4 ditësh pa ujë banorët e qytetit. Mbrëmjen e sotme mbërritën nga Turqia në qytetin bregdetar 3 pjesët hidraulike që nevojiteshin për rregullimin e defektit.