TIRANE- Publikimi i emrave të personave nga ana e qeverisë, ka bërë që njësia hetimore Task-Forcë në prokurorinë e Tiranës, të mos ketë shumë rezultat lidhur me arrestimin e individëve të përfshirë në këtë megaskandal. Nga 9 urdhër-arrestet e lëshuar nga prokurori i çështjes vetëm 2 prej tyre janë arrestuar nga ana e policisë së Tiranës, si Afërdita Hysa dhe Tahir Kuka, ndërkohë që 7 prej tyre janë shpallur në kërkim policor. Sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, për kapjen e tyre janë kontrolluar disa banesa por pa rezultat.

Dyshimet flasin se 7 personat e shpallur në kërkim i janë fshehur drejtësisë që në momentin kur janë publikuar emrat e tyre, ndërkohë që dyshimet më të forta ekzistojnë se ata janë larguar jashtë shtetit. Prokuroria e Tiranës, gjatë fazës së hetimit nuk ka mundur të bllokojë dhe pasaportat e personave të dyshuar, pasi ata gjatë fazës hetimore nuk janë paraqitur asnjëherë në prokurori për tu marrë në pyetje.

Aktualisht për personat që janë shpallur në kërkim policor gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 i Kodit Penal. 
 
 Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)