Papa Françesku kërkon ta bëjë Evropën të ringrihet, duke ringjallur vlera të saj që mendoheshin të venitura. I tha fjalët e mësipërme, pikërisht pasi dëgjoi dëshminë e një të riu të papunë, e një personi të moshuar, e një romi dhe atë të një refugjati afgan në Itali. T’i ndihmosh këta njerëz të shërohen nga plogështia, nga mosbesimi për një jetë më të mirë, njëlloj si Shqipëria u shërua nga “ateizmi praktik”, nga djegja dhe rrafshimi i qindra objekteve të kultit, është antidoti më ë sigurtë për Evropën kundër lodhjes, sipas Papës.
Pse ai e di mirë “lodhjen” morale të Evropës së Bashkuar, të shfaqur fort në abstenimin kolosal dhe të përsëritur në zgjedhjet evropiane të verës së vitit të kaluar. E di mungesën e dëshirës së liderëve kryesorë evropianë për të kryesuar një ide apo lëvizje të re ringritëse të Evropës. Dhe kërkon ta japë këtë mesazh ripërtëritës pikërisht në vendin që duket si ende tejet larg Evropës së Bashkuar. Në Shqipërinë e krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit galopant.
Por Papa, i rritur si njeri nga pesë fëmijët e varfër të një familjeje modeste argjentinase, e di se kjo është klisheja, maska që i kanë ngjeshur këtij vendi mediat e papërgjegjshme. E ka ndjerë dhe kuptuar se diçka po lëviz për mirë në këtë vend, që nga lajmet për marrjen nën kontroll nga Shteti të kryeqendrës së drogës në Shqipëri, fshatit Lazarat, apo rrafshimin e plantacioneve me kanabis në të gjithë vendin. Në intervistën e tij më 18 gusht 2014, të dhënë në avion, ndërsa po kthehej nga udhëtimi i tij në Korenë e Jugut, Papa Françesku e lavdëroi qeverinë e Shqipërisë, qeveri të unitetit kombëtar, siç e quajti, të përbërë nga myslimanë, ortodoksë e të krishterë.
Një Papë që i quan emigrantët jo-komunitarë “evropianë të rinj” ka ndërmend një lëvizje rigjallëruese të Kontinentit të vjetër dhe ka zgjedhur Shqipërinë, të njohur gjerësisht (në të mirë e në të keq) për emigrantët e saj kudo në Evropë, për ta quajtur “kjo evropiane e re”, sipas shprehjes dhe gjykimit të tij. T’i konsiderosh emigrantët si evropianë të rinj, shërben si një antidepresant i fuqishëm, sipas Papa Françeskut, në kontrast me valën kombëtare evropiane kundër globalizimit dhe zgjerimit të BE-së. Zgjedhja e Shqipërisë si stacioni i parë i Papës, në rrugëtimin e tij të gjatë për ringjalljen e Kontinentit të vjetër,është pa dyshim, një sprovë sa e guximshme, aq edhe e thellë dhe e gjetur. Papa vjen në vendin e vetëm evropian me shumicë dërrmuese myslimane, por ku harmonia fetare është një realitet i ndritur.
Me pranimin e tij të pastër të çdo ndryshimi në besimet fetare dhe me përkushtimin epror ndaj vlerave njerëzore, Papa Françesku do të dijë të shkundë Evropën në Tiranë! Ne duhet vetëm të vijojmë të jemi krenarë për bashkëjetesën tonë të mrekullueshme fetare dhe të brohorasim këtë Papë-Mesia të vëllazërimit dhe dinjitetit njerëzor.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Shtator 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)