Edhe pse me dy orë vonesë dhe protesta nga gazetarët Edinson Cavani është prezantuar tek PSG. Sulmuesi që i ka kushtuar skuadrës franceze 64 mln euro ka firmosur një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë 10 mln euro në sezon.

“Kisha nevojë për këtë skuadër të madhe”,  ka thënë gjatë prezantimit ‘El Matador’, “vij në Paris shumë i motivuar për të fituar gjithcka”.
 
Uruguajani ka marrë edhe falenderimet e presidentit të Napolit De Laurentis, i cili i ka dërguar një letër ku përveçse i uron suksese, sqaron se kishte shpresuar që ai të qëndronte në Napoli.

Vetë Cavani aventurën tek Napoli e ka cilësuar: “Tre vite fantastike, Falenderoj të gjithë tifozët dhe i uroj Napolit shumë suksese.

Edhe Bayern Mynih ka prezantuar mesfushorin spanjoll Thiago Alkantara. 22-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare ndërsa kampionët e Europës paguan tek Barcelona 25 mln euro. Thiago Alkantara iu bashkua skuadrës gjermane pas këmbnguljes së trajnerit Guardiola.

“Kisha nevojë për një ndryshim total ambient. Bayerni dhe Barcelona janë dy skuadra të mëdha. Jam menduar shumë para se të firmosja por Pep Guardiola më bindi”, ka thënë Alkantara gjatë prezantimit me fanellën bavareze.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)