Në mes të sezonit turistik po shtrihen tubat për ujësjellësin e ri tek tuneli i ujit të ftohtë në Vlorë.  Punimet po kryhen në mes të sezonit turistik, kur Vlora pret një numër të madh turistësh. Pronarët e hoteleve dhe vetë qytetarët e Vlorës ankohen për zhurmën e kaosin që po shkaktojnë këto punime.

“Është turp i madh për qeverinë se këto punime mund të bëhen në shtator. Është shumë e bezdisshme dhe për ne si banorë, jo vetëm për turistët. Në këtë aks është lënë vetëm një rrugë kalimi”, thanë banorët.

Kreu i operatorëve turistike, Bedinaj thekson se kjo është koha më e papërshtatshme për të kryer punime, pasi sjell kaos në lëvizjen e automjeve.

“E ka hapur Vlorën në gjithë anët me gropa. Firma ndërtuese nuk vendos sinjalistike, makinat bien në kanale. Është kaos total trafiku, në 2-3 vitet e fundit ndodh e njëjta gjë, punime në rrugë, duke shkaktuar dëm të madh për turizmin”, tha Vasil Bedinaj kreu i operatorëve turistik në Vlorë.

Investimi me vlerë 528 milionë lek është i Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa punimet po zbatohen nga dy kompani “Gener 2” dhe “4 AM”.  Në tabele shkruhet se punimet për shtrimin e linjës se ujësjellës-kanalizimeve  nga shkolla e marinës tek uji ftohte e me gjere do të zgjasin 180 ditë.