Shtrenjtimi i perimeve edhe në kulmin e prodhimit sipas ekspertëve ka një sërë faktorësh. Drejtori i Shoqatës së Industrisë Ushqimore, Alban Zusi, rendit si një nga shkaqet e rritjes së çmimeve pasojat e përmbytjeve të janarit dhe shkurtit, duke argumentuar se mungesa e kompensimit në kohë për fermerët ka ndikuar në rikthimin e prodhimit.
“Arsyeja e parë e rritjes së çmimeve lidhet me përmbytjet që kanë ndodhur në janarin dhe shkurtin e kaluar. Përgjigja për të kompensuar fermerët dhe për t'ju dhënë paratë, për t'i rikthyer në punë ato njerëz nuk erdhi, dhe nuk e di kur do ju shkojë kompensimi. Së dyti ne nuk ju përgjigjëm siç u përgjigjën shumë vende të tjera evropiane krizës që po sillte Lufta në Lindjen e Mesme, që ulën bazën e Taksimit. Ne e mbajtëm të njëjtë, pra praktikisht qeveria jonë u bë aleate në çmimin e lartë. Faktori tjetër është kursi i këmbimit, që vetëm me këtë vit ka ndikuar në 6% në rritjen e çmimeve”, tha Alban Zusi Drejtor i shoqatës së industrisë Ushqimore.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, thotë se rol në rritjen e çmimeve ka edhe rënia e bujqësisë me gati 10% në dekadën e fundit, ndërkohë që është favorizuar importi.
“Bujqësia si përqindje e prodhimit në Shqipëri bruto në 10 vitet e fundit ka rënë nga rreth 26% që ishte para 10 vitesh, në pak më shumë se 15%. Është një drastike për një 10 vjeçar, është për një sektor i cili është bazë për një ekonomi. Të bjerë në këtë lloj ritmesh, ndërkohë që sektori tjetër që rritet është një sektor i ndërlidhur me bujqësinë, sepse ato turistë ushqehen dhe do të ishte udhës që rritja e turizmit të rriste edhe fermat që prodhojnë. Nuk ka ndodhur kjo, sepse e kemi disfavorizuar nga prodhimin vendas, kemi favorizuar importin”, tha Ergis Sefa Ekspert për Ekonominë.
Lajmi kryesor:
Inflacioni shqetëson qeverinë, do të ndërhyjë në treg me ‘Pasqyrën e çmimeve”, zv.ministri për Report TV: Platforma gati këtë muaj, qytetarët mundësi të zgjedhin marketet më ekonomike!











