TIRANE- Brezat e rinj apo dhe "te mesëm", që sot punojnë pa sigurime shoqërore dhe shëndetësore, ose ndryshe në të zezë, rrezikojnë që të mbeten pa pension në të ardhmen. Vendosja e dialogut social dhe partneritet serioz për të shmangur punën e zezë është e domosdoshme për plotësimin e standardeve të punës së denjë. Aktualisht skema e pensioneve në Shqiperi ka 554 mijë pensionistë që përfaqëson 19.2 % të popullsisë që jeton në Shqipëri. Ndërsa treguesit e sistemit të pensioneve në Shqipëri janë shqetësuese në disa drejtime ku mund të përmendim: Niveli i ulët i të ardhurave (kontributeve), në raport me GDP 4.7 për qind, kundrejt 8-10 % të vendeve për rreth nesh, si dhe raporti mjaft kritik i kontribuesve me përfituesit në sistem (1.2 me 1) pra 1.2 kontribuojnë dhe 1 përfiton, ku raporti optimal duhet te jete 4 me 1.

Duke ditur faktin e ekzistencës së informalitetit në shkallë të gjerë,  asnjë nuk mund ta parashikoj se sa do të jetë numri i atyre personave që do të përfitojnë pensionin të themi pas dy dekadash. Gjithashtu, puna informale rrezikon të prodhojë breza pa pension, ose me pensione të reduktuara në të ardhmen. Shqipëria është një vend demokratik që synon të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme të tregut të lirë. Rruga për t’u integruar në familjen e madhe europiane nuk është aspak e lehtë. Megjithatë vendi ynë ka marrë përsipër shumë angazhime për të ndërtuar një proces pune të denjë për të gjithë personat aktivë, jashtë diskriminimeve duke respektuar të drejtat e punëmarrësve dhe duke i dhënë përparësi bashkëpunimit mes subjekteve të marrëdhënies së punës dhe shtetit, si një faktor i tretë.

Shteti në këtë trinom ka rolin kryesor, si ligjvënës, zbatues i ligjeve për mbrojtjen e interesave të punëmarrësve, dhe si punëdhënës. E gjithë shoqëria jonë është në një proces shndërrimi drejt ekonomisë së tregut dhe konsolidimit të rendit demokratik ku zbatimi i çdo ligji është pjesa më e rëndësishme e procesit ligjvënës dhe si e tillë kërkon njohje, formim juridik dhe përsosmëri profesionale. Ndryshimet adekuate në legjislacionin e punës që ndodhën pas zhvillimeve demokratike në vendin tonë morën jetë nën ndikimin e legjislacioneve më të përparuara të vendeve të Europës Perëndimore.
 

Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)