Pse Nënë Tereza nuk i emancipon dot shqiptarët?!

Pse Nënë Tereza nuk i emancipon dot shqiptarët?!

Nënë Tereza

Për bashkëkohësit, të cilët janë ende gjallë, nuk do të harrohet kurrë delegacioni me dy koka i Shqipërisë në funeralin indian për Nënë Terezën. Ishte aq i turpshëm, saqë z.Berisha thjesht të mos fliste me pjesën tjetër të dërgatës shqiptare, bënte sikur lexonte një gazetë me një nga dhjetëra gjuhët e pakuptueshme për ne të vendit mikpritës, kujtonte asokohe një nga njerëzit e pranishëm.

Në fakt, eksperimenti i simbolikës së Nënë Terezës nisi kohë më parë, kur shqiptarët nuk e pranonin në vend, ndërsa ajo erdhi në Shqipëri bash në kapërcyell të rendit të vjetër me atë të ri ekonomik. Pa mbajtur asnjë mëri, gruaja e vogël, jo vetëm e takoi nomenklaturën më të lartë komuniste por denjoi të vendosi dhe një kurorë te Enver Hoxha. Ky akt i fundit “e rehabilitoi” për autoritetet që u munduan të rregullonin sa më shumë imazhin me të, kurse do t’i sillte andralla pak më vonë. Nënë Tereza arriti të ngrejë misionin e saj dhe në vitet e para asistoi me shumë pasion për zbutjen e varfërisë tek të vobektët shqiptarë. Siç ndodh me figura të tilla, që janë të shkrira me nivelet më të varfra, mund të thuhet se impakti i saj u fashit pak e nga pak. Politika e përdori bajagi dhe duket se Nënë Tereza i shërbeu Shqipërisë më shumë me vdekjen e saj. Tashmë aeroporti kryesor i vendit mban emrin e saj, kurse sheshi i dytë më i madh nga rëndësia në kryeqytet është emëruar pas saj. Veçse paradoksalisht nuk ka një monument që ta kujtojë, sepse ai tashmë është zhvendosur drejt aeroportit të Rinasit në një pozicion që lë shumë për të dëshiruar, kurse ai para tij, u përcoll drejt rrugës për në Qafë Thanë!!! Jo pak sherre bajate përcolli simbolika dhe respekti i saj mes myslimanëve në Kosovë e Shqipëri, që nuk u mësuan kurrë me mesazhin e saj. Kurse në ditët tona, tashmë me të gjithë kanonizimet e saj, ajo pothuaj duket si një figurë medievale. E themi këtë të fundit, sepse duket si figurë shumë e largët në kohë. Kjo, pasi përveç një këndi në Muze, asaj i mungon një muzeum i dedikuar, një gjë që e ka bërë me shumë klas Maqedonia e Veriut, ashtu si mesazhet e saj janë krejt të largëta. Sot, madje, paradoksalisht, kur vinë ditët e shtatorit, që e kujtojnë me një datë pushimi, ka ende shumë syresh që pyesin: Çfarë është kjo ditë pushimi?

Në një lagje të Tiranës autoriteteve iu deshën vite pa fund, më saktë u kthjellua Bashkia që të rregullonte një tabelë memoriale të shkruar gabim, ku qëndroi familja e saj, e cila jetoi në kushte krejt modeste në vendin tonë.

Në fakt, e kemi një nga shumë përgjigjet prej njohësit dhe studiuesit më të mirë të saj, shqiptarit Gëzim Alpion, profesor në Birmingham, sa i përket simbolikës së saj dhe kjo duket se jep një shpjegim. “Rëndësia simbolike e Nënë Terezës, për një numër arsyesh, akoma nuk është kuptuar dhe përdorur me efikasitet sa duhet nga shqiptarët. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ajo nuk ka ndikim tek ne. Pavarësisht përkushtimit dhe glorifikimit shpesh herë sa bajat aq edhe infantil nga disa admirues të saj, si dhe përpjekjet sa mendjeshkurtra po aq edhe dashakeqëse të disa personave dhe qarqeve për ta denigruar atë, Nënë Tereza ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të mirë ndër bashkëkombësit e saj të cilët, me të drejtë, krenohen me të edhe përse nuk janë plotësisht në gjendje ta artikulojnë se ku pikërisht konstatojnë vlerat e saj për ne dhe, po aq e rëndësishme, se çfarë ndikimi pati tabani i saj kombëtar dhe familja në formimin e saj si individ dhe si ikonë spiritualiteti dhe bamirësie”, shprehej ai pak vite më parë për autorin e artikullit.

Por më interesant akoma është një përshkrim, që ai i bën pozicionit të saj dhe mesazhit për emancipimin e shqiptarëve. Mbase do të duhet kohë, por më shumë se kaq, politikanët duket të kuptojnë realisht simbolizmin e saj, atë të cilën e shfrytëzojnë aq turpshëm për interesat e vogla, por që nuk e tregojnë dot asnjëherë pse duhet ta duam Nënë Terezën. Tek e fundit, ajo nuk i emancipon dot shqiptarët.

“Asnjë figurë e vetmuar, as Nënë Tereza, nuk mund të emancipojë një komb. Ky nuk është qëllimi i personave të përmasave të tilla, pasi ata janë në thelb ego-centrik. Rëndësia e figurës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës janë të një natyre simbolike. Kjo simbolikë duhet kohë të kuptohet dhe përvetësohet”. Urojmë, por duket se kulti i Nënë Terezës është sërish shumë artificial tek ne. Prova: mënyra sesi e jetojmë përditmërinë dhe si përcjellim mesazhet e saj. 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë