Pse u 'arratis' artisti e politikani
Dizdari nga Tirana në Ksamil

Pse u 'arratis' artisti e politikani<br />Dizdari nga Tirana në Ksamil
I ftuar në 5 pyetje nga Babaramo kompozitori dhe politikani Limos Dizdari ka rrëfyer aventurën e tij të “arratisjes “ nga Tirana drejt Ksamilit.

Dizdari shiti shtëpinë në kryeqytet dhe vendosi që qendrën kulturore që gjatë tranzicionit ishte shndërruar në stallë bagëtish ta transformonte në një qendër multimediale arti.

Prej disa vitesh Limosi së bashku me bashkëshorten Adriana nëpërmjet Qendrës Kulturore DEA, kontribuojnë në zhvillimin kulturor të banorëve të Ksamilit.
 
Kompozitori dhe politikani shprehet se është sfidë e vështirë të zgjosh dashurinë për artin dhe librin por sipas tij kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara.

Intervista

U çuditën në Tiranë kur vendosët të vini në Ksamil, ç’ne kjo aventurë? 
Të gjithë krijuesit që kanë ndërgjegje sociale të kompletuar dhe për të qenë të përgatitur t’i përgjigjen kërkesave që ka shpirti krijues i shqiptarëve zakonisht dalin nga e zakonshmja dhe bëjmë aventura të tilla. Po t’i shikosh të gjithë kanë një “krisje” tillë. Procesi krijues ka një kohë që shkon deri në një kufi të caktuar, pastaj ndal por kjo nuk do të thotë se ndalojnë të gjitha qelizat krijuese. Mua më ikën gati një dekadë e gjysmë me proceset e tranzicionit dhe  jetën politike. Një gjë është e vërtetë që harxhova shumë energji fizike, intelektuale e shpirtërore, por dhe mora shumë kënaqësi. Ky popull është i prirur të të japë shumë kënaqësi. Këtë e provoj te fakti që shumë lehtë kam mundur të gjej në këtë popull tema krijuese. Populli të dhuron vazhdimisht ndjenja respekti dhe dashurie dhe ai shpreson që ajo të jetë reciproke. Se sa ja kemi kthyer këtij populli vlerën shpirtërore që na ka dhuruar do ta përcaktojë koha.
 
Ishte një mendim që e kishit bluar gjatë?
Nuk ishte improvizim, ishte një mendim i përhershëm. Unë nuk kam qenë aq shumë i bindur në proceset e punës, kam bërë gjithnjë atë që kam mëndur. Kam përshtypjen se ato që kam menduar kanë qenë më të mira se ato që kanë dashur të më imponojnë. Kjo ka bërë që të zbuten kundërpërgjigjet. Bëra maksimumin qe të merrja teatrin e kukullave për ta bërë një teatër të muzikës së dhomës dhe të bëja një muze për demokracinë por nuk e realizova dot. Nuk e bëra se kishte një kundërshti të jashtëzakonshme. Dëshira e dytë ishte se doja të merrja kalanë e Porto Palermos. I bëra një letër kryeministrit Nano dhe mezi më priti pas 6 muajsh në takim dhe i propozova të bëja këtë gjë.
 
Në fakt kishte një projekt për të ndërtuar një Kazino... 
Ju të medias i dini më shpejt se ne. Unë nuk e dija atëherë dhe më vonë e mora vesh. Letrën e kisha bërë shumë të bukur me portin Petrit Rukën. Doja të bëja një muzeu të artit. Problemi i parasë është i zgjidhshëm sot për sot në botë siç thotë edhe Fordi: “ Para ka plot, mjafton të ulësh mesin të mbledhësh”. Me kredi me bashkësi, etj. Fatosi më tha projekt interesant por do para. Si duket ai e kishte gjetur mirëkuptimin me Berluskonin dhe nuk e realizova. Erdha këtu dhe gjeta këtë vend të shkatërruar. Këtu gjeta disa bagëti. Unë ngjaj me dikë që kërkoj të eci kundër lumit, insistova dhe erdha e mora këtë.
 
Kishit ndonjë ide në kokë se çfarë duhet të ndërtonit? 
Lartësia e kësaj nuk shkonte më shumë se gjysme metri mbi fundin e lozhës. Prisha tavanin bëra ca rrugica për të kaluar të gjitha linjat e komunikimit lart nga pika e projeksionit, kështu doli mundësia për të krijuar lozhat. Më e veçanta është se fatmirësisht pata shumë buzëqeshje rreth e rrotull. Kisha frikë si do dilte akustika dhe ajo është absolute, nuk besoj se ka teatër në botë me qartësi kaq të madhe. Është më e mirë se akustika e Akademisë së Arteve. Kishte shumë elementë që më buzëqeshën.
 
Si e pritën vendimin  miqtë vendimin tënd? 
I pari ishte Kiço Blushi, miku im. Ai shkroi një artikull pse u arratis Limos Disdari. Kjo u hap si legjendë pastaj. Mund të qeshësh e të gajasesh po të shikosh legjendën urbane po të  lexosh se si Dizadri erdhi këtu. Njerëzit qeshnin, ca thoshin ishte i marrë. Për 10 vite kam jetuar dy faza. Atë fazën se ishte mirë po e lanë mendtë e kokës. Të gjithë më thonin s’të dinim kaq budalla, paske luajtur fare. Tani ka ndërruar, ka ardhur një tjetër logjikë. Ua sa vizionar paske qenë, ku e gjete atë vend. Dhe unë ju thashë Shqipëria ka nja 30 e ca të tilla. Po më gjetët një do të thotë që nuk jam i vetëm, po nuk ka asnjë do të thotë që jam jashtëzakonisht i vyer. Motra si kjo janë me dhjetëra në Shqipëri. Matanë Butrintit është një tjetër, por nuk është funksionale.
 
Si të priti komuniteti këtu? 
Si Ufo dukesha, i çuditshëm. Ata nguronin të vinin të bisedonin se u dukesha shumë larg dhe shumë lart. Ata i befasonin pianot, sepse këtu ka 5 piano. Unë ftoja Akademinë e Arteve të vinte, t’i dërgonin studentët.
 
Si funksion kjo qendër? 
Ne tentojmë të bëjmë kurse të pianos, violinës, të kitarës, të gjuhës së huaj, të baletit.
 
Ju keni ardhur bashkë me bashkëshorten tuaj, zonja Adriana që ndoshta ka qenë mësuesja më e mirë e pianos në Tiranë  ajo është bashkë me ju dhe jep mësim.
Ajo jep mësim në piano dhe nxënësit e saj janë jashtëzakonisht të suksesshëm. Nxënësit e saj kanë fituar konkursin për të hyrë në konservatorin e pianos në Universitetin e Arteve në Tiranë. Një nxënëse e saj ka fituar konkursin nacional të Lionit, ka shkuar në Lion dhe studion piano atje. Ka vështirësi sepse njerëzit janë larg. Vështirësi tjetër kemi sepse duhet të sjellim mësues nga larg. Klasa e baletit është shumë e kërkuar. Është mënyrë e mirë për të edukuar fëmijët. Kategorikisht i largon nga rrugët e këqija apo hashashi. Më thoshte një farmacist i qytezës dikur që ka shumë fëmijë në Ksamil që marrin hashash dhe droga më të rënda. Kemi sallonin e librit që është shumë i pasur me libra por nuk kemi lexues. Kam shpallur një konkurs në kuadrin e vitit të Kadaresë se kush lexon më shumë dhe nxë më tepër dhe në fund fare do jepja çmime. Kjo është për të nxitur njerëzit drejt librit, po është e pamundur. 
 
Mos është e parakohshme kjo që keni ndërtuar në një qytezë që janë të gjithë migrantë dhe brezi i parë i tyre lufton për ekzistencë? 
Fëmija sot është fëmijë nesër nuk është më fëmijë. Është e vërtetë kjo që thatë ju, po kjo që them unë është po aq e vërtetë po më tragjike sepse jeta ikën. Më thoshte një drejtor i Butrintit kur bëra inaugurimin e ke bërë shumë bukur profesor por nuk të falet për një gabim madhor që ke bërë, mos ke ardhur para? Unë që tamam këtë pyetje nuk doja i thashë ftohtë se gjithnjë ka një fillim.  
 
Ka të ardhme kjo qendër, si e shikoni?
Absolutisht ponë rast se ne nuk duam që ta lëmë këtë vend në injorancë sepse është në natyrën e horrave të një shteti që e para gjë që duan të bëjnë është të fikin dritat e kulturës dhe të dijes. Unë nuk i kam vështirësitë nga komuniteti që është fukara. Si ndodh që vini ju nga Tirana të bëni një intervistë këtu. Unë i di të gjitha mekanizmat që vini këtu, e fundit është se vini se do mbushni ekranin magjik por kryesorja është se ju vini se keni një shqetësim qytetar. Ju duhet të pyesni veten pse nuk privatizohet kjo ndërsa unë jam me qira. Jam me qira në mënyrë të gabuar sepse në bazë të ligjit qendrat kulturore të ndërmarrjeve bujqësore i kalojnë pushtetit qendror. Pse duhet të bëhej kjo kontratë kur ti se ke në pronësi? Sepse shteti nuk u tha sindikatave këto nuk janë prona tuaja të shtetit. Edhe kryeministri Rama e ka identifikuar këtë problem. Me pronat e sindikatave është bërë një batërdi absolute dhe është bërë akoma. Bashkia është e bindur që kjo është prona jonë dhe unë i them hajde të bëjmë kontratën dhe tjetër gjë më thotë ish ministri i brendshëm Nishani e tjetër gjë sekretari i përgjithshëm i ministrisë së brendshme. Kjo nuk është padije. Unë kam ndjekur kronologjikisht të gjithë dokumentacionin. Tani nuk është më pse u arratis Limos Dizdari po pse vrau veten Limos Dizdari, kjo është tragjike pastaj, se me shkrimin  Kiços qesha edhe unë. Unë ç’kisha mbledhur i mblodha këtu. Shita shtëpinë dhe mora një kredi të madhe.

Sa është investuar këtu? 
Shteti e ka nxjerrë rreth 570 milionë të vjetra, ndërsa unë e llogaris rreth 770 milionë. Kjo sepse shpenzimi është më i madh në Ksamil. Kam harxhuar jashtëzakonisht shumë. Cila është leverdia që do ta prishësh.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë