Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar këtë të hënë datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2026. Sipas njoftimit të ministrisë provimi i gjuhës së huaj do të jetë më 2 qershor, më 9 qershor i gjuhës shqipe, provimi i matematikës do të jetë më 16 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 23 qershor.

Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.

Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë.

Njoftimi i plotë:

Rregulla të qarta, garë e drejtë! Është tashmë publike rregullorja e Maturës Shtetërore 2026 dhe datat e provimeve për të gjithë maturantët që ndjekin arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional.

2 qershor - Provimi i gjuhës së huaj

9 qershor - Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë

16 qershor - Provimi i matematikës

23 qershor - Provimi me zgjedhje

Janë publikuar dhe shpërndarë po ashtu testet model për orientimin e maturantëve gjatë procesit të përgatitjes.

Kujdes! Çdo shkelje e rregullave të provimit parashikon penalizim sipas rregullores. Përgatitja rigoroze është mundësia juaj e vetme për një garë që ju nxjerr fitues e faqebardhë.