Imami i xhamisë pranë “Unazës së Re”, Armand Ali meret në pyetje nga prokuroria e Tiranës, pasi është i dyshuar për falsifikimin dhe shpërndarjen më pas në internet të një dokumenti, që dyshohet se e ka prezantuar si dokument të Komunitet Musliman Shqiptar.

Dokumenti i shpërndarë në internet ku tregogej se kreu i Komunitetit Musliman Shqiptar, Skënder Bruçaj informonte ish-kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Eugen Beci, për një listë emërorë që duhet të mbahen nën vëzhgim për shkak se ishin të dyshuar se përkrahnin terorrizimin, është bërë shkak për nisjen e hetimeve dhe marrjen në pyetje të imamit të xhamisë së “Unazës së re” Armand Ali.

Sipas kallëzimit të KMSH-së të depozituar në prokurori në 1 mars 2016, imami i vetëshpallur Ali akuzohet për nxitje të urrejtjes dhe grindjeve fetare dhe falsifikim dokumentash. Në kallëzim, thuhet se në profilin e tij imami "i vetëshpallur" ka postuar një listë me emra hoxhallarësh dhe besimtarësh, ku sipas dokumentit, shoqata e KMSH-së i shikon si të dyshuar për terrorizëm.

Me anë të këtij dokumenti dhe disa postimeve të tjera në “Facebook” por edhe media të tjera, ky imam do ti tregojë ndjekësve të tij se disa persona të shoqatës janë duke punuar kundër interesave të besimtarëve musliman.

armand ali

Pyetja e imamit Ali
Lidhur me kallëzimin e KMSH-së, prokuroria ka marë në pyetje imamin e xhamisë pranë “Unazës së re”, Armand Ali, duke i kërkuar shpjegime për çështjen në fjalë.
Në një postim të vetë imamit Armand Ali në faqen e tij në “Facebook”, ai tregon se përpara oficerit gjyqësor ka treguar se në predikimet ose postimet e tij në rrjetet online nuk ka nxitur urrejtje apo grindje, por ka paralajmëruar besimtarët për disa krerë të shoqatës së KMSH të cilët janë anetarë të Lëvizjes “Gylen”, e njohur në Turqi si organizatë terroriste.

Imami "i vetëshpallur" deklaroi se dokumentin e ka siguruar në atë formë dhe pasi e ka fotografuar e ka publikuar dhe se nuk ka dijeni se dokumenti mund të jetë i fallsifikuar ose jo. Me dëshirën e tij, imami u shpreh se do ti ofrojë prokurorisë dokumentin të cilin pasi e ka fotografuar, e ka postuar në “Facebook” si dhe postimet e tij në të cilat ka folur për anëtarët e lëvizjes “Gylen”, postime këto për të cilat thuhet se kanë nxitur urrejtjen dhe grindjet.

Nga burime jozyrtare, gjithashtu mësohet se kryetari gylenist i shoqatës së KMSH, Skënder Bruçaj ka bërë kallzim penal ndaj Armand Ali edhe pranë Prokurorisë për Krime të Rënda ku e akuzon për nxitje të terrorizmit, pretendime këto të cilat imami i përgenjeshtron dhe thotë se janë vetëm shpifje dhe gënjeshtra.

lista e terroristeve
Shkresa e publikuar nga imami Armand Ali në Facebook

Dëshmitarët në gjyq
Më tej, në profilin e tij, Armand Ali deklaron se në këtë proces gjyqësor do të thërrasë në cilësinë e dëshmitarit disa prej krerëve Gylenist të shoqatës së KMSH, imamë, myftinj, besimtarë si dhe ish-kryetarë të Komitetit Shqiptar të Kulteve.

”Prandaj i paralajmëroj gjithë hoxhallarët e Shqipërisë se nëse vendosni të flisni haptazi kundër gylenistëve, dijeni se nuk do ta kaloni lehtë, ju presin kallzime penale, kërcënime, presione, shkarkime nga detyra”, shkruan në profilin e tij imami i xhamisë pranë “Unazës së re”, Armand Ali.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)