BRUKSEL - Opozita dhe maxhoranca  shqiptare përplasen edhe në Bruksel. Partia Demokratike kërkon zyrtarisht në Parlamentin Europian, largimin e Taulant Ballës si bashkëkryetar i delegacionit shqiptar në PE. Në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE, në Bruksel, nënkryetar i delegacionit nga opozita, Genc Pollo, ka thënë në fjalën e tij se opozita ka bërë një kërkesë për përjashtimin e Taulant Ballës nga delegacioni shqiptar, pasi akuzohet për lidhje me krimin e organizuar. 

Edi Rama nguli kembë, ndoshta më shumë nga halli sesa nga qejfi, që Taulant Balla të mbetet fytyra parlamentare e Shqipërisë kundrejt Parlamentit Europian e Bashkimit Europian. Kjo është mënyra më efektive për të diskredituar Shqipërinë para Europës mbasi i mbushën radhët e deputetëve e kryebashkiakëve socialistë me soj e sorollop banditësh. Pse duhet që i pari i delegacionit parlamentar në Bruksel të jetë boçe e brekushe me begot, beçot, rrajot e të tjerë si ata. Apo tani që na doli ministri për Europën në biseda me bandat kush pyet për Taulantin.

Ne nuk mund të rrijmë e të votojmë deklarata me thirrje kundër krimit te korrupsionit me Ballën në presidium. Eurodeputetët mund të mos kenë mekanizëm procedural për ta larguar Ballën. Por, siç e thanë, do zenë hundën me dorë e vazhdojnë një orë punë. Dhe po i kerkojnë llogari ekzekutivit të tyre për skandalet e shumta të Balles.Edhe pseb kjo është hera e fundit me Ballen bashkryetar ne këtë parlament. Me Ballën shef delegacioni parlamentar sabotohet integrimin europian dhe silurohet hapja e negociatave vitin tjetër.

Genc Pollo, deputet i PD

Ka qenë kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, eurodeputetja Monika Macovei, e cila i ka ndërprerë fjalën Pollos, duke i kujtuar se akuzat e tij janë provuar si të pavërteta. 

Këto që thoni, është provuar që nuk janë të vërteta. Opozita iku që në fillim të mbledhjes duke dëshmuar se ishin përgatitur për këtë bojkot. 
Opozita duhet të ishte këtu për shqiptarët jo për partinë.

Monika Macovei, eurodeputete

Akuzave të opozitës iu përgjigj edhe vetë Balla i cili tha se nëse akuzat e Pollos ndaj tij provohen si të vërteta, ai është i gatshëm të përballet me Gjykatën e Brukselit. 

Mesa duket ju të gjithë që jeni këtu e doni vendin tim më shumë sesa opozita jonë, për fat të keq dhe për këtë më vjen keq. Por unë deklaroj se nëse qoftë dhe një nga ato akuza që Pollo hodhi kundër meje, është e vërtete, atëherë jam gati të përballem me gjykatën e Brukselit.

Taulant Balla, deputet i PS

Pas denoncimit të deputeti demokrat Genc Pollo për Taulant Ballën, përfaqësuesit e opozitës janë larguar nga mbledhja.

Ndërkohë, më herët reagoi kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherazi bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri, Taulant Balla, i kërkoi Lulzim Bashës të urdhërojë deputetët që të tërheqin kërkesën e tyre në Parlamentin Europian. Balla tha se shfaqja e deputetëve të opozitës në PE po turpëronte vendin. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:14
Brukseli miraton Deklaratën/ Balla: PE mbështet hapjen e negociatave në qershor 2019

Parlamenti Europian ka miratuar deklaratën Përfundimtare të Komitetit të Stabilizim-Asocijimit BE-Shqipëri. Kështu shprehet Taulant Balla në një status në rrjetet sociale pas diskutimeve disa orë në PE. Ai thotë se Brukseli shpreh mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave të Shqipërisë në qershor të 2019.

Faleminderit Parlamentit Europian grupeve më të mëdha politike nga e djathta në të majtë, për miratimin e Deklaratës Përfundimtare të Komitetit të Stabilizim-Asocijimit BE-Shqipëri, e cila fillon me këtë fjali:

Rishprehim mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian në Qershor 2019. Jam krenar që Shqipëria ka këtë mbështetje kaq të madhe në PE.

Shënim: Jam i keqardhur për teatrin e radhës së opozitës edhe këtu, ku duhet të jemi të gjithë bashkë për Shqipërinë që Duam.

Taulant Balla

Opozita e bojkotoi takimin sot në Bruksel, pasi kërkoi largimin e Ballës, ndërsa ky i fundit e cilëson ngjarjen si teatër.  

Ora 16:19
Deputeti i PS: Opozita bojkotoi PE, por jo drekën në Bruksel, i kishte këputur uria...

Shumica dhe opozita nga Tirana e zhvendosën debatin dhe bojkotin në Bruksel, ku përfaqësuesit e PD dhe LSI u larguan nga takimi. Por deputeti i PS, Fate Velaj në një status në Facebook ka postuar disa foto nga dreka në Bruksel ku shfaqen dy palët, ndërsa shton se opozita këtu nuk e bojkoti mbledhjen dhe fjalën e Ballës për shkak se ‘e kishte marrë uria’.

Nese opozita ishte kunder ardhjes se Taulant Balles ne EU parlament dhe perfaqesimit te tij si kryetar i komitetit AL-EU-AL, duhet te ishte ngritur e larguar kur Taulanti mori fjalen gjate drekes dhe mbajti nje fjale plote mesazhe europiane. Apo, i kishte keputur uria dhe thane, jemi qe jemi, hame pak se nuk i dihet darkes dhe e shtyme boykotin per ne salle.

Fate Velaj

Ora 15:46
Debatet në PE, Fleckenstein: Sillni prova! Kukan: Zgjidhini në parlamentin shqiptar, keqardhje për opozitën

Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein nga Brukseli dha mesazhin e qartë për klasën politike shqiptare, ndërsa foli për debatin e krijuar në mbledhjen e PE-së.

Teksa i dha nje pergjigje opozites, e cila braktisi mbledhjen, ai theksoi se nuk është prokuror apo gjyqtar, ndërsa u ndal tek akuzat e opozitës për bashkëkryetarin e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar, Taulant Balla.

Unë nuk jam prokuror nuk jam gjyqtar. Mund të besoj nëse Balla është një djalë i keq apo jo, por ne duam prova. Të gjithë kërkojnë prova dhe më pas mund të vendosim se si të komunikojmë. Kërkesa ime është të bëni detyrat e shtëpise shkoni tek prokurori.” tha Fleckenstein.

Edhe perfaqesuesi i së Djathës Europiane, Eduart Kukan, pas deklaratave të opozitës në këtë parlament, ka shprehur keqardhjen e tij për veprimet e opozitës shqiptare. 

Mësohet se Kukan është shprehur se këto çështje, mes opozitës dhe mazhorancës duhet të diskutohen dhe zgjidhen në Parlamentin e Shqipërisë, dhe jo në atë të Europës.

“Këto çështje diskutohen dhe zgjidhen në parlamentin shqiptar, jo në parlamentin europian. Keqardhje për deklaratën dhe largimin e opozitës.”-mësohet të jetë shprehur Kukan.

Ora 15:19
Përplasja PD-PS në PE, Tabaku për Report Tv: Po presim zëvendësimin e Ballës

Deputetja e PD, anëtare e delegacionit shqiptar në PE, Jorida Tabaku tha për Report Tv se opozita ka kërkuar zëvendësimin e Ballës me një tjetër deputet të PS. Deputetja demokrate paralajmëroi se opozita s'do marrë pjesë në punimet e Komitetit të Stabilizim Asociimit deri në largimin e Ballës i cili sipas saj është i lidhur me segmente të krimit. 

Jemi ende në Parlamentin Europian. Po presim të zëvendësohet Taulant Balla. Është i përfshirë në afera kriminale. Pala gjermane po heton se çfarë po ndodh në Shqipëri. Kërkuam që komisioni të drejtohej nga një tjetër deputet i PS. Ngritëm shqetësimin në PE për bashkëkryetarin e komisionit Taulant Balla, i cili nuk mund të jetë përfaqësues i shqiptarëve. Edhe eurodeputetet i pranuan shqetësimimet tona. Është në dorë të PS dhe jo në dorë të komisionit të marrë vendimin për Ballën.

Jorida Tabaku, deputete e PD

Ora 15:16
Përplasja PD-PS në PE, Spiropali: Opozita s'kërkoi përjashtimin e Ballës, u vetëturpërua

Deputetja socialiste, Elisa Spiropali, përfaqësuese e delegacionit shqiptar në Komitetin e Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri, tha se opozita u turpërua në sytë e europarlamentarëve. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Spiropali tha se opozita nuk ka kërkuar përjashtimin e Ballës nga delegacioni, por ka hedhur akuza dhe baltosje kundër vendit.

Opozita u vetëturpërua në PE. Ne nuk hyjmë në debate me opozitën tonë. Shqipëria mbështetet nga Këshilli Europian. Nuk është kërkuar përjashtimi i Ballës. Shpifjet morën përgjigje nga drejtuesja e seancës në PE.

Elista Spiropali, deputete e PS