Punonjësit e Bashkisë së Tiranës
bëjnë pazar me vendet e varreve

Punonjësit e Bashkisë së Tiranës<br />bëjnë pazar me vendet e varreve
TIRANE - Pazaret me një vend për të varrosur ata që ndërrojnë jetë, nuk i bëjnë vetëm agjencitë funerale, por edhe vetë drejtuesit më të lartë të bashkisë së Tiranës. Një investigim i “Shqiptarja.com”, zbulon se si ruhen parcela të veçanta në varrezat publike, ku edhe paraja nuk hyn në punë, por prehen vetëm ata që kanë miq shumë të rëndësishëm. Madje, si pasojë e kësaj ndërhyrje tashmë po zhduket edhe parkingu i kësaj varreze.

INVESTIGIMI

U drejtohemi varrezave të Tufinës për të “blerë” një copë tokë ku do të varrosim një të njohurin tonë imagjinar që do ta sjellin nga jashtë. Agjencitë funerale na thonë se nëse duam një vend të mirë, duhet të shkojmë direkt tek varrezat publike dhe atje të mbyllim pazaret me punonjësit. Në Tufinë, personi që takojmë nuk e di se jemi gazetarë, ndaj fillojmë diskutimet për vendin se ku duam ta zgjedhim varrin për të afërmin tonë. Ajo që zbulojmë në fakt shkon përtej pazareve nën dorë.

Punonjësi i varrezave, thotë se në një nga parcelat, që është një vend i mirë, nuk hyn në punë as paraja, pasi aty varrosen vetëm ata persona që vijnë me urdhër nga Bashkia e Tiranës. “Para një muaji e gjysëm është mbyllur ajo parcela e re dhe të gjithë ata që vdesin tani shkojnë dhe i varrosin te kjo që është hapur tani”, - na tregon punojësi i varrezave të Tufinës, ndërsa tregon se parcela e re është goxha larg nga hyrja. Ne këmbëngulim se duam një vend të mirë, dhe jo shumë larg, pasi të afërmit e personit të “vdekur”, duan që ta kenë afër dhe se për këtë jemi të gatshëm të paguajmë edhe para ekstra.

Punonjësi na thotë se sigurimi i një vendi të mirë afër është i pamundur. Biseda midis nesh dhe punonjësit bëhet në parcelën që ndodhet afër vendit të parkimit, në hyrje të varrezës së Tufinës. Pikërisht në parcelën e mbyllur, ngjitur me parkingun, na bie në sy një varr i sapo hapur, ndaj kërkojmë që edhe ne të kemi një vend këtu. “I vetmi vend është parcela e re, pas pishave, vend tjetër nuk ka. Këtu është parkingu. Këta që varrosen këtu janë me të njohur. Troç muhabeti, këtu varrosen ata që janë më urdhër nga Bashkia, - na thotë punonjësi i mirëmbajtjes së varrezave të Tufinës.

- Këtu janë varrosur të gjitha ata që kanë qenë njerëz me pozitë, si Sabari Godo, Hysni Milloshi, etj”, - përfundon ai. Ne sërish këmbëngulim për të siguruar një vend pikërisht këtu, por ai na e pret shkurt. “Këtu, jo mua, se unë jam kot fare, por edhe atë drejtorin e madh të kapësh atje, nuk ma merr mendja se bën punë. Nuk ka më vende, ka mbaruar. Na fiku ajo parcela që na u mbyll” – thotë punonjësi. Ndërsa bisedojmë me të, ai na thotë se nuk ka më asnjë vend, asnjë pëllëmbë vend të lirë.

“Edhe atje nuk është keq, por është pak larg. Vende të tjera nuk ka. Madje disa i kanë futur në një varr. E kanë prishur varrin e bërë dhe kanë futur tjetrin atje. Sepse nuk ka më asnjë vend të lirë” - shprehet punonjësi. Megjithëse në bisedën që bëmë me të punonjësi i bashkisë nuk “e lëshoi” veten, ai la të nënkuptonte se në momentin kur familjarët e “të vdekurit” të vinin në Tiranë, ata mund të arrinin ndonjë “marrëveshje” me drejtues në Bashki. Në disa raste punonjësi tha se “duhet të shkonim të flisnim në bashki, pasi ata ndoshta edhe mund të rregullonin ndonjë vend të mirë, këtu ose në varrezën e Sharrës”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Arbëreshët e Italisë presin Spiropalin, kryetarja e Kuvendit vishet me kostumin tradicional në përurimin e statujës së Skënderbeut

Arbëreshët e Italisë presin Spiropalin, kryetarja e Kuvendit vishet me kostumin tradicional në përurimin e statujës së Skënderbeut