Në thelb të krizës së Ukrainës është një enigmë: Pse presidenti rus, Vladimir Putin, do që ta shtyjë Evropën në prag të luftës për të kërkuar që Perëndimi të mos bëjë diçka që nuk e ka fare në plan që ta bëjë?
Rusia ka thënë se NATO – aleanca ushtarake e udhëhequr nga amerikanët që ka në duar krizën më të madhe evropiane në dekada – duhet që kurrë të mos i ofrojë anëtarësim Ukrainës, shtet që u pavarësua kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik rreth 30 vjet më parë.
Ukraina për një kohë të gjatë aspiron që t’i bashkohet NATO-s, por aleanca nuk është e gatshme që t’i bëjë ftesë për anëtarësim, pjesërisht për shkak të korrupsionit zyrtar të Ukrainës, mungesave të përparimit në rritjen e mbrojtjes dhe mungesës së kontrollit mbi kufijtë e saj ndërkombëtarë.
Kërkesat e Putinit shkojnë përtej çështjes së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, por kjo temë është thelbësore në ankesën e tij se Perëndimi ka bërë që ai ta humbë durimin, për shkak të afrimit të aleancës në kufijtë rusë. Ai ka pohuar se zgjerimi i NATO-s vite më parë ka rritur sigurinë e aleancës në kurriz të Rusisë.
Rusët kërkojnë garanci ligjore se Ukrainës do t’i mohohet anëtarësimi në NATO, duke e ditur se NATO-ja, e ka parim që të mos e përjashtojë anëtarësimin e mundshëm të asnjë shteti evropian – madje edhe të Rusisë – por, aleanca nuk ka plane që të nisë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në një të ardhshme të parashikueshme. NATO ka cituar parimin se të gjitha shtetet duhet të jenë të lira që të zgjedhin se me kë duan të rreshtohen.
Atëherë, pse Moska po e ngrit tani çështjen e raporteve midis Ukrainës dhe NATO-s? Përgjigja në këtë pyetje është e ndërlikuar.
Arsyeja që është deklaruar është se një zgjerimi i mëtejmë i NATO-s drejt lindjes do të përbënte kërcënim sigurie për Rusinë. Uashingtoni dhe aleatët e tij hedhin poshtë këtë shqetësim, pasi argumentojnë se asnjë shtet i NATO-s nuk po kërcënon që të përdorë forcën kundër Rusisë.
Për më tepër, Putini dëshiron që të tërheqë prezencën aktuale ushtarake që NATO ka në Evropën Lindore, që përfshin një seri stërvitjesh të rregullta në Lituani, Letoni dhe Estoni, që janë shtete të ish-Bashkimit Sovjetik. Në shtetet e Baltikut, megjithatë, nuk ka trupa amerikane që janë të vendosura për një kohë të gjatë. Aktualisht janë rreth 100 trupa që shërbejnë në turne me rotacion në Lituani dhe rreth 60 në Estoni dhe Letoni, ka thënë Pentagoni.
Presidenti rus, Putin po ashtu kundërshton prezencën e raketave mbrojtëse që aleanca ka në Rumani, një ish-shtet satelit sovjetik. Ai po ashtu kundërshton një bazë të ngjashme që po ndërtohet në Poloni, duke argumentuar se ato mund të shndërrohen në armë ofensive, të afta për ta kërcënuar Rusinë. Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë javës ka miratuar dërgimin e 2,700 trupave shtesë amerikane në Evropën Lindore – 1,700 në Poloni dhe 1,000 në Rumani – plus 300 të tjera në Gjermani.
Ukraina ka lidhje të thella historike dhe kulturore me Rusinë, dhe Putini vazhdimisht ka pohuar se rusët dhe ukrainasit janë “një popull”. Ai ka thënë se një pjesë e madhe e territorit të Ukrainës kanë qenë pjesë historike e Rusisë dhe në mënyrë arbitrare këto pjesë i janë dhënë Ukrainës nga liderët komunistë në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Veprimet e Putinit, megjithatë, kanë shërbyer për të forcuar ndjenjën e identitetit kombëtar të ukrainasve. Pasi Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, dëshira e Ukrainës për t’iu afruar Perëndimit dhe për t’iu bashkuar NATO-s vetëm sa u rrit.
Së fundmi, Putini e ka përshkruar më konkretisht shqetësimin e tij për Ukrainën. Ai ka skicuar një skenarë në të cilin Ukraina mund të përdorë forcën ushtarake për të rimarrë Krimenë ose për të rimarrë zonat në Ukrainën lindore, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
“Imagjinoni sikur Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s dhe të nisë këto operacione ushtarake”, ka thënë Putin. “A duhet që ne më pas të luftojmë me NATO-n? A ka menduar ndokush për këtë gjë?”.
Në fakt, disa në NATO kanë menduar për mundësinë e një lufte të zgjeruar me Rusinë brenda Ukrainës. Kjo është një përkujtesë se çfarë nënkupton anëtarësimi në NATO – një sulm ndaj një shteti anëtar është sulm ndaj të gjithëve, që në rastin teorik të Ukrainës, nëse ky shtet do të sulmohej nga Rusia, kjo do të thoshte se do të kishte një zotim ligjor nga të gjitha shtetet e NATO-s që do të duhej t’i dilnin në mbrojtje Kievit.
Mundësitë që Ukraina të anëtarësohet në NATO një të ardhme të parashikueshme janë jashtëzakonisht të vogla.
Edhe pse Ukraina nuk ka ofertë për anëtarësim nga NATO, ajo është afruar me aleancën, duke filluar nga viti 1997 kur u krijua Karta NATO-Ukrainë dhe ka vazhduar edhe më tej bashkëpunimin me aleancën.
Krerët e qeverive të shteteve anëtare të NATO-s publikisht deklaruan më 2008 se Ukraina dhe Gjeorgjia – një tjetër shtet i ish-Bashkimit Sovjetik – “do të bëhen anëtare të NATO-s”. Ata nuk thanë kur dhe si do të ndodhë kjo, por kjo deklaratë mund të shihet si shpjegim i shqetësimit të Moskës se Kievi një ditë do t’i bashkohet aleancës.
Në anën tjetër, SHBA-ja dhe liderët e tjerë të NATO-s, që nënshkruan deklaratën e vitit 2008 lidhur me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, vendosën që t’iu jepnin këtyre dy shteteve atë që njihet si Plani i Veprimit për Anëtarësim – që është një rrugë që çon drejt një anëtarësimi eventual. Gjermania dhe Franca kanë kundërshtuar fuqishëm që Ukraina të lëvizë drejt anëtarësimit, dhe gjerësisht brenda NATO-s mbretëronte ideja se Ukraina fillimisht duhet të kryente reformat e mëdha qeveritare përpara se të bëhej kandidate për anëtarësim.
Kjo kundërshti duket se asnjëherë nuk është zgjidhur, që do të thotë se përderisa dera e NATO-s është e hapur, Ukraina nuk do të anëtarësohet në një të ardhme të afërt.
Moska ka thënë se nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën, por në muajt e fundit ka vendosur forca dhe pajisje ushtarake përgjatë kufirit të Ukrainës dhe ka lënë të kuptohet se do të ndërmarrë veprime nëse kërkesat e saj ndaj Uashingtonit dhe NATO-s nuk plotësohen. Administrata Biden ka thënë se Rusia tani është e aftë për një gamë të gjerë veprimesh, përfshirë edhe pushtimin e shkallës së gjerë për të marrë nën kontroll Kievin.
Putini ka thënë se NATO ka tejkaluar kufijtë jo vetëm duke i ofruar Ukrainës armë dhe trajnime ushtarake, por edhe duke stacionuar forca në shtetet e tjera të Evropës Lindore, që sipas tij, komprometojnë sigurinë ruse.
Po ashtu është e vërtetë se në dekadën e fundit ka pasur rritje të prezencës ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s në Evropën Lindore, që ka nxitur aneksimin rus të Krimesë dhe të inkursionit në lindje të Ukrainës më 2014. Këto veprime ruse shtyn NATO-n që të dyfishojë fokusin e saj në sigurinë kolektive. Në shtator të vitit 2014, udhëheqësit e NATO-s krijuan një forcë të re për përgjigje të shpejtë, që është e aftë të dislokohet brenda ditësh dhe udhëheqësit kanë ritheksuar zotimet e tyre për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes.
Perderisa perendimi nuk ka plan te fut Ukrainen ne nato perse nuk nesnshkruan nje marreveshje atehere ? Cfare fiton Rusia qe te bej lufte me Ukrainen pervec se shkaterrimit per te dy vendet , keto jane intrigat e perendimit qe te nxise lufte me patjeter ne portat e Rusise
Përgjigju