Rreth 1000 punonjëse të fabrikës së peshkut "Rozafa Fish City" në Elbasan i janë përgjigjur shqetësimit të ngritur nga banorët e Labinot Fushës gjatë ditëve të shkuara ku të indinjuara ato u shprehën se një grup i vogël banorësh të kësaj zone janë duke akuzuar padrejtësisht pronarin e këtij biznesi dhe si rrjedhojë kanë shkaktuar edhe shqetësim të vazhdueshëm tek to.

"Nuk do lejojmë askënd që të përbuzë dhe të përbaltë djersën tonë, punën tonë, gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë se po hanë bukë këtu"

"Nëse uji është i ndotur, unë po them me garanci, nuk është e drejtë"

"Luçiano Boçi që thotë që juve nuk e dini se çfarë bëhet aty brenda, këtu brenda Luçiano mund të shprehet se nuk e ka marrë mundimin që të vijë të shikojë se çfarë bëhet brenda", shprehen disa nga punonjëset.

Përsa i përket ndotjes që pretendohet nga banorët që mbetjet derdhen në lumin Shkumbin administratorja e firmës sqaron se ato janë të padëmshme dhe vendi ku bëhet derdhja është në pronësi të firmës dhe kjo është zgjidhje momentale. Nga ana e tij pronari i "Rozafa Fish City" Gjergj Luca i cilëson këto sulme si politike për të dëmtuar imazhin e një biznesi i cili është duke ndihmuar mijëra njerëz.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar lidhur me protestat ndaj kompanisë Rozafa në Elbasan. Përmes një postimi në rrjetin social facebook numri dy i PS-së, Balla deklaron se sulmi i turpshëm politik i Partisë Demokratike ndaj kompanisë Rozafa, është rast i përsëritur. Sipas Ballës, në këto kohë të vështira kur çdo prodhim “made in Albania” duhet mbrojtur, kjo lloj qasje anti-shqiptare e lidershipit rrugë-humbur të PD që gënjen ditën për diell duhet të ndalojë menjëherë.

"Sulmi i turpshëm politik i Partisë Demokratike ndaj kompanisë Rozafa, është rast i përsëritur i politikës së haraçit të sojit “Lucky” Luçiano. Në këto kohë të vështira kur çdo prodhim “made in Albania” duhet mbrojtur, kjo lloj qasje anti-shqiptare e lidershipit rrugë-humbur të PD që gënjen ditën për diellë duhet të ndalojë menjëherë" shkruan ai. Pak ditë më parë një grup banorësh me në krye ish-deputetin Luçiano Boçi u ngritën në protestë kundër fabrikës së peshkut "Rozafa" duke e akuzuar për pronat dhe si ndotës të ajrit dhe lumit Shkumbin.