Vijojnë punimet nga kantieri i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura në Tiranë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja  ka ndarë pamje nga punimet që po kryhen, ndërsa shprehet se kjo hapësirë e re arti do t’i shtojë kryeqytetit një tjetër dimension bashkëkohor kulturor.

“Mirëmëngjes nga kantieri i Muzeut të ardhshëm Kombëtar të Arteve të Bukura! Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe dita-ditës po merr formë një hapësirë e re arti që do t’i shtojë kryeqytetit një dimension bashkëkohor kulturor. 

Hapësira të zgjeruara për ekspozita, kushte të avancuara për ruajtjen e veprave, laborator modern restaurimi dhe teknologji sipas standardeve ndërkombëtare, gjithçka gati për të mirëpritur vizitorë, kuratorë dhe artistë nga mbarë bota!”, shkruan ministri Gonxhja.

Më herët, MEKI ka bërë me dije se investimi që po kryhet parashikon dyfishimin e hapësirave ekspozuese, një laborator të avancuar restaurimi dhe zgjerimin e hapësirave të ruajtjes, duke garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e thesareve artistike.

Projekti përfshin gjithashtu aksesueshmërinë me dy hyrje të reja, sistem sigurie të avancuar, shkallë emergjence dhe sisteme HVAC për ruajtjen e veprave në kushte optimale.