Gjiganti i kriptomonedhave Binance ka njoftuar se asetet dixhitale me vlerë rreth 6.3 miliardë dollarë (4.7 miliardë paund) janë prekur nga një sulm kibernetik, i cili dyshohet se mund të jetë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e kriptomonedhave.

Sipas mediave të huaja, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave bëri të ditur se rreth gjysma e këtyre aseteve është arritur të rimerret, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se ndodhet ende në duart e hakerave. Binance ka deklaruar se do të mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga incidenti.

Sipas verifikimeve paraprake, sulmi mund të ketë nisur nga kompjuteri portativ i një inxhinieri të kompanisë, i cili ishte kompromentuar nga hakerat. Kjo u ka mundësuar sulmuesve të kryejnë tërheqje të paautorizuara të fondeve.

Ndërkohë, dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve të kriptomonedhave ia kanë atribuar sulmin një grupi hakerash koreano-veriorë të njohur me emrin TraderTraitor.

Nëse konfirmohet, ky sulm do të tejkalonte ndjeshëm rekordin e mëparshëm, të vendosur në vitin 2025, kur platforma e kriptomonedhave Bybit u godit nga një sulm kibernetik me vlerë rreth 1.5 miliardë dollarë.

Binance nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me dyshimet për përfshirjen e hakerave nga Koreja e Veriut, por ka deklaruar se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet ligjzbatuese për të identifikuar autorët e sulmit dhe për t'i vënë ata përpara drejtësisë.