“Fitorja për ukrainasit është shumë e afërt. Dhe unë isha i pari që e parashikova”- thotë Bernard-Henri Levi që po e viziton për herë të pestë Ukrainë që kur Vladimir Putin nisi pushtimin e tij në fund të muajit shkurt. Vizita e parë ishte në mesin e muajit mars.
“Në këtë moment ndodhem në lindje të vendit”- më tha të mërkurën përmes WhatsApp, mënyra më pak e besueshme për të komunikuar nga vija e parë e frontit. Ai ndodhej në Kupiansk, një qytet i “sapo i çliruar”, dhe më pas shkoi në Izium, ku “familjet ukrainase sapo kanë filluar të kthehen”.
Dy ditë më parë, rusët kishin bombarduar zemrën e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, përfshirë një kënd lojërash për fëmijë. Por Levi e ndjen ende “aromën e fortë të fitores”. “Sigurisht është një fitore e trishtueshme. Një fitore në mes të varreve, por megjithatë është fitore”- thotë ai.
Levi, 73 vjeç, cilësohet zakonisht si një “filozof francez”. Por ky etiketim është tërësisht i pamjaftueshëm për të përshkruar një njeri që është gjithashtu gazetar dhe regjisor, një “kryqtar” i pasionuar për të drejtat demokratike, dhe një i dërguar i pavarur i botës perëndimore në zonat e luftës në gati në çdo kontinent.
Ne u takuam muajin e kaluar, pas kthimit nga vizita e tij e katërt në Ukrainë, në apartamentin e tij të mobiluar në mënyrë të shkëlqyer dhe shumë komod në qendër të Parisit. Ai bën një jetë shumë luksoze dhe nuk ka nevojë të rrezikojë veten në Ukrainë apo gjetkë.
E megjithatë e bën këtë. Ai është një njeri i pasur, trashëgimtar i bizneseve të babait të tij dhe autor i disa librave shumë të shitur. Shpeshherë i paguan vetë shpenzimet e udhëtimit drejt këtyre zonave luftarake, duke i vënë detyrë vetes të nxjerrë në pah gjendjen dhe nevojat e njerëzve në luftë.
“Unë i kam mundësitë financiare por dhe kohën”- më thotë ai. Por Levi ndihet gjithashtu “intelektual me një mision, që synon të dëgjohet zëri i tij që e paralajmëron botën”. Ai tregon se ka një lidhje tribale me popullin ukrainas. Që kur vizitoi Kievin gjatë Revolucionit Demokratik të Maidanitnë Ukrainë në vitin 2014, ai i konsideroi ata si “rojtarët e Perëndimit” në vijën e parë të luftës me Rusinë.
Ne u takuam disa ditë pasi forcat e armatosura ukrainase çliruan Limanin, një qytet në lindje që rusët e kishin pushtuar dhe shkatërruar. Ulemi në tavolinën e ngrënies së Levit, dhe pranë kemi një hartë të madhe të Ukrainës. Ai flet për luftën, me autoritetin e një njeriu që e ka parë atë nga afër, që ka qenë në llogore përkrah trupave ukrainase, teksa përlesheshin me armë me rusët.
Për këtë arsye, ai është sulmuar shpeshherë në Twitter nga njerëz që nuk preferojnë të rrezikojnë si Levi, dhe që e analizojnë luftën nga rehatia e zyrës së tyre. Ushtarët ukrainas në front, thotë Levi, kishin “një ndjenjë qetësie, një forcë dhe një moral prej çeliku”.
“Liman ishte një qendër kyçe për rusët në rajon. Dhe ata e humbën. E gjithë infrastruktura e tyre në rajon do të dobësohet edhe më tepër nëse nuk provojnë të nisin një kundërsulm, ne do të shohim përparim të mëtejshëm, madje edhe më të madh nga forcat ukrainase”.
Ukrainasit kanë “një ushtri të vendosur, që nuk nxitohet por merr kohën e saj dhe e forcon pak e nga pak kontrollin e zonave përreth”. Epërsia e tyre ndaj rusëve në fushën e betejës është e dukshme. “Gjeneralët ukrainas janë strategët më të mirë, dhe jo rusët. Por arsyeja e vërtetë pse Putini nuk ka pasur sukses në këtë luftë, arsyeja pse morali ukrainas ka mbetur i lartë edhe përballë mizorive ruse kundër civilëve, është se ata e dinë se për çfarë po luftojnë.
Ata po luftojnë jo vetëm për ekzistencën e tyre, mbijetesën e tyre, por edhe për “vlerat”, për të cilat ata besojnë se ia vlen të rrezikojnë jetën e tyre”- shprehet Levi.
Ishte kjo që e nxiti të deklaronte në mars se ukrainasit do ta fitonin luftën. “E thashë shumë herët këtë gjë. Dhe nuk dyshova asnjëherë për këtë”- shton ai. Të gjithë përreth tij thoshin: “Putini nuk do ta pranojë kurrë këtë, Kremlini nuk do ta pranojë asnjëherë atë gjë. Por Levi që ka vëzhguar nga afër shumë luftëra thotë se ka zbuluar “një ligj të thjeshtë”: Janë njerëzit, dhe jo vetëm gjeneralët, ata që duhet ta mbështesin luftën.
“Janë civilët e varfër që dërgohen në front të luftojnë. Dhe ku ti e di pse je atje – kur mbron qytetin, shtëpinë dhe fëmijët e tu, dhe ç’është më e rëndësishmja, kur ke një besim të madh në vetvete – atëherë t’i zgjedh të shkosh të luftosh”- nënvizon filozofi francez.
Nga ana tjetër, rusët përfaqësojnë një kontrast të fortë: “Kur nuk kupton se çfarë po bën në Ukrainë, kur nuk e di pse po lufton, kur e kupton se je dërguar drejt vdekjes së sigurt për të kënaqur tekat e një tirani të çmendur, askush, asnjë Putin në botë, nuk mund të motivojë të shkosh të luftosh”.
Levi parashikon se nuk do të kalojë shumë kohë “përpara se ushtria ruse të pësojë një kolaps të vërtetë nga brenda”. Tani Putin është detyruar të shpallë mobilizimin e rezervistëve. Bernard-Henri Levi rikujton epokën e disidentëve sovjetikë, si në librat e Solzhenicinit, me burrat që thyejnë vetë krahët e tyre për të mos u rekrutuar.
“Dhe kur njerëzit janë në këtë pikë, unë nuk e di se si mund të ndërtohet një ushtri e vërtetë. Ndaj diktatorit detyrohet të rekrutojë mercenarë me para, kriminelët e nxjerrë nga burgu, militantët islamikë çeçenë, për të kryer bombardimet pa dallim të qyteteve ukrainase. Kur një diktator katandiset në këtë derexhe, unë nuk shoh ndonjë mënyrë si mund të fitohet lufta”.
Në vizitat e tij të shpeshta në Ukrainë, Levi ka parë prova të barbarizmit të rusëve, “të cilët janë të dobët përballë të fortëve, dhe të fortë përballë të dobëtve”. Ai e quan këtë “përkufizimi i frikacakëve”, e kundërta e “fisnikërisë” dhe “sofistikimit” të ukrainasve. E pyes një moment: A mos vallë i romantizoni shumë ukrainasit? Ai thotë jo: “Për momentin nuk po i romantizoj. Unë besoj se mes Rusisë dhe Ukrainës ka një përplasje qytetërimesh. Në këtë botë nuk ka shtete të përsosura. Dhe kur të vendoset paqja, jam i sigurt se në Ukrainë do të duhet të ndërmerren reforma demokratike serioze. Por nëse Putin e fiton luftën, kjo do të sillte një dobësim serioz të Perëndimit dhe Amerikës.
Por si do ta dimë se Ukraina ka fituar? “Është shumë e thjeshtë. Do të jemi në gjendje ta festojmë fitoren në ditën kur Putin do të kapitullojë. Pra jo vetëm do të humbasë, por do të kapitullojë. Do të detyrohet ta kthejë ushtrinë e tij atje ku ishte para kësaj lufte të gjatë. Vetëm rikthimi i Krimesë nën kontrollin e Kievit do të mundësojë një paqe të qëndrueshme”- thotë filozofi francez.
Marrë me shkurtime nga “Wall Street Journal” – Bota.al