Ka një përqeshje ndaj Historisë dhe një plagë simbolike për Ukrainën në zgjedhjen e kryeqytetit hungarez si vend i samitit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin. Pikërisht në atë qytet buzë Danubit, në vitin 1994, u nënshkrua Memorandumi i Budapestit, me të cilin Kievi — që kishte rifituar pavarësinë vetëm tre vjet më parë — hoqi dorë nga armët e veta bërthamore (1.900 koka, një e treta e të gjithë arsenalit bërthamor sovjetik) në këmbim të garancive për sovranitetin e tij nga ana e Rusisë.
Udhëheqësi i Kremlinit, i cili e tradhtoi atë premtim solemn duke nisur pushtimin e vitit 2022, kthehet tani në vendin e betimit të rremë, bashkë me presidentin amerikan, nën mikpritjen plot emocion të Viktor Orbánit, i lumtur t’u shpalosë atyre tapetin e kuq. Por që në njoftimin e vet, samiti hungarez mbart edhe një tjetër domethënie — edhe më të rëndë dhe potencialisht plot pasoja: është një shuplakë në fytyrë të Europës, e cila në këto vite ka mbështetur betejën ekzistenciale të popullit ukrainas dhe tani e sheh veten sërish të lënë mënjanë, pas asaj ndërprerjeje të shkurtër që solli samiti i Anchorage në Alaskë.
Në Kalanë e Budës, pra, do të bashkohen në mënyrë të dukshme tre fytyrat e populizmit nacionalist botëror: putinizmi, trumpizmi dhe sovranizmi europian. Një vend autoritar dhe i izoluar në kuadrin e Europës po rikthehet në qendër të skenës nga Trumpi, i cili nuk e fsheh përbuzjen e tij ndaj Bashkimit Europian, të lindur, sipas fjalëve të tij, “për t’i futur Shteteve të Bashkuara”. Duke i ofruar Orbánit skenën e një samiti për paqen, ai e shpërblen besnikërinë e këtij të fundit — dhe mbi të gjitha tregon synimin e tij për të përdorur sovranistët si levë për të tronditur projektin e përbashkët europian.
Ndërsa ndaj udhëheqësit rus, kreu i Shtëpisë së Bardhë po rikthen mekanizmin e “yo-yo”-s: herë kërcënon Moskën me sanksione dhe furnizime armësh për Kievin — të fundit, raketat Tomahawk — e pastaj i tërheq gjithçka mbrapsht pa marrë asgjë në këmbim, pas një telefonate “të frytshme”. Duke përmendur në mënyrë ironike Rabelais, mund të thuhet se Trumpi i mbron idetë e tij “deri te Putini, por jo përtej tij”. Arsyeja pse e bën këtë mbetet ende misteri i madh./ Corriere della Sera
Komente









