Një përplasje ka nisur mes Alesia Balliut dhe deputetit të Partisë Demokratike Gjin Gjoni, pasi ky i fundit tha publikisht se ajo është e punësuar në administratën shtetërore, një arsye tjetër kjo përse nuk u pranua në garë për kreun e PD.

Nuk ka vonuar shumë reagimi i Balliut, e cila i kërkon Gjonit fakte për të vërtetuar atë çfarë ka thënë lidhur me punësimin e saj në shtet pranë Partisë Socialiste. Këto deklarata të deputetit, Balliu i ka konsideruar si shpfije të prodhuara nën direktivën e Sali Berishës.

Postimi i Alesia Balliut

Klika anti-SPAK dhe anti-SHBA që ka uzurpuar Partinë Demokratike ka nxjerrë si zëdhënës të korrupsionit gjyqësor Gjin Gjonin, nën direktivat e Sali Frikacakut, për të më sulmuar me shpifje.

Familja ime dhe unë ia kemi kushtuar gjithë jetën Partisë Demokratike. Në asnjë moment nuk kam qenë pjesë e administratës shtetërore dhe e sfidoj publikisht ish-gjyqtarin e korruptuar të Sali Frikacakut të më paraqesë qoftë edhe një dokument të vetëm që provon se unë, Alesia Balliu, kam qenë e punësuar në shtet. Rrogat prej 5 mijë eurosh që merrni  dhe pazaret e darkave i bëni ju me Edi Ramën.

Alesia Balliu tentoi të merrte pjesë në garën për kryetar të Partisë Demokratike, por aplikimi i saj nuk u pranua. Sali Berisha refuzoi të bënte pjesë të garës dhe Ervin Salianjin e Evi Kokalarin me argumentin se asnjëri prej tyre nuk ishte pjesë e Partisë Demokratike. Aplikimin për tu bërë pjesë e garës e dorëzoi dhe Mereme Sela, por u refuzua sepse nuk përmbushte kriteret.