Ndriçim Gjocaj, drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit dhe Gëzim Hasanpapa kanë rënë në prangat e policisë së Tropojës një ditë pasi humbi jetën punonjësi i bashkisë.
Ngjarja u regjistrua në rrugën e Dobravës, ku 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj së bashku me tre të tjerë ishin duke punuar për vendosjen e një shtylle në bazament. Për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin humbën ekuilibrin dhe shtylla preki telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
59 vjeçari ndërroi jetë në vend, ndërsa u plagosën, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
-N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po mbanin një shtyllë për ndriçim, për ta vendosur në bazament, kanë humbur ekuilibrin dhe për pasojë shtylla ka prekur telat dhe e ka përcjellë rrymën te 4 shtetasit. Nga kjo ngjarje, humbi jetën shtetasi M. S. dhe u dëmtuan shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento