Mbrëmjen e të mërkurës Champions League dhuroi një ndeshje shumë të bukur në Munich. Bayern dhe PSG barazuan 1-1, por miqtë nga Franca morën biletën për në finale edhe pas fitores 5-4 në sfidën e parë gjysmëfinale në Paris. Tanimë PSG ka siguruar finalen e dytë radhazi të Champions League, duke qenë edhe kampion në fuqi i turneut. PSG dhe Arsenal do të diskutojnë finalen e Champions League më 30 maj në 'Puskas Arena' të Budapestit.

Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët, Luis Enrique dhe Vincent Kompany.

Për Enriquen ekipi i tij e meritoi edhe pse përballë kishte një ekip në nivel të barabartë. Trajneri spanjoll u shpreh se trofeu do të jetë një dhuratë për tifozët, duke nisur sfidën me Artetan, kolegun bashkëkombas të Arsenalit.

"Janë kujtime të bukura. Mund ta mbyllnim ndeshjen me shumë intensitet. Mbrojtja ishte më e mirë se sulmi. Karakteri që treguam ndaj një skuadre si Bayern është shumë pozitiv. Jemi shumë të lumtur që arritëm një finale të dytë radhazi në Champions League", tha fillimisht trajneri spanjoll.

Ai theksoi gjithashtu natyrën e vështirë të ndeshjes, duke e përshkruar atë si një duel mes dy skuadrave me filozofi të ngjashme loje.

"Ishte shumë intensive, shumë e vështirë. Ata luajnë futboll në nivelin më të lartë. Të dy ekipet janë të ngjashme, na pëlqen të ushtrojmë presion lart. Jemi shumë të lumtur", vijoi ai.

Në fund, trajneri spanjoll preku edhe një moment personal, duke e lidhur suksesin me një rast të veçantë.

"Pas dy ditësh kam ditëlindjen. Jam shumë i lumtur. Jemi në fazën tjetër të kompeticionit, në finalen e Champions League. Duam t’ua japim trofeun si një dhuratë tifozëve tanë", tregoi Luis Enrique.

Nga ana tjetër, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany nuk e fshehu zhgënjmin për eliminimin.

"Natyrisht është e vështirë ta pranosh, humbëm ngushtë. U përballëm si të barabartë me PSG-në dhe këto ndeshje vendosen nga detajet e vogla. Pjesa e parë ishte e mirë për ne, ndjeva se ishim skuadra më e mirë dhe shpesh arritëm në zonat ku jemi të rrezikshëm, por PSG mbrojti shumë mirë krosimet.

Edhe pse krijuam situata të rrezikshme, ata u siguruan që të mos arrinim goditjen finale. Baza është gjithmonë energjia dhe skuadra e tregoi sërish këtë. Fatkeqësisht nuk jemi në finale. Duhet të pranojmë se luajtëm kundër një kundërshtari të madh", tha ai fillimisht.

Trajneri belg nuk dorëzohet, duke premtuar se në sezonin e ri ekipi i tij do të jetë mes pretendentëve.

"Champions League ka mbaruar për ne tani, por do të ketë momente dhe mundësi të tjera. Kjo përbën motivim të madh edhe për mua. Niveli i të dyja skuadrave ishte shumë, shumë i lartë. PSG ka kaq shumë cilësi, ndoshta ka qenë skuadra më e mirë në Evropë në dy vitet e fundit. Kemi luajtur 5 herë kundër tyre deri tani, kemi fituar dy herë, kemi humbur dy dhe kemi barazuar një. Provuan gjithçka, duhet ta them. Urime PSG-së, por ne do të provojmë sërish", tha Kompany.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:47
Thierry Henry: Kvaratskhelia dhe Dembele janë një makth për çdo mbrojtje

1778150900_kvichakvaratskheliaousmanedembele.JPG

Kualifikimi i PSG-së në finalen e Champions League nxorri në pah cilësitë e padiskutueshme të dyshes Kvicha Kvaratskhelia dhe Ousmane Dembele. Gjeorgjiani asistoi për francezin dhe 'Topi i Artë' në fuqi nuk e pati të vështirë të mposhtte Neuer, me golin që ishte deçiziv për kalimin e të tijve në finale. Pas ndeshjes, një legjendë si Thierry Henry vlerësoi dyshen e PSG-së.

“Kjo dyshe është një makth për çdo mbrojtje kur ke dy anësorë të aftë të të shkatërrojnë në mënyra të ndryshme”, deklaroi Henry për CBS Sports. Ish-sulmuesi i Arsenalit veçoi golin si shembullin perfekt të bashkëpunimit mes tyre.

Kvaratskhelia fitoi topin, sulmoi dhe dha një pasim perfekt për Dembele që të shënonte në minutën e tretë. Ai gol i hershëm praktikisht vendosi barazimin.

Njëri i shpërqendron mbrojtësit, ndërsa tjetri shfrytëzon hapësirën, është spektakël i pastër. Dembele është klinik para portës, ndërsa Kvaratskhelia krijon kaos me driblimet dhe vizionin e tij”, tha Henry.

Ora 09:07
Nasser Al Khelaifi i emocionuar: Luis Enrique revolucionarizoi futbollin, është trajneri më i mirë në botë

1778137736_nasseralkhelaifi.jpg

PSG siguroi finalen e dytë radhazi në Champions League dhe një meritë kryesore për këtë sukses e ka trajneri Luis Enrique. Spanjolli mund të marrë trofeun më të rëndësishëm në Evropë sërish, teksa për pronarin e PSG-së, Nasser Al Khelaifi, ai ka ndryshuar futbollin botëror, duke qenë trajneri më i mirë.

"Ai (Enrique) revolucionarizoi futbollin, jo vetëm të Paris Saint Germain. Ai është vërtet trajneri më i mirë në botë. Ai është shumë, shumë i lumtur këtu në klub. Ka bërë diçka madhështore. Jemi shumë të lumtur me të. Unë jamë shumë krenar për të", tha ai për CBS Sports, duke buzëqeshur.

Luis Enrique dhe PSG pritet që të zgjasin kontratën deri në vitin 2030, sigurisht me terma më të përmirësuar financiare.