Pse udhëheqësit e BE-së nuk japin afat për anëtarësimin e Ballkanit në BE

Pse udhëheqësit e BE-së nuk japin afat për anëtarësimin e Ballkanit në BE

Udhëheqësit e BE-së refuzuan të përcaktojnë një afat për anëtarësimin e kombeve të Ballkanit Perëndimor në BE, pavarësisht se vendet e rajonit u siguruan për një anëtarësim të ardhshëm. Brukseli dëshiron të tregojë se mbetet shpresa më e mirë për fqinjët e tij ballkanikë përballë shqetësimeve në rritje se vitet e pritjes mund t’i shtyjnë disa vende kandidate drejt influencës së Rusisë dhe Kinës.

Sidoqoftë, nuk u bënë përparime në takimin me udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në rrugën e vështirë drejt anëtarësimit. Klubi prej 27 shtetesh diskutoi mbi mbështetjen ekonomike me vlerë disa miliarda euro për fqinjët lindorë, në një samit në Brdo, Slloveni, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së.

Ballkani Perëndimor është pjesë e së njëjtës Europë, ashtu si Bashkimi Europian. Ne ndajmë të njëjtën histori. Ndajmë të njëjtat interesa, të njëjtat vlera dhe jam thellësisht e bindur, se ndajmë gjithashtu të njëjtin fat”, tha shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor”.

“Interesa gjeostrategjike”

Nxitja e BE-së për zgjerim – dikur një politikë kyçe e bllokut – ka ndalur në vitet e fundit. Disa anëtarë më të pasur kanë frikë të shkaktojnë një valë të re emigrimi dhe disa shtete aplikante kanë vështirësi në arritjen e reformave politike. Në një deklaratë përfundimtare nga samiti, thuhej se pas shumë diskutimesh, blloku “rikonfirmon angazhimin ndaj procesit të zgjerimit”.

Por gjithashtu theksohej se BE-ja së pari duhet “të thellojë zhvillimin e saj, duke siguruar kapacitetin e duhur për të integruar anëtarë të rinj”. Kjo deklaratë erdhi pasi shtetet anëtare refuzuan kërkesën e Sllovenisë për angazhim në anëtarësimin e shteteve kandidate nga Ballkani Perëndimor, deri në vitin 2030.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ishte kundër përcaktimit të një afati për procesin e anëtarësimit që “na vë nën presion të gjithëve”. Gjithsesi ajo këmbënguli se BE-ja kishte një “interes të madh gjeostrategjik” për të lejuar hyrjen e Ballkanit Perëndimor në bllok.

Kjo pasqyron shqetësimet në rritje të BE-së mbi ndërhyrjet nga Moska dhe Pekini, të cilat kanë dërguar me miliona vaksina të koronavirusit në rajon. Moska ka lidhje të thella kulturore me kombet ortodokse ndërsa Pekini ka dhënë hua shuma të mëdha në rajon, përfshirë 1 miliard dollarë për ndërtimin e një rruge, të cilën Mali i Zi nuk po arrin ta shlyejë.

BE-ja, si përgjigje, promovoi një paketë investimesh “të jashtëzakonshme” prej 30 miliardë eurosh (35 miliardë dollarë) për rajonin. Zyrtarët gjithashtu premtuan përmirësime “të mëdha” për popujt në Ballkan, si rritjen e normave të vaksinave në përputhje me nivelet e BE-së dhe heqjen e tarifave celulare roaming.

Por ky nuk është aspak një ngushëllim i mirë për vendet kandidate të Ballkanit, që janë ende të zhgënjyera pasi Franca, Danimarka dhe Holanda bllokuan bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në vitin 2019. Që atëherë, Bullgaria është bërë pengesa kryesore për përparim, pasi nuk ka pranuar të lejojë Maqedoninë e Veriut për të filluar procesin e anëtarësimit, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi historinë dhe gjuhën.

Udhëheqësit e të dyja vendeve u takuan së bashku, në praninë e homologëve nga Franca dhe Gjermania, por deri tani nuk është bërë asnjë përparim.

“Nuk kam iluzione”

“Nuk kam iluzione për një anëtarësim të shpejtë në BE”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, vendi i të cilit aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009. “Nevojat politike të BE-së janë të tilla që zgjerimi drejt Ballkanit nuk është një çështje kyçe dhe as popullore”.

Brukseli shënoi një fitore të vogël diplomatike në prag të samitit, duke ndërmjetësuar një marrëveshje për të lehtësuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës. Dy vendet ishin në mosmarrëveshje pasi Kosova ndaloi hyrjen e makinave me targa serbe në territorin e saj. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, një dekadë pas një lufte midis guerilëve shqiptarë etnikë që kërkonin pavarësinë dhe forcave serbe.

Rreth 100 shtete, përfshirë të gjitha, përveç pesë vendeve të BE-së, e njohën pavarësinë e Kosovës, por jo Serbia ose aleatët e saj Kina dhe Rusia. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes dy fqinjëve ballkanikë, i nisur një dekadë më parë, nuk ka arritur të normalizojë marrëdhëniet midis tyre./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë