TIRANË - Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me rastet e raportuara për keqtrajtimin e punëtorëve shqiptarë të punësuar në vendeve të ndryshme të Afrikës. Sipas ministrisë, kjo çështje është në qendër të hetimeve që ka nisur Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave
 
Me një njoftim për mediat, ministria bën të ditur se, “Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, ka në qendër të vëmendjes së punës të gjitha rastet e trafikimit të personave të rritur dhe të mitur që parashikohen jo vetëm nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, por edhe nga akte të tjera ligjore e nënligjore të spektrit social që janë në fuqi dhe që mbulojnë këtë fushë”.
 
Sipas Ministrisë së Brendshme, rastet e trajtuara në media, që kanë lidhje me trafikimin e personave janë marrë në konsideratë dhe po trajtohen si në aspektin penal, ashtu edhe në atë social të mbrojtjes dhe asistencës.
 
“Çështja e punëtorëve shqiptarë të punësuar në Afrikë po trajtohet me angazhimin maksimal nga ana e Policisë së Shtetit dhe rasti është regjistruar si procedim penal për veprat penale të trafikimit të personave në bashkëpunim. Për shkak se çështja është ende nën hetim, nuk mund të jepen hollësi të mëtejshme rreth saj”, ka bërë të ditur zyrtarisht Ministria e Brendshme.
 
Për rastin në fjalë, Inspektorati Shtetëror i Punës aktualisht është duke ushtruar detyrimin ligjor të inspektimit ndaj subjektit përkatës. Proceset do të vijojnë paralelisht deri në zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënies së përgjegjësve para drejtësisë.
 
Sigurojmë edhe një herë publikun e gjerë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave janë të angazhuar maksimalisht në luftën kundër trafikimit të personave të rritur dhe të mitur, si edhe në mbrojtjen dhe asistencën ndaj viktimave të këtij krimi.
 
Në datën 25 dhjetor 2013 një prej këtyre punëtorëve ka vdekur nga malarja. Ai ishte një 41-vjeçar nga Vlora. Ridvan Katija, prej 6 muajsh punonte në shtetin e Guinesë së Re në Amerikën Qendrore.
 
Katija ishte kthyer në Shqipëri një javë para se të vdiste, pasi i kishte përfunduar kontrata e punës në vendin e largët.
 
Por pasi është sëmurur papritur, mjekët e spitalit të Vlorës kanë përcaktuar diagnozën e malarjes, pasi kanë mësuar faktin që Katija kishte qenë në Guinenë e Re, zonë e njohur për sëmundje të tillë. Ai u soll në QSUT, por me gjithë kurimin humbi jetën.
ridvan katija























(Në foto: Ridvan Katija që humbi jetën nga malaria)

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)