Shqipëria e viteve1912-1914 ishte në hapat e para të jetës së saj të pavarur (pas një sundimi 500-vjeçar nga otomanët turq).
Në fillimet e një shteti të ri dhe për më tepër në ato vite të turbullta në të gjithë Ballkanin dhe nw prag të fillimit të luftërave ballkanike dhe botërore, çështja e mbrojtjes kombëtare dhe të organizimit të ushtrisë dilnin në plan të parë për këtë vend të vogël dhe shumë të varfër.
Qeveria e Ismail Qemalit kishte marrë një seri masash. Ajo vuri në funksionim ministrinë e luftës me ministrin gjeneral Mehmet Dralla dhe shtabin madhor të drejtuar nga major Ali Shefqeti.
Një ndihmesë të madhe dhanë edhe prijësit popullorë si Sali Vranishti, Isa Boletini, A.Tragjasi dhe shqiptarë që kishin bërë shkolla jashtë vendit dhe që u angazhuan në shpalljen e pavarësisë. Këta ishin një kontigjent i mirë (rreth 70 persona), që mbështesnin qeverinë e Ismail Qemalit. Por megjithatë ndjehej nevoja e specialistëve dhe instruktorëve të huaj që të organizoni mbrojtjen ushtarake sipas vlerave të artit modern ushtarak europian.
Ndërkohë, me vendimin e marrë nga konferenca e Ambasadorëve në Londër mbi Shqipërinë në nenin 8 të saj thuhej: Qetësia dhe rendi publik do të siguroheshin nga një xhandarmëri, organizimi i së cilës do t’iu besohej oficerëve të huaj me përvojë, detyrë të cilën e mori përsipër ta realizonte mbretëria dhe shteti holandez.
Kjo përbën edhe bazën juridike për veprimtarinë e misionit ushtarak holandez në Shqipëri.
Vendimi parashikonte gjithashtu se veprimtaria e misionit ushtarak holandez do të vihej nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Europës.
Shteti holandez i kushtoi një vëmendje të veçantë misionit ushtarak që do të dërgohej në Shqipëri për organizimin e xhandarmërisë shqiptare.
Ky mision do të përbëhej nga 15 vetë me në krye kolonelin de Veer, ndërsa si zëvendës do të ishte majori Tomson, i cili ishte edhe deputet i parlamentit holandez. Nisur nga rëndësia e veçantë e misionit, por edhe duke parë meritat e dy personaliteteve të shquara holandeze me dekret mbretëror të nënshkruar nga Mbretëresha Wilhemina, kolonelit de Veer i jepej grada gjeneral dhe majorit Tomson i jepej grada kolonel. Njëkohësisht qeveria holandeze u kujdes shumë që të dy oficerëve madhorë t’u krijoheshin kushte maksimale për kryerjen e këtij misioni shumë të rëndësishëm në ato vite.
Të dy këta oficerë mbërrijnë në Vlorë më nëntor të 1913-s. Ato për një periudhë disa javore lëvizën për t’u njohur në disa qytete për të qartësuar detyrat dhe disa kritere për organizimin e xhandarmërisë shqiptare. Pas një studimi sidomos nga koloneli Tomson u mendua që sipas problematikës së madhe që ekzistonte në ato vite, territori të ndahej në pesë zona të cilat ishin :Korça, Gjirokastra me zonat përreth; Elbasni, Vlora dhe më pas Durrësi.
Më pas me dekretin nr.360 të datës 20 dhjetor 1913 të Qeverisë së Ismail Qemalit, krijohet për herë të parë xhandarmëria e shtetit shqiptar(sepse ekzistonte edhe baza ligjore. por edhe disa kushte konkrete të mbështetura nga misioni që duhej të bëhej organizimi i xhandarmërisë).
Repartet e xhandarmërisë u konceptuan si struktura për sigurimin e rendit shtetëror, për të kryer disa detyra të policisë gjyqësore, por edhe disa situata të vështira në ato vite për mbrojtjen e popullsisë, si dhe për mbrojtjen e vendit nga ndërhyrjet e jashtme.
Nën kujdesin e gjeneralit de Veer dhe të kolonelit Tomson u krijuan dhe filluan stërvitjen repartet e para të xhandarmërisë.
Ndërkaq në Holandë ishte përzgjedhur pjesa tjetër e oficerëve në përbërje të këtij komisioni ushtarak ndërkombëtar. Ata ishin oficerë me përvojë dhe të përgatitur si ushtarak me artin modern ushtarak të kohës, të cilët do të viheshin nën komandën e gjeneralit dhe të kolonelit për përgatitjen e xhandarmërisë. Ky grup pasi erdhi në Shqipëri, në shkurt të vitit 1914 filloi përgatitjen për organizim të xhandarmërisë. Nën kujdesin e tyre u organizuan 4 detashmente xhandarmërie për vendin: për vendosjen e administratave publike dhe për ruajtjen e qetësisë në vend. Me një punë të kujdesshme të të dy oficerëve madhorë të 15 oficerët u ndanë nga 2-3 vetë me disa xhandarë në disa zona të vendit.
Më të rëndësishëm dhe ndërkohë me shumë rrezik ishin ata oficerë që punuan në jug të vendit. Këta në disa raste u konfrontuan edhe me grupet e banditëve andartë grekë, sidomos në zonën e rrugës Tepelenë-Gjirokastër dhe Këlcyrë - Përmet dhe në zonën e Himarës, por ata dolën fitimtarë duke i përzënë grekët përtej kufirit shqiptar.
Gjithashtu edhe në zonën e Bilishtit dhe të Kolonjës doli i njëjti problem, por i përzunë jashtë kufijve. Kjo vërtetoi punën e mirë të oficerëve holandezë, por edhe atdhetarizmin shqiptar ndaj grekeve shovinistë.
Ky mision me ndihmën edhe disa oficerëve shqiptarë me nivel akademik ndihmoi në organizimin e reparteve ushtarake të këmbësorisë, që edhe këto të pajiseshin me mjete ushtarake, dhe më kryesorja ishte që këto reparte të visheshin me një uniformë të re ushtarake shqiptare.
Gjithashtu duhet të theksojmë që në mision kishte edhe një ekip të vogël mjekësh ushtarakë që dhanë një ndihmë në Durrës në spitalin Mbretëresha Sofi, në Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër.
Me ardhjen e Pric Vidit në Shqipëri në mars 1914 misioni u atashua pranë qeverisë së tij me qendër në Durrës. Koloneli Tomson caktohet si Guvernator i përgjithshëm për Shqipërinë e Jugut, por shpejt emërohet si komandant i forcave të armatosura të qeverisë së Durrësit. Në atë kohë shpërthen një kryengritje nga forcat e errëta të vendit meqë kërkonin ende “Babën”, Turqinë në atë kohë, me Haxhi Qamilin që periudha komuniste e quante heroin e vendit, edhe pse bëri vrasje dhe shkatërrime etj. Këta rebelë iu drejtuan Tiranës, Shijakut dhe Durrësit, Elbasanit e zonave të Shqipërisë së Mesme.
Koloneli Tomson nën drejtimin edhe të princ Vidit merr masa të jashtëzakonshme kundër këtyre rebelëve për mbrojtjen e Durrësit duke qëndruar dhe luftuar në vijën e parë të frontit në krye të forcave qeveritare dhe të popullit nga Durrësi me ndihmëtarë vullnetarë nga veriu. Aty ai u shfaq për aftësitë ushtarake duke rënë heroikisht në luftë e sipër më 15 qershor 1914, që shumë patriotë shqiptarë, njerëz të shquar si Fan NOLI, Faik KONICA, Asdreni, Skënder Luarasi, etj, shkruan për këtë hero të Durrësit. Gjithashtu për të shkroi shtypi botëror në ato vite.
Ai dha jetën në vendin tonë për mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe sot populli ynë përulet edhe pas 100 viteve duke mos e harruar sakrificën e madhe të këtij biri të Holandës(më mirë është shkruar jeta e tij dhe për këtë mision nga F. Gërmenji në librin e tij që do të promovohet në Durrës në këtë jubile që do të organizohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri Holandë dhe miqtë e Tomsonit pranë bustit të tij të vendosur disa vite më parë nga të dy Shoqatat e Miqësisë të Shqipërisë dhe të Holandës.)
Duke përkujtuar rënien heroike para 100 viteve të Tomsonit si dhe veprën tepër të dobishme të misionit ushtarak holandez në një kohë tepër kritike për vendin tonë, sot 100 vjet më vonë ne sërish ndjejmë ndihmën e çmuar të Mbretërisë së Holandës për të kapërcyer gjendjen e vështirë e për të shpejtuar ritmet për integrimin e vendit tonë në EUROPË, të bindur se Holanda do ta vlerësojë drejt domosdoshmërinë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian...
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)