PUKE - Një 50-vjeçar i ka dhënë fund jetës pasditen e premtes duke u vetëvrarë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Rras të Komunës Gjegjan në rrethin e Pukës, ku Gjin Lleshi i dha fund jetës duke futur në gojën e tij kapsollën e dinamitit.

Sipas uniformave blu të rrethit të Pukës 50-vjeçari mësohet se ka dhunuar gruan e tij shtatzënë P. Gjni 48-vjeçe e cila është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Pukës.

Me të mbërritur në spital kjo e fundit i ka bërë kallëzim penal në polici 50-vjeçarit Lleshi, që sipas policisë kishte goditur bashkëshorten edhe me mjete të forta, madje edhe me çekiç.

Me të marrë kallëzimin e 48-vjeçares efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të 50-vjeçarit i cili nga frika e policisë është vetëvrarë pasi ka futur një kapsolle në gojë, e cila ka plasur duke i dëmtuar kafkën dhe fytyrën.

Ndërkohë, do jetë dëshmia e gruas e plotë që do të sqarojë edhe rrethanat e sakta të ngjarjes së rëndë.

(eç/shqiptarja.com)