Ditën e sotme në Shqipëri janë raportuar 22 vatra zjarri në të gjithë territorin, 12 prej të cilave vijojnë të mbeten aktive. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, 9 vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa një tjetër është shuar. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 498 forca vendore dhe lokale, si dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në terren janë vënë në dispozicion mjete zjarrfikëse, mjete mbështetëse, autoambulanca, dronë, ndërsa gjatë ditës janë zhvilluar edhe katër operacione me helikopterë.
Në qarkun e Tiranës, zjarri në Malin e Dajtit vijon të jetë aktiv, në një sipërfaqe të mbuluar me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse, efektivë të Agjencisë për Zonat e Mbrojtura dhe 55 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjete, autoambulancë dhe një helikopter.
Autoritetet theksojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatra në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa zjarri në Malin e Bërzhitës është izoluar dhe mbahet nën monitorim.
Situata mbetet aktive në disa zona të qarkut Dibër. Zjarret vijojnë në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos.
Në Lundre–Madhesh, operacioni mbështetet edhe nga 22 efektivë të FA-së, tre mjete dhe një autoambulancë. Sipas autoriteteve, asnjë prej këtyre vatrave nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Lezhë, aktive mbeten vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet.
Në këtë të fundit është angazhuar një numër i konsiderueshëm forcash: 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të Forcave të Armatosura, 16 mjete, dy autoambulanca dhe një helikopter.
Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në qarkun Shkodër, disa vatra vijojnë të monitorohen. Zjarri mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje.
Në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, zjarri vijon aktiv, ndërsa në operacion janë angazhuar 27 efektivë të FA-së, tre automjete zjarrfikëse, një autobot dhe një helikopter.
Në Bardhaj–Myselim vijon ndërhyrja e strukturave vendore, Shërbimit Pyjor dhe vullnetarëve, të mbështetur nga 43 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, vatra në Bërdicë është nën mbikëqyrje.
Në Malin e Tërbunit në Pukë, zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar forcat vendore dhe 32 efektivë të FA-së, së bashku me tre mjete dhe një autoambulancë.
Në qarkun Elbasan, zjarri në Malin e Qukësit në Prrenjas është nën mbikëqyrje. Ndërkohë, në Gurëshpatë të Librazhdit zjarri vijon aktiv dhe po luftohet nga MZSH Librazhd.
Në qarkun Vlorë, vatra në Bolenë të Himarës është nën mbikëqyrje, ndërsa zjarri në Qesarat të Finiqit vijon aktiv. Për shuarjen e tij është ndërhyrë edhe me helikopter.
Në Fier, zjarret në Peshtan dhe Çërrilë të Mallakastrës janë nën mbikëqyrje.
Në Halil të Krujës, zjarri që ishte shfaqur pranë zonave të banuara është izoluar dhe shuar, ndërsa zona vijon të monitorohet.
Në Kukës, vatra në Mamëz është nën mbikëqyrje dhe, sipas autoriteteve, nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Lajm në përditësim…
Vatra e zjarrit në fshatin Rras, në Njësinë Administrative Ungrej, vijon të jetë aktive, ndërsa sipas banorëve në zonë janë mbi pesë vatra zjarri që po mbajnë situatën shqetësuese.
Sipas tyre, megjithëse gjatë ditës së sotme pati ndërhyrje nga toka dhe ajri dhe situata u vu nën kontroll, flakët janë riaktivizuar pasdite dhe po avancojnë në drejtim të zonave të banuara.
Banorët shprehen të shqetësuar për përhapjen e zjarrit dhe kërkojnë vijimin e ndërhyrjes nga strukturat e emergjencës, me qëllim parandalimin e afrimit të flakëve pranë banesave dhe zonave të banuara.
Një vatër e re zjarri ka rënë ne pyllin me pisha tẽ Çërrilës në Fier pasditen e sotme. Flaket po perhapen me shpejtesi ne nje siperfaqe te konsiderueshme. Në vendngjarje kanë mbërritur menjeherë shërbimet zjarrfikëse të Mallalastrës të cilat po punojnë për neutrizimin e flakëve.










Komente
Komento