Të ardhura me avion nga Turqia, kanë mbërritur në Vlorë fashetat që nevojiten për të riparuar dëmin në tubacionin kryesor, i cili është çarë, duke lënë pa ujë të pijshëm prej 4 ditësh banorët e qytetit. Punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë rinisur punën për rregullimin e defektit.

Nga 3 fasheta të sjella nga Turqia, për riparimin e çarjes së tubacionit kryesor në qytetin bregdetar do të përdoret vetëm 1, ndërsa 2 të tjerat do të ruhen në raste të tilla emergjence.

“Tubin e çau një fadromë që po punonte për ndërtimin e një pallati”. Pavarësisht pretendimeve të qytetarëve, kreu i AKUK, Faluers Shoshi dhe Kryetarja e Bashkisë Brunilda Mersini e mohojnë në mënyrë kategorike.

Zyrtarët thonë se defekti i rëndë në linjën kryesore të transmetimit që furnizon depot e qytetit ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubit kryesor me gjerësi një metër dhe shkarjes e dherave për shkak të shirave.

“Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe ky material nuk përdoret më për këtë diametër. Sot, për tuba 1000 milimetra përdoren gize ose çelik. Kjo është ndërhyrja e tretë riparuese”, tha Shoshi.

Po sipas tyre, vonesa në riparimin e defektit lidhet me kompleksitetin teknik të ndërhyrjes, presionin e lartë të ujit që ka shkaktuar dështimin e disa provave riparuese.

Mungesa në tregun vendas e pjesëve specifike, të cilat janë prodhuar në Turqi jepet si një tjetër arsye, se përse problemi nuk mori një zgjidhje në kohë

“Pajisja specifike për këtë lloj tubacioni nuk gjendet në Shqipëri. Ajo është porositur nga Turqia dhe pritet të mbërrijë brenda ditës së sotme, çka do të na mundësojë të kryejmë ndërhyrjen përfundimtare dhe të rikthejmë furnizimin me ujë ne mesnate”, tha Mersini.

Për rastin, Prokuroria e Vlorës bën me dije se nuk ka nisur hetim, pasi deri në këto momente nuk i është referuar asnjë material nga policia. Ndërsa Prefektja e Vlorës mblodhi shtabin e emergjencave vetëm pas protestës masive të banorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:36
Vlorë/ Rinis puna për riparimin e tubacionit kryesor të furnizimit me ujë pas mbërritjes së fashetave të reja

1767037279_vloreeeeeee.JPG

Ka rinisur puna për rregullimin e tubit kryesor me diametër 1000 milimetra që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëmn të Vlorës, i cili ishte çarë, duke lënë prej 4 ditësh pa ujë banorët e qytetit. Mbrëmjen e sotme mbërritën nga Turqia në qytetin bregdetar 3 fashetat që nevojiteshin për rregullimin e defektit.