Pse mungon një Ditë Kujtese për
viktimat e komunizmit shqiptar?

Në këto orë miliona hebrej në botën mbarë (si dhe jo-hebrej) nderojnë Ditën e Kujtesës, duke zgjedhur si datë simbolike 27 janarin 1945, kur Ushtria e Kuqe çliroi Auschwitz-Birkenaun, më të madhin mes kampeve të përqendrimit të Gjermanisë në të cilët nazistët kishin shfarosur dhjetëra mijëra hebrej.

Dita e Kujtesës është kështu memoria e një populli të tërë kushtuar asaj çka hebrejtë parapëlqejnë ta quajnë Shoah dhe jo Holokaust, pra “katastrofës” që çoi në vrasjen në kampet e përqendrimit të të paktën 4 milionë hebrejve: burra, gra, fëmijë. Që nga viti 1945, kur përparimi i forcave ruse dhe anglo-amerikane mundi nazizmin dhe i dha fund Shoah-ut, populli hebraik ja ka kushtuar ekzistencën e vet dy objektivave të mëdha: të krijojë dhe të mbrojë Shtetin e Izraelit, ku çdo hebre do të mund të ndjehej i sigurtë, dhe të ushqejë ndjenjën e kujtesës, me qëllim që tmerri i historisë të mos përsëritet më kurrë.

Dita e Kujtesës në të vërtetë është vetëm një ndër nismat dhe idetë që çdo ditë të vitit mbajnë gjallë në kujtimin e të mbijetuarve dhe në ndërgjegjen e brezave të rinj makthin e shfarosjes naziste. Muzeumet dedikuar Shoah-ut janë me qindra nëpër botë, ashtu si filmat, dokumentarët, librat, këngët, poezitë, pikturat, veprat teatrore dhe çdo formë tjetër arti në çdo shprehje të saj të mundshme. Historinë e Shoah-ut e mësojnë nëpër shtëpi, nëpër shkolla, nëpër rrugë dhe kudo që është e mundur të mësohet, në Izrael, ashtu si dhe në pjesën tjetër të botës. Një lumë kujtimesh që vazhdon prej 71 vitesh, që përfshin pa shqetësim hebrej e nazistë, viktimat si dhe xhelatët, sepse historia është një, dhe vetëm duke treguar të gjithë aspektet mund ta ushtrojë funksionin e vet të katarsisit.

Vetëm po të tregohet historia pa tabu’, bëhet e mundur që tmerret që ajo krijoi të mos përsëriten më kurrë.

Por kultura e kujtesës hebraike nuk rrëfen vetëm historinë e Madhe. Muzeumet e tyre, filmat e tyre, dokumentaret e tyre janë plot me histori të vogla e tragjike. Dëshmi personale të mbledhura me një punë kërkimore plot durim që shërben të transformojë tragjedinë koletive në përmbledhjen e shumë identiteteve. I japin emër e mbiemër dhimbjes duke e bërë në këtë mënyrë tmerrësisht njerëzore.

Përse në Shqipëri nuk ndodhi e njejta gjë? Komunizmi, që në Shqipëri solli po aq dhimbje dhe vdekje, vazhdon të konsiderohet si një turp që duhet të mbahet i fshehtë. Në librat shkollore që qarkullojnë në shkollat shqiptare vitet e diktaturës së Enver Hoxhës zenë vetëm pak faqe, muzeumet që tregojnë atë periudhë shihen me dyshim. Per të mos folur pastaj për artin: gjatë përgatitjes së Bunk’Art2 (kushtuar pikërisht viktimave të regjimit komunist) kam kërkuar pa sukses një këngë apo vetëm pak muzikë që të jetë shkruar në kujtim të viktimave shqiptare të komunizmit. Asgjë.

Për të mos folur për kinematografinë, teatrin, pikturën: me përjashtime shumë të rralla, tragjedia e 45 viteve diktaturë nuk ka ngjallur tek artistët shqiptarë, të cilët përfaqësojnë atë nervin e ndjeshëm të çdo shoqërie, asnjë reagim shpirtëror apo emocional siç ka ngjarë në të kundërt me artistët dhe popullin hebraik, që kanë krijuar miliona vepra.  Pastaj, mbi historitë individuale të viktimave të komunizmit shqiptar nuk dimë gati asgjë: veç ndonjë rasti të rrallë, emrat e tyre i njohin vetëm familjarët. Në Bunk'Art2 për herë të parë kemi ekspozuar listat me emrat dhe mbiemrat e të ekzekutuarve, të disa të burgosurve dhe të disa të internuarve. Por kjo është vetëm një pikë e vogël dije në oqeanin e paditurisë së përgjithshme.

Askush nuk do të krahasojë përmasat e dy masakrave, edhe pse intensiteti i dhimbjes së shkaktuar nga një persekutim i padrejtë kolektiv nuk mund të matet me numrin e viktimave që shkakton. Komunizmi ka qenë në disa aspekte Shoah-u i vogël shqiptar, me dallimin që këtu askush nuk e përkujton. Pse, në 25 vjet demokraci ku dallohet valëvitja e përsëritur e parimeve anti-komuniste, nuk është caktuar kurrë një Ditë kombëtare e Kujtesës sonë? Vlera e kujtimit, në të kundërt, është zvogëluar dhe fshehur brenda përvjetorëve të partive, një mbivendosje kjo që nuk ka asnjë sens pasi është sikur Shoah-u hebraik t’i kushtohej kujtimit të Ushtrisë së Kuqe.       
 
Dhimbja e atyre që kanë vuajtur tmerret e një regjimi meriton respektin dhe kujtimin e të gjithëve dhe, kur edhe Gjermania e ktheu Kujtesën e Holokaustit hebraik në një shtyllë të kulturës së saj kombëtare, është e pabesueshme dhe e e sikletshme që Shqipëria nuk ka arritur ende të bëjë të njejtën gjë me viktimat e terrorit komunist. 

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Kur Berisha drekonte me Xhorxh Soros, Filantropi: Jam shumë i lumtur që njerëz të mbështetur nga fondacioni, janë të asociuar edhe me Berishën

Kur Berisha drekonte me Xhorxh Soros, Filantropi: Jam shumë i lumtur që njerëz të mbështetur nga fondacioni, janë të asociuar edhe me Berishën